E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Komisioni hetimor, i paligjshëm dhe sulm politik

 

Pas miratimit vetëm me votat e maxhorancës, të projektvendimit për ngritjen e një komisioni hetimor për kreun e Bashkisë, Rama ka deklaruar se “Ngritja e komisionit hetimor në prag të zgjedhjeve, është i paligjshëm”. Përmes një konference për media, Rama theksoi se këto janë sulme të ulëta të kryeministrit Berisha në prag të zgjedhjeve, madje nënvizoi se të tilla sulme janë të përsëritura. “Ky komision është i jashtëligjshëm, ligji ndalon krijimin e një komisioni 4 muaj para zgjedhjeve. Ky nuk është një komision hetimor, ky është një sulm politik i ulët dhe i organizuar për të kompensuar sipas organizatorëve të tij atë boshllëk mes tyre dhe zgjedhësve dhe për të shmangur atë që ata nuk e shmangin dot, humbjen e sigurtë të Berishës”, u shpreh kreu i bashkisë përpara gazetarëve. Sipas tij, tashmë të gjithë janë mësuar me komisione hetimore para zgjedhjeve. “Gjashtë vjet më parë, përsëri në prag të fushatës elektorale, përsëri në momentin e një tjetër ballafaqimi, një tjetër komision hetimor, me të njëjtat akuza, në të njëjtën formë dhe me të njëjtën përgjigje të qartë dhe të prerë nga ana e qytetatërve dhe e qytetareve të këtij vendi, humbje për ata që e organizuan, për Sali Berishën dhe shpurën e tij”, tha Rama. Kuvendi miratoi sot paradite, me votat e maxhorancës projektvendimin “Për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për hetimin e praktikave dhe procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës”. Në seancën e sotme parlamentare, e cila u bojkotua nga deputetët socialistë ngritja e komisionit hetimor u miratua me 68 vota pro. I pyetur për skandalin e dhënies së licencës për operatorin e katërt celular pa procedurë tenderimi, Rama theksoi se ky është një vendim anormal në prag të fushatës zgjedhore. Por sipas tij, Partia Socialiste në pushtet, do të rishikojë me kujdes të gjitha vendimet e ndërmarra nga qeveria Berisha. “Sapo të vijmë në qeveri, do të rishohim një sërë vendimesh të kontestuara të kësaj qeverie dhe ta bëjmë me një ekspertizë të lartë profesionale dhe jo me çështje hakmarrjeje politike”, deklaroi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›