Frikë nga Ballistët

Ndeshja e kthimit ndërmjet Shkëndijës dhe Partizanit, e cila do të zhvillohet të martën e ardhshme në Shkup, pritet të jetë shumë e nxehtë.
Tetovarët vështirë se mund të rrezikojnë kualifikimin e ekipit serb në rrethin e tretë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve pas humbjes së thellë në Beograd (4:0), por këtë takim të nxehtë pritet ta bëjnë tifozët tetovarë ‘Ballistët’.
Një ditë pasi klubi i Partizanit i ka lutur tifozët e vet në Maqedoni që mos t’ia mësyjnë stadiumit të Shkupit, portali serb Kurir.rs ka raportuar të premten se tifozët shqiptarë duan të hakmerren në mënyrë të tmerrshme për fyerjet e shumta që ‘Grobari’ ua kishte bërë futbollistëve të Shkëndijës në Beograd gjatë gjithë ndeshjes, duke kënduar këngë fyese për shqiptarët.
Madje, sipas këtij portali, ‘Ballistët’ po përgatiten për ta ‘përgjakur’ ditën e martë me gjakun e atyre tifozëve që do ta kenë guximin për t’ia mësy stadiumit për ta mbështetur Partizanin. Këtë raportim Kurir.rs e ka bërë pasi i ka monitoruar disa shkrime të tifozëve shqiptarë nëpër forume të ndryshme në internet.
Ndërkohë, vetë prijës të ‘Ballistëve’ kanë deklaruar se Partizanin do ta presin në Shkup ashtu siç ishte pritur Shkëndija në Beograd nga ‘Grobari’, duke aluduar se do t’i fyejnë njëjtë bardhezinjtë siç i kishin fyer kuqezinjtë nga tifozët serbë, të cilët u kishin kënduar këngë fyese për shqiptarë si: ‘Kush nuk kërcen është shqiptar’, ‘Mbyte shqiptarin’, etj.
Me marrëveshjen mes dy klubeve, tifozët tetovarë nuk ishin lejuar të udhëtonin drejt Beogradit për ndeshjen e parë. Sipas marrëveshjes, as tifozët e Partizanit ‘Grobari’ nuk do të lejohen të udhëtojnë drejt Shkupit në ndeshjen e dytë, me qëllim që të evitohen ekseset e mundshme.
Kërkojnë të dënohet Ilir Elmazovski
Futbollisti i Shkëndijës, Ilir Elmazovski, fyerjeve ndaj shqiptarëve të tifozëve serbë në Beograd iu kishte kundërpërgjigjur duke ua treguar atyre gishtin e mesëm. Serbët tani shpresojnë që futbollisti i ekipit shqiptar të dënohet nga UEFA për atë veprim të tij. Sipas mediave serbe, delegati i ndeshjes i dërguar nga UEFA do ta raportojë veprimin e Elmazovskit.
“Ne nuk do të merremi me të. Në lojë kishte shumë zyrtarë kompetentë dhe unë besoj se ata do ta bëjnë punën e tyre dhe ne si një klub nuk duam të ndërhyjmë në punët e atyre zyrtarëve”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Partizanit, Darko Grubor.