E Shtunë, 31 Tetor 2026

Standarde, jo firma pirate, më shumë kompetenca

Shoqata e Ndërtuesve thotë se tragjedia e Gjirokastrës është “kambana e vdekjes” që duhet të kthejë vëmendjen e çdokujt ndaj mungesës së respektimit të rregullave të sigurimit teknik, si dhe të licencimit të disa profesioneve që janë pjesë e rëndësishme e procesit tërësor të një veprimtarie ndërtimi. Nëndrejtori ekzekutiv, Ilir Hebovija, i tha mbrëmë “Korrierit”, se Shoqata e Ndërtuesve është gati të marrë përsipër licencimin e disa profesioneve.Kriteret dhe “urdhri”Ilir Hebovija thotë se Shoqata e Ndërtuesve nuk mund të pranojë me heshtje shpërfilljen ndaj kërkesave të saj të kurdohershme, për të respektuar standardet në këtë veprimtari biznesi. Hebovija megjithëse e vërejti këtë si problem të rëndësishëm të funksionimit apo të partneritetit shtet-privat, shtoi se jo vetëm në kësi rastesh tragjedish, sikurse në Gjirokastër, duhet të kthehet vëmendja nga përmbushja e domosdoshme e kushteve apo kritereve që lidhen me dhënien e lejeve. Hebovija i tha me afërsi mbrëmë “Korrierit”, se janë pikërisht këto që ai i cilësoi si “kambanat e vdekjes”, që “të na rimbledhin e të na kujtojnë që nuk janë respektuar as standardet, as cilësia në punime, as shumë faktorë të tjerë që kanë të bëjnë me një ndërtesë”. Sipas Ilir Hebovijës, Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar me kohë që “edhe kompanitë e ndërtimit, krahas atyre që janë pjesë e shoqatës dhe që kanë pranuar t’u përgjigjen standardeve dhe cilësive të larta në ndërtim, edhe kompani të tjera duke qenë pjesë e shoqatës, duke aderuar në shoqatë, të krijojnë një lloj ombrelle nga një lloj urdhri, siç është “Urdhri i Mjekut”. Pra, të jetë një urdhër ku ato kompani që bëjnë pjesë në shoqatë të kenë e të zbatojnë këto kushte dhe rregulla dhe jo vetëm të kërkojnë, por edhe të kenë detyrime ndaj klientit, ndaj publikut”. Ai e quajti ndërkaq “fatkeqësi të paralajmëruar” tragjedinë e Gjirokastrës, së cilave sikurse u shpreh, “duhet t’u vihet fre”. Hebovija kujtoi gjithashtu, se “Shoqata e Ndërtuesve jo më kot ka kërkuar anulimin e firmave fantazmë, institucionalizimin e kompanive, të cilat kanë kryer punime me cilësi”.Kualifikimi i profesioneveIlir Hebovija tha se është e rëndësishme që të kenë licencë të ushtrimit të profesionit, qoftë për elektricistët, manovratorët apo drejtuesit e mjeteve të rënda, saldatorë, vinçierë, ekskavatoristë apo karpentierë. Hebovija i përmendi me saktësi këto profesione, duke kujtuar se nuk mund të drejtosh një mjet të rëndë nëse nuk ke licencë, ndërsa e quajti rast të ngjashëm sikur dikush t’i japë makinës pa patentë. Pa fshehur shqetësimin për disa profesione që nuk u kërkohet licenca, Hebovija tha se është shumë e nevojshme që, nëse strukturat shtetërore, përkatësisht ministria, nuk dëshiron të merret me dhënien e licencave të profesioneve, atëherë vetë shoqata do t’i marrë përsipër. “Nga profesionistët që merren me ndërtime kërkohet kualifikim shumë i madh. Pak kohë më parë qeveria hoqi disa licenca për leje ose ushtrim të profesionit, dhe një nga këto ishte leja për manovratorët e makinerive të rënda. Kjo do të thotë që një person pa pasur nevojë për patente, mund të drejtojë një makineri të rëndë, një buldozer, një vinç apo një makine tjetër të rëndë dhe të kryejë punime”, - tha Hebovija. Ai përsëriti se me heqjen e licencave nga qeveria, çdokush mund të mund të kryejë punime me makineri të rënda, pa qenë i kualifikuar apo pa qenë i matshëm kualifikimi i tij për këto lloj punimesh. Ndaj, ai tha rishtazi se Shoqata e Ndërtuesve kërkon që të mos kujtohet kurrkush vetëm në raste fatkeqësish për të nxitur respektimin e masave të sigurimit dhe të përgjegjësisë në punë apo në tërësi të sigurimit teknik. “Por, - vijoi Hebovija, - duhet t’i paraprijmë, duke i dhënë më shumë përgjegjësi dhe në qoftë se ministria dëshiron t’i heqë nga vetja këto lloj licencash, Shoqata e Ndërtuesve është e gatshme t’i marrë përsipër dhe ka bërë kërkesë të vazhdueshme për t’i marrë përsipër me të gjithë kapacitetet që duhen, me gjithë përgjegjësitë për licencimin e këtyre profesioneve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›