12 deputetë në grevë urie

Të zgjedhurit e LSI-së dhe të PDK-së u ngujuan mbrëmë në sallën e Kuvendit, ndërsa jashtë simpatizantët vijuan protestat
Dymbëdhjetë deputetë nga forcat e vogla në pozitë dhe në opozitë filluan mbrëmë rreth orës 19 grevën e urisë, për të kundërshtuar miratimin e kodit të ri zgjedhor vetëm me votat e Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste. Nismëtarë të grevës janë Lëvizja Socialiste për Integrim e ish-kryeministrit Ilir Meta dhe Partia Demokristiane e ish-ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka. Meta tha se kryetarët e partive të mëdha, Sali Berisha dhe Edi Rama, veprojnë me mënyra antidemokratike dhe antikombëtare, kurse Ndoka ftoi deputetët t’i bashkohen grevës.Deputetët e LSI-së dhe të PDK-së thanë se e nisën grevën e urisë në mbrojtje të votës së lirë. Të 12 deputetët u ngujuan në sallën e seancave plenare. Të ngujuarit nga LSI-ja janë kryetari Ilir Meta, zëvendëskryetari Pëllumb Xhufi, nënkryetari Dritan Prifti, Spartak Braho, Ndre Legisi e Nikollaq Neranxi. Nga demokristianët në grevë urie hynë kryetari Nard Ndoka, Jak Ndokaj, Frrok Gjini, Ymer Tola e Ndue Shpani. Pjesë e grevës është edhe kryetari i PS 91-shit, Petro Koçi. Ndërsa nuk janë pjesë e grevës kryetari i PDS-së, Paskal Milo dhe ai i PAD-së, Neritan Ceka. Sakaq, deputeti Dritan Prifti do të jetë si grevist edhe ndërmjetës me ndërkombëtarët dhe me median. Nga grupi parlamentar demokristian mungon ish-deputeti i PD-së, Gilman Bakalli, që iu bashkua këtij formacioni politik në fillim të këtij sesioni parlamentar. Burime nga partitë që kanë nisur grevën e urisë shprehen se, si Gilman Bakalli ashtu edhe Spartak Ngjela, madje edhe deputeti PD-së, Besnik Mustafaj, janë në mbështetje të tyre, ndonëse nuk janë bërë pjesë e grevës që ditën e djeshme. Greva ishte paralajmëruar prej ditësh nga krerët e dy partive e përfaqësues të tjerë, por fillimi i saj që pas seancës e djeshme ishte i paparashikuar. Përfaqësuesit e të dyja partive që kanë nisur grevën janë kundër ecurisë së deritanishme të hartimit të kodit të ri zgjedhor dhe janë shprehur se do të vijojnë këtë formë proteste deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Që gjatë seancës plenare si Meta, ashtu edhe Ndoka shpallën nisjen e grevës. “Ky është momenti, që të gjithë shqiptarët të reflektojnë dhe të reagojnë në mbrojtje të votës së tyre të shenjtë”, - tha kreu i LSI-së, në fjalën e mbajtur në seancë. “Kuvendi duhet të zgjedhë mbrojtjen e Kushtetutës ose poshtërimin ndaj dyshes Berisha-Rama. Me kodin e ri zgjedhor i jepet një goditje e rëndë Kushtetutës së vendit, procesit të integrimit në BE dhe votës së lirë. Berisha nënshtroi partitë politike, demokracinë tonë, gjithçka që ne kemi arritur këto 18 vite, dhe për fat të keq, pjesë e tij është bërë edhe Rama. Berisha po i bën atentat demokracisë në Shqipëri, duke kërkuar me çdo kusht eliminimin e PDK-së”, - tha ish-ministri i Shëndetësisë. Sipas përfaqësuesve të të dyja partive, përmes kodit të ri zgjedhor synohet vjedhja e votës së popullit. Por veç deputetëve që ndodheshin brenda ambienteve të Kuvendit, përpara derës kryesore ishin dje në mbrëmje edhe simpatizantët e të dyja partive politike. Disa me këmbë e disa të ulur në asfalt, ishin në mbështetje të iniciativës së deputetëve. “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” dhe “Jo diktaturës!” ishin dy nga thirrjet më të shpeshta të protestuesve. Që në mesditë, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, i tha “Korrierit”, se nga partia ku ai bënte pjesë do të vijonte, ndoshta edhe në seancën e djeshme, greva e urisë. Falë grevës, deputetët e të dyja partive kërkojnë të dëgjohen kërkesat e tyre, e Meta ka paralajmëruar një dhjetor të dytë, të ngjashëm me atë të rrëzimit të diktaturës komuniste. Ilir Meta Nard NdokaPetro KoçiNdre LegisiSpartak BrahoDritan PriftiFrrok GjiniJak NdokajNikollaq NeranxiPëllumb XhufiNdue ShpaniYmer Tola