E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia bllokon eksportet shqiptare

Bizneset prodhuese të konfeksioneve japin alarmin për bllokimin e eksporteve që kryejnë me partnerët italianë, duke vënë përpara përgjegjësisë autoritetet qeveritare përtej Adriatikut. Ministria italiane e Linjës nuk jep leje transporti për subjektet private shqiptare, rast ky i përsëritur për disa vite rresht, por që kësaj here po ndikon së tepërmi në uljen e eksporteve dhe falimentimin e aktiviteteve fasoniste. Sipas informacioneve të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, nga 14 000 - 15 000 copë, që kanë qenë kërkesat vjetore të transportuesve, nga pala italiane janë miratuar 9 500 copë dhe me shumë vështirësi janë shtuar deri 3 500 copë të tjera. "Kjo situatë mendojmë se është një paradoks në kushtet kur me Italinë funksionon Marrëveshja e Tregtisë së Lirë. Tregti të lirë me transport të kufizuar nuk mund të ketë", shprehet DHKPV. Në këtë pikë, përfaqësues të këtij sektori i kërkojnë ministrit Sokol Olldashi dhe strukturave të tjera përgjegjëse të negociojnë në mënyrë të menjëhershme me autoritetet italiane për të shmangur bllokimin tërësor të veprimtarisë prodhuese të kompanive shqiptare të konfeksioneve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›