E Diel, 1 Nëntor 2026

Frikë nga kamerat

Vëzhgimi i procesit të numërimit të votave nëpërmjet disa kamerave dhe monitorëve, nga Partia Demokratike cilësohet si një vullnet politik për t’i dhënë transparencë të plotë procesit zgjedhor. Bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Ilir Rusmali, thotë për “Korrierin”, se një mënyrë e tillë është një teknikë e realizueshme për vendin tonë në të gjithë aspektet, prandaj është vendosur aplikimi i kësaj metode, në mënyrë që të gjithë subjektet politike të mund të shikojnë numërimin e votës së tyre. “Është një teknikë që ne kemi vendosur ta aplikojmë. Nuk është se e kemi huazuar. Nuk di të them nëse ka vende të tjera që e përdorin këtë metodë, por mund të them se, për sa kohë kemi mundësi që të përdorim kamerat, të regjistrojmë dhe të përdorim monitorë, pse të mos e bëjmë! Ky është vullnet politik, vullnet për t’i dhënë transparencë procesit”, thotë bashkëkryetari demokrat. Këtë ide të re për vendin tonë, parimisht e mbështesin edhe partitë aleate të djathta që nuk kanë komisionerë, megjithatë edhe në këtë rast qarkullojnë “hijet e dyshimit”. Kryetari i grupit parlamentar agraro-ambientalist, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Petrit Gjoni, thotë se një mënyrë e tillë e numërimit të votave nën monitorimin e kamerave është një mënyrë e saktë në rast se realizohet me përpikmëri. Megjithatë, Gjoni hedh dyshimet se mos ditën e numërimit të votave “fiken dritat ose prishen monitorët” dhe votat duhet të numërohen vetëm nga komisionerët e partive të mëdha, pa i parë askush. “Për sa i përket mënyrës së numërimit nëpërmjet vëzhgimit nga një monitor, ne kemi një përvojë shumë të hidhur për sa u përket këtyre problemeve. Kam frikë se ditën e numërimit të votave mos nuk do të ketë drita, ose mos do të na prishen monitorët. Kështu që nuk do të ishte normale diçka e tillë”, thotë Gjoni. Ndërkohë, ai thotë se duhej që të gjitha partitë parlamentare të përfaqësoheshin me një komisioner në grupet e votimit dhe të numërimit. Ndërkohë, edhe deputeti dhe nënkryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis, thotë se siguria e kamerave elektronike duket nga insistimi i LSI-së deri në grevë urie, duke lënë të kuptohet se nuk është dakord me këtë mënyrë. Solis thotë se e beson sistemin në rast se do të ketë tre komisionerë jopartiakë nëpër komisione, që mund të jenë financierë ose bankierë. Po ashtu, edhe kreu i Lidhjes Demokristiane Shqiptare, Nikollë Lesi, i cili do të futet në zgjedhje për herë të parë si kryetar partie, e mbështet idenë e vëzhgimit nëpërmjet  kamerave, duke thënë se kjo mënyrë e garanton atë. Duket se vetë Lesi, ndryshe nga partitë e tjera të vogla, nuk ka ndonjë pretendim për të pasur anëtarin e tij në komisione. Ndërkohë, sipas përcaktimit që është bërë në kodin e ri zgjedhor, numërimi i votave do të bëhet nën vëzhgimin e kamerave dhe partitë e vogla do të kenë mundësinë të shikojnë numërimin e votës së tyre nëpërmjet monitorëve që do të vendosen në qendrat e numërimit. Në rast se ndonjë parti ka ndonjë kontestim gjatë numërimit, ai kontestim do të merret parasysh menjëherë. Pavarësisht se një mënyrë e tillë siguron transparencë, partitë e vogla ngulmojnë sërish që të kenë një anëtar nëpër komisione, në një kohë kur rekomandimi i OSBE/ODIHR-it është qartësisht kundër kësaj ideje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›