Frikë edhe për konviktet, vatra infeksioni të gripit
Ndonëse viti akademik nis në tetor, vatër për përhapje të epidemisë së gripit janë edhe konviktet. Specialistët këshillojnë që studentët që do të jetojnë në këto ambiente duhet të jenë shumë të kujdesshëm në lidhje me sendet e tyre personale. “Ata duhet të mos i ndajnë me të tjerët, duke filluar që tek luga, piruni dhe deri te peshqirët, furçat e dhëmbëve apo dhe krevati. Edhe dhoma duhet të mbahet sa më pastër, – p.sh., dyshemeja duhet të lahet disa herë në ditë me dezinfektuesit e zakonshëm”, theksojnë epidemiologët. Ata shprehen se nuk duhen neglizhuar shenjat e gripit dhe personat që i shfaqin duhet të paraqiten menjëherë te mjeku. “Nëse kanë temperaturë, këputje, dhimbje koke, duhet të konsultohen me specialistët. Qendra shëndetësore e Qytetit Studenti dhe e konvikteve të tjera duhet të jetë në vigjilencë maksimale dhe të raportojë nëse ka fluks rastesh me këto simptoma”, shprehen mjekët. Ndërkaq po orientohen drejtuesit e këtyre ambienteve për të rritur kushtet e higjienës. “Por ndërgjegjësimi duhet të jetë individual, studentët duhet të lahen sa më shpesh dhe të bëjnë kujdes me higjienën personale”, thonë specialistët.