E Diel, 1 Nëntor 2026

Frikë nga epidemia e ujit, një grup inspektorësh nisin monitorimet

Zonat e përmbytura, përveç dëmeve të shkaktuara ekonomike, rrezikojnë të preken edhe nga rënia e një epidemie për shkak të ndotjes së zonës. Rreziku më i madh i rënies së epidemisë mund të vijë nga ndotja e ujit të pijshëm si pasojë e përmbytjeve të tokave. Për këtë arsye, dy grupe specialistësh të lartë nga Instituti i Shëndetit Publik janë nisur dje drejt zonave të Lezhës e Shkodrës. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, tha se grupi i specialistëve, i nisur drejt Lezhës, do të monitorojë për tri ditë me radhë situatën e ujit të pijshëm në këtë zonë, ndërsa drejt Shkodrës, grupi i drejtuar nga Dritan Ulqinaku do të vëzhgojë nga afër situatën epidemiologjike në zonë, për të shmangur në kohë një katastrofë të dytë që mund të vijë si pasojë e shpërthimeve epidemike. Alban Ylli u shpreh se të dyja grupet do të kontaktojnë me specialistët e Shëndetit Publik të zonave për të shkelur terrenin e parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet e mëdha të këtyre ditëve. “Ndotja e ujit të pijshëm është ajo çfarë na shqetëson më shumë, pasi nga përvojat e kaluara dimë se në raste të tilla përmbytjesh, ujërat e zeza bashkohen me ato të bardha dhe krijojnë vatra infeksioni”, - theksoi drejtori i ISHP-së. Deri tani s’ka asnjë të dhënë se mund të ketë shpërthime epidemike të krijuara, por është udhëzuar nga specialistët të marrin mostra të ujit për t’i analizuar ato në laboratorin e ISHP-së.

9 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›