E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherbimet e sejmeneve dhe shteti ne rrezik

A duhet të jenë tronditur vallë demokratët shqiptarë nga ngjarjet e kohëve të fundit, të cilat nxjerrin në një dritë fare të keqe - më keq nuk bëhet - udhëheqësin e tyre absolut e historik? Janë të gjitha gjasat që të jenë tronditur, s‘ka gjë se nuk bëhen të gjallë (arsyeja pse nuk bëhen të gjallë është një temë më vete; të shpjegosh këtë do të thotë të shpjegosh gjithë historinë e Shqipërisë). Nuk ka mundësi të mos jenë tronditur. Ata vetë e kanë krijuar (dhe kanë jetuar gjatë me) mitin e ndershmërisë dhe mitin e atdhedashurisë së Berishës. Sa herë që ballafaqoheshin me ca të vërteta të tjera të pamohueshme në adresë të Berishës (fjala vjen, një lloj paqëndrueshmërie psikike), ata e kishin të hazërtë përgjigjen: e mirë, e dimë, është i sëmurë, por të paktën është i ndershëm e patriot. Në fakt, Berisha asnjë herë nuk ka dëshmuar se është i ndershëm e patriot, por ka arritur sidoqoftë ta shesë këtë imazh në periudhën e vegjetimit të gjatë opozitar. Të mos harrojmë, që kjo periudhë e vegjetimit opozitar të Sali Berishës është në të njëjtën kohë edhe periudha e non-chalance-ës biblike të Fatos Nanos, e cila shërbeu si një alamet inkubatori për këtë imazh.

Po tani? Çfarë thonë vallë tani, që Sali Berisha ka treguar se s‘e ka për gjë t‘u qurravitet grekëve (jo vetëm u plotëson çdo kërkesë ca qarqeve të mbrapshta greke, por edhe bën avokatinë publike të prapësive të tyre)? Çfarë thonë vallë tani, pasi janë informuar mbi miqësinë më të çuditshme të një politikani shqiptar (miqësi me një biznesmen serbo-boshnjak, veprimtaria sipërmarrëse e jo sipërmarrëse e të cilit është e rrethuar nga dyshime të forta)? Çfarë thonë vallë tani, që Kryeministri u zotua se "Damir Fazliç-in ua sjell edhe në parlament, po të doni"? Çfarë thonë vallë tani, pasi kanë dëgjuar deklaratën më të fantaksur të një kryeministri, se "ai do t‘i nxjerrë më në fund të gjitha provat, filmimet, dëshmitë, regjistrimet, interceptimet, e bëmat deri tani të fshehura, që tregojnë "mafien" e vërtetë të këtij vendi"? Çfarë thonë vallë tani, pasi kanë marrë vesh se Gërdeci ishte vepër e djalit të kryeministrit, se emri i vajzës së kryeministrit shfaqet në të gjitha aferat më të pista të tre viteve të fundit, se papritur e papandehur familja Berisha është një nga familjet më të pasura shqiptare?

He, një dreq e di se çfarë thonë. Pastaj, nuk është se ka ndonjë rëndësi të madhe kjo gjë. Sali Berisha mund të bëjë edhe njëqindfishin e këtyre zullumeve që ka bërë, mund edhe të dalë e të deklarojë që fjala vjen "Kosova duhet të ribashkohet me Serbinë", mund edhe të dalë e të thotë se fjala vjen "shteti shqiptar vlen më pak se interesat e fëmijëve të mij", e prapëseprapë, ai do të jetë kryetari i padiskutueshëm i Partisë Demokratike. Nuk ka ndonjë çudi në këtë mes. Ndodh gjithmonë kështu me ato komunitete politike, ku gjen me shumicë vullnete të shtypura e të ndrydhura apo shpirtra të epshëm mercenarësh e klientësh.

Këtu është vendi të themi, që në radhët e partisë së mumifikuar demokratike ka edhe më keq se sa heshtja; më keq se sa heshtja është shërbimi. Pothuaj të gjithë demokratët kanë zgjedhur heshtjen, por janë ca e ca që kanë zgjedhur shërbimin. Një pjesë syresh sillen kështu të nxitur prej mirënjohjes për udhëheqësin, që nga hiçër i shndërroi në diçër, një pjesë motivohen në këtë sjellje prej kodit të tyre të prishur e të shthurur moral, një pjesë të motivuar prej arrivizmit të shfrenuar, në emër të të cilit mund t‘u shërbejnë të gjithë kopukëve të botës, e një pjesë ngaqë aq dinë, aq bëjnë.

Ditët e javët e fundit, në gjithë këtë gatishmëri për të shërbyer kanë rënë në sy në mënyrë të veçantë tre vetë, ministri Alibeaj, ministri Nishani dhe ministrja Bregu. Këta, po edhe ndonjë tjetër, janë fytyra e sotme e njerëzve me mentalitet shërbuesi, janë fytyra e këtyre ditëve e sejmenit proverbial dhe tradiconal në historinë e shqiptarëve (sa shumë sejmenë pjell ky vend!).

Ministrja Bregu doli në skenë vetëm dje për të lexuar një nga ato deklaratat e shpifura që përgatit Berisha (më erdhi keq, kur e pashë. Nuk kam fjalë të tjera për të thënë në adresë të kësaj zonje). Ndërsa dy të tjerët janë një histori më vete. Nuk ka ditë që të mungojnë bëmat prej sejmeni të këtyre të dyve (nuk dihet pse veçantërisht këta të dy, ndërkohë që në maxhorancë e në egzekutiv ka plot sejmenë të tjerë), por ditët e fundit ata po shkelin në zona të pashkelshme. I pari ka marrë përsipër të jetë egzekutori i një urdhëri banditesk kryeministror për të kontrolluar dosjen në proces hetimi në ngarkim të Damir Fazliç; siç e do puna e siç e do ligji, njerëzit e këtij bandilli me pushtet kanë mbetur me gisht në gojë përballë vendosmërisë ligjore të prokurorëve, por është mjaft tentativa për të arritur në përfundimin që ky pushtet është i zgjidhur nga skrupujt, e që brenda këtij pushteti ekzistojnë qoftë vullnete të prishura e të rrezikshme në komandë, qoftë vullnete gregarësh pa ndërgjegje.

Dhe një gregar i tillë pa ndërgjegje është dhe ministri Nishani, i cili mori përsipër të bëjë shoqërimin policor gati protokollar e plot salltanete të njeriut, i cili dy ditë më parë e gjeti veten nën prangat e policisë së shtetit të vet. Në ekranin e televizorit ne të gjithë pamë se si lëvizte Fazliç-i nën mbikqyrjen e nën vëmendjen e tendosur të policëve të republikës së Viçidolit (thonë që policia e shtetit është e mbushur me djem e burra, që kanë të njëjtën origjinë me atë të kryeministrit). Dhe ky birbo, jo vetëm e mohoi këtë ngjarje që u shfaq ekraneve, por pati kurajon e pacipësinë të padisë (sërish me urdhër, kuptohet) ata prokurorë që kanë dashur të marrin në pyetje mafiozin putativ, që quhet Damir Fazliç, e që është miku për kokë i kryeministrit mafioz, Sali Berisha ( e çuditshme: janë vetëm dy raste, në të cilat dihet që Berisha të ketë thënë për dikë, se "është miku i tij"; i pari është një kongressman amerikan, me emrin James Trafficcant, i cili u përball me një proces penal në ngarkim të tij, dhe i dyti është ky palluqja ballkanike me emrin Fazliç, i cili është pasuruar gjatë tre viteve të fundit me po atë ritëm frenetik që është pasuruar dhe familja Berisha).

Ja pra, deri ku kanë arritur këta sejmenë! Nesër do të guxojnë të shkojnë edhe ca më tutje, me synimin ose për t‘i izoluar, ose për të çbërë nga themelet, ato pak institucione shtetërore e kushtetuese që po i bëjnë një rezistencë ku diskrete e ku të lavdërueshme hordhive të Sali Berishës. Këto institucione nuk duhen lënë vetëm. Të gjithë, opozita politike, shoqëria civile, mass-media, etj, duhet t‘u gjendemi pranë këtyre institucioneve, e kështu edhe do të mund t‘i motivojmë më shumë ato në betejën që po zhvillojnë, edhe do të mund t‘i mbrojmë nga goditjet që po përgatisin të tjerët për ta. Ato janë shpresa jonë e vetme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›