E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Shkodër: “Prokuroria të hetojë përgjegjësit kryesorë të situatës”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka inspektuar dje nga afër zonat e përmbytura në Shkodër. Pasi ka parë në vend situatën e krijuar dhe pas kontakteve me banorë të zonës, kreu socialist nuk ka ngurruar të drejtojë gishtin mbi përgjegjësit, sipas tij, të kësaj tragjedie, që është paaftësia dhe keqmenaxhimi i situatës hidrike. Sipas tij, përmbytjet mund të ishin shmangur ose minimizuar nëse prurjet do të ishin kontrolluar. Rama tha se opozita do të kërkojë nxjerrjen e përgjegjësve për këtë katastrofë. Në mënyrë të përsëritur, Rama i ka bërë thirrje prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, që të marrë çdo masë konform ligjit, për të hetuar këtë katastrofë, me qëllim nxjerrjen në pah të përgjegjësve kryesorë. Kryesocialisti Rama ka ngritur një shtab emergjence, i cili do t’u vijë në ndihmë njerëzve të dëmtuar që kanë nevojë për ushqime dhe ndihmë financiare. Ai sqaroi për opinionin publik se opozita nuk ka hapur panik për situatën, por, sipas Ramës, është kryeministri ai që përhap panik në prononcimet për mediat.
Deklarata
Partia Socialiste ka bërë përgjegjëse drejtpërdrejt keqqeverisjen e kryeministrit Sali Berisha. Gjatë inspektimit të zonës në Shkodër, Rama tha se PS-ja do të insistojë për nxjerrjen e përgjegjësve. “Situata e tillë e përmbytjeve mund të ishte shmangur me kontrollimin e prurjeve. Por kjo katastrofë e pakontrolluar erdhi nga keqqeverisja. Situata nuk u menaxhua mirë, prandaj do të kërkojmë nxjerrjen e përgjegjësve”, - tha Rama.
Kryesocialisti sqaroi se opozita nuk ka hapur panik për situatën. “Një gjë është e sigurt, se opozita nuk ka hapur panik, por fatkeqësisht vendi ka një kryeministër që gënjen. Vazhdoj të theksoj se duhet të krijohet një rrjet kombëtar solidariteti. Katastrofa në Veri nuk është natyrore, por si rrjedhojë e korrupsionit të qeverisë. Kjo që ndodhi, është një arsye më shumë për largimin e Sali Berishës”, - tha Rama nga Shkodra.
Apeli për ndihmë
I ndodhur në Shkodër, aty ku banorët qëndronin nën ujë e në qiell të hapur, Rama bëri apel për ndihmë financiare ndaj banorëve të goditur nga kjo katastrofë. “Bëj apel për ndihmë financiare për banorët e zonave të përmbytura. Thirrja ime shkon edhe për të gjithë emigrantët që mund të kontribuojnë për të lehtësuar sadopak këtë katastrofë njerëzore”, - u shpreh Rama. Ai i ka ftuar të gjithë shqiptarët që të solidarizohen për të dhënë kontributin e tyre financiar për banorët e Shkodrës. Lideri socialist ka parë nga afër situatën e vështirë të banorëve të fshatrave, ku banorët lëviznin me motobarka, duke mos i lënë shtëpitë e tyre në mëshirë të fatit, pavarësisht rrezikut të madh që u kanosej. Siç ka deklaruar kryetari i opozitës, PS-ja ka ngritur një shtab emergjence, i cili do t’u vijë në ndihmë njerëzve të dëmtuar me ushqime dhe në para. “Inspektuam zonat e përmbytura dhe vumë re se banorët janë mes ujit e në qiell të hapur. Kemi ngritur një shtab, i cili do të funksionoj këtu, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur. Siç shihet, kjo përmbytje nuk është rrjedhojë e një katastrofe natyrore”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “ftojmë shqiptarët të solidarizohen, duke u dhënë ndihmën e tyre financiare banorëve të përmbytur. Ftoj edhe emigrantët të sensibilizohen, ndërkohë që theksoj se katastrofa erdhi nga keqqeverisja”.

Shamku: “Prej 4 muajsh familjet e mësuesve nuk marrin pagat”

Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku, dje i ka rikujtuar kryeministrit Sali Berisha rrogat e padhëna të mësuesve me kontratë. Shamku tha se kryeministri Berisha po mban peng djersën e shqiptarëve. “Në këto momente, kur vendi ka rrëshqitur në një situatë parashtetërore, në këto raste kur Shqipërinë tonë e ka kapluar pasiguria dhe kur kryeministri Pinok, që ka lënë në dorë të Zotit dibranët e prekur nga tërmeti i vitit të kaluar, ndërkohë u premton fatkeqve rimbursim deri në qindarkën e fundit, ky palo kryeministër po mban peng djersën e shqiptarëve. Në xhepat e tij të errët sot gjenden të kyçura paratë e një pjese të rëndësishme të administratës, ku, si gjithnjë, më të prekurit janë mësuesit”, - u shpreh Shamku. Deputetja Shamku nënvizoi se janë 4 muaj rrogë e mësuesve që Berisha po ua mban peng. “Pas një muaji po denoncojmë sërish Sali Berishën, i cili vijon të mos u japë rrogat gjithë mësuesve me kontratë. Dhe nuk flitet këtu për gjysmë, një apo dy rroga; në fakt tash po bëhen thuajse 4 muaj që gjithë kjo shtresë mësuesish nuk merr rrogë, pra i mohohet djersa dhe gjaku i tyre”, - tha Shamku, duke shtuar: “Kështu, ka thuajse 4 muaj që gjithë këta burra e gra janë futur në kontingjentin e atyre që luftojnë për të mbijetuar; dhe mbijetesa e tyre, sikundër e shumë shtetasve të tjerë, kërcënohet nga abuzimi me financat publike”.

9 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›