Trepçës i del gjumi
Trepça është zgjuar nga gjumi. Pas një sezoni me telashe, kryesisht të natyrës financiare, gjelbërezinjtë duket se i kanë tejkaluar problemet me të cilat u ballafaquan gjatë kampionatit të kaluar.
Ekipi mitrovicas po përgatitet intensivisht për edicionin e ri, i cili nis në muajin gusht. ‘Xehetarët’ tashmë kanë arritur t’i sigurojnë shërbimet e tre futbollistëve nga Shqipëria, të cilët fillimisht i kishte testuar gjatë një turneu të mbajtur në Austri, ku kishte marrë pjesë edhe Trepça.
Kryetari i këtij klubi, Nexhmedin Haxhiu, ditëve të fundit ka qëndruar në Shqipëri me ç’rast i ka bindur tre futbollistë që të vijnë në Mitrovicë. Fjala është për sulmuesin Bledar Perfati (Luftëtari) dhe dy mesfushorët Jasir Rrustja (Besëlidhja) e Senad Lekaj (Ada Velipojë).
“Kryetari Haxhiu nga Shqipëria më konfirmoi se ka arritur marrëveshje përfundimtare me tre futbollistët. Ata lojtarë më patën pëlqyer në turneun në Austri dhe i pata sugjeruar kryetarit t’i transferojë në klubin tonë, pasi ata ishin lojtarë të lirë”, deklaroi për Express trajneri i Trepçës, Fidaim Haxhiu.
Sipas tij, Nexhmedin Haxhiu është në fazën finale të bisedimeve edhe me futbollistin tjetër nga Shqipëria, mbrojtësin anësor Suad Kaloshi.
Ndërkohë, sipas trajnerit mitrovicas, në stadiumin ‘Adem Jashari’ sipas të gjitha gjasave do të ndalen edhe Shpëtim Babaj, Afrim Mziu dhe Liridon Ahmeti.
“Thuajse veç kemi arritur marrëveshje me Babajn dhe dy ish futbollistët tonë Mziun e Ahmetin. Me këta tre lojtarë ka mbetur vetëm të nënshkruhen kontratat”, u shpreh Haxhiu i cili tregoi se të hënën skuadra do t’i nisë përgatitjet për sezonin e ri.
“Deri më tani asnjë lojtar prej atyre që i kishim në sezonin e kaluar nuk na ka konfirmuar largimin nga ekipi. Kjo do të dihet shpejt, edhe pse nuk besoj se do të largohet ndonjëri nga ta”, theksoi ai.
Me këto përforcime, përkatësisht me këtë riorganizim, Haxhiu beson se Trepça në edicionin e ri do të jetë një kundërshtare e fortë për ekipet tjera të Superligës, ndoshta konkurrente për të fituar trofe.
“Synimi ynë kryesor është ndërtimi i një ekipi të fortë dhe të qëndrueshëm. Me këto përforcime do të mundohemi të pozicionohemi në ndonjërën prej pozitave të para të tabelës. Por, nëse na jepet rasti, pse mos të luftojmë edhe për titull të kampionit”, përfundoi ai.
Sezonin e kaluar Trepça e kishte përmbyllur duke u pozicionuar në vendin e tetë, me 42 pikë të tubuara.