Majkëll Granof: Rruga, një vlerë për Shqipërinë
Përfaqësues të bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan inspektuan dje punimet në segmentet e autostradës Durrës-Kukës-Morin, një nga veprat më të mëdha infrastrukturore të qeverisë shqiptare, si dhe panë nga afër punimet në dy tunelet Thirrë-Kalimash, që po ndërtohen në një terren të vështirë malor. Presidenti i Fondit Shqiptaro-Amerikan, Majkëll Granof, i pranishëm në këtë inspektim, u shpreh se "rruga Durrës-Kukës është një investim i madh i qeverisë shqiptare, që u jep shtysë investimeve". Ai theksoi se rruga është një projekt i jashtëzakonshëm dhe shtyllë kurrizore për ekonominë. I pyetur nëse do të ketë impakt në ekonominë e vendit kjo rrugë, Granof u shpreh se "do të ketë një rol të jashtëzakonshëm, për faktin që Shqipëria dhe i gjithë rajoni janë duke u bërë gjithmonë e më global. Dhe në këtë aspekt, roli i Shqipërisë me përfundimin e këtij projekti do të jetë nga më të rëndësishmit në rajon, sepse do t‘u ofrojë mundësi infrastrukture dhe komunikimi të gjitha pjesëve të rajonit që e rrethojnë atë".