E Diel, 1 Nëntor 2026

Frika prej krizës financiare, radhë të gjata para bankave

Tërheqje masive lekësh nga bankat e Fierit. Gjatë kësaj fundjave të gjitha sheshet pranë bankomatëve janë mbushur me fatura të tërheqjes së lekëve. Klientë të shumtë të bankave operuese në Fier kanë nxituar gjatë të shtunës dhe të dielës për të tërhequr lekët e tyre nga bankomatët. Mësohet se frika për falimentimin e bankave ka shtyrë banorët e Fierit që të marrin ç‘të mundin nga shumat që kanë të depozituara. Të pyetur nga gazeta "Shqip", shumë nga personat që janë parë në bankomatët e lekëve kanë thënë se "kemi frikë se falimentojnë bankat". E ndërsa shuma maksimale e një tërheqje në bankomat është 30 mijë lekë, njerëzit i janë rikthyer procesit të tërheqjes për disa herë me radhë, për të marrë sa të munden. Gjatë dy ditëve të fundit, radhë të gjata janë regjistruar pranë bankomatëve. Ndërkohë që, mesditën e së dielës, asnjë prej bankomatëve të Fierit nuk kishte më lekë dhe valuta të tjera. Në një vështrim të shkurtër të faturave që kanë mbuluar sheshet pranë bankave, sheh se të gjithë kanë tërhequr shumën maksimale të lekëve, çka tregon se fierakët nuk kanë rritur shpenzimet e tyre për fundjavë, por një ankth tjetër po i bren. Ndërsa filialet e bankave në Fier kanë nisur një fushatë për të siguruar klientët e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›