E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: Nëse kemi epidemi gripi, do mbyllen shkollat

 

Zirina Llambro

Numri të prekurve nga gripi shkon në 30, ndërsa epidemia është në prag. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik pranojnë se në shtator do kemi një rritje të ndjeshme të numrit të të prekurve. Madje, nëse virusi përhapet ashtu siç ka paralajmëruar OBSH, rrezikohen të mbyllen shkollat e kopshtet. Rasti i fundit i zbuluar dje me virusin AH1N1 mëshohet se është një grua 53- vjeçare nga Durrësi. Konfirmimi erdhi nga laboratorët e Rumanisë. Gjithashtu ISHP bën me dije se priten përgjigjet edhe për 9 persona të tjerë të dyshuar, të cilët kanë dalë pozitivë për virusin A. Mjekët paralajmërojnë për komplikacione në popullatë dhe kërkojnë kryerje të vaksinës së gripit të zakonshëm. Por as nga ky kontingjent nuk ka në treg, pasi kërkesat në botë kanë qenë të larta. Burime të sigurta nga Ministria e Shëndetësisë pranojnë se përpara dhjetorit është thuajse e pamundur të blihet një sasi dozash të vaksinës kundër AH1N1. “Ndërsa sa i përket asaj të gripit të zakonshëm, jemi në tratativa me kompanitë private farmaceutike”, saktësuan burimet. Në të tilla kushte, shqiptarët janë dy herë të pambrojtur nga sëmundja. Këtë fakt e pranojnë edhe vetë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. “Së paku të fillojë vaksinimi në kohën e duhur ndaj gripit stinor sepse kjo lehtëson punën për mbrojtjen e shëndetit, por edhe punën e personelit mjekësor ‘për të luftuar’ me dy viruse njëkohësisht, atë të gripit stinor dhe H1N1", thonë ata.
Mbyllja e shkollave
Viti i ri shkollor do të nisë më 14 shtator, por ndërprerja apo vazhdimësia e tij do të jetë në vartësi të situatës gripale në vend. Këtë pohojnë specialistë të ISHP. “Grumbullimi masiv është një shans i mirë për virusin, i cili transmetohet më shpejt. Ne do ta ndjekim situatën hap pas hapi, nëse do të ketë ndonjë situatë shqetësuese, do të marrim veprimet përkatëse ku nuk përjashtohet asnjë nga masat që janë të listuara për mënyrën e ndalimit të përhapjes së infeksionit. Ne nuk mund ta përballojmë dot të vetëm këtë situatë. Edhe vetë MASH duhet të ketë programet e veta se si duhet të veprojë në situata të tilla”. Këtë deklaratë bëri dje shefi i epidemiologjisë në ISHP, Dritan Ulqinaku. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë bëjnë me dije se janë marrë masa në mënyrë që të parandalohet përhapja e një pandemie në shkolla. Sipas dy ministrive, të gjitha shkollat e vendit do raportojnë në rast se ka mungesa masive dhe në një situatë të tillë, ato  do të mbyllen për të evituar përhapjen në masë të virusit. Madje këto dikastere po nxjerrin urdhrat përkatës, në mënyrë që drejtorët e shkollave dhe mësuesit të jenë më të qartë për masat që do marrin dhe rekomandimet që do t’i bëjnë nxënësve. “Janë një sërë këshillash që kryesisht kanë lidhje me higjienën që do listohen në broshura të caktuara në mënyrë që informacioni të jetë i bollshëm, për mësuesit, prindërit dhe vetë nxënësit”, shprehen burimet nga dikasteret përkatëse.

Del nga koma 44-vjeçari i sëmurë
Del nga koma pacienti 44-vjeçar, i shtruar në sanatorium. Ai është paraqitur në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi është i sëmurë kronik. Pas trajtimit paraprak, analizat rezultuan pozitive për gripin e derrit. Virusi ndikoi në përkeqësimin e tij, duke e çuar në një gjendje kritike për jetën. Por pas disa ditësh trajtimi, i sëmuri është përmirësuar. Këtë lajm e konfirmoi dje mjeku Arben Hatibi, i cili po merret me kurimin e tij. Mjeku tha se gjendja e pacientit është përmirësuar dhe ai ka lënë sallën e reanimacionit, ndërkohë që vazhdon të mbahet i izoluar në pavijon. Mjeku Arben Hatibi thotë se pacienti edhe pse ka kaluar situatën virusale, ai po kurohet pasi vuan dhe nga insuficensa e mëlçisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›