E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frikë nga zjarret e verës, kërkohen zgjidhje urgjente

Pas publikimit të raportit të Bashkimit Evropian për klimën, se Shqipëria është një nga vendet e rajonit që do të vuajë pasojat nga zjarret, në Prefekturën e Fierit është organizuar dje një takim për marrjen e masave në prag të sezonit të verës. "Bashkëpunimi institucional është siguri për mbarëvajtjen e punës në kuadër të mbrojtjes nga zjarri". Kjo ka qenë porosia e ministrit të Mjedisit, Lufter Xhuveli, dhënë në aktivin rajonal për mbrojtjen nga zjarri të zhvilluar ditën e enjte në Fier.

Duke qenë se stina e verës është fare pranë, dhe ditët e nxehta kanë nisur tashmë, Ministria e Mjedisit ka ndërmarrë këtë aktivitet sensibilizues, por dhe informues, për të vënë në lëvizje gjithë strukturat vendore, si ato të shërbimit pyjor, por dhe vetë pushtetin vendor. Ajo që u vu në dukje nga vetë ministri Xhuveli, ka qenë bashkëpunimi ndërinstitucional në rrethe, i cili një vit më parë, edhe pse me një rritje ndërgjegjshmërie, ka pasur mangësi.

"Duhet më shumë bashkëpunim mes institucioneve shtetërore. Të gjitha strukturat, si ato të shërbimit pyjor, njësitë e qeverisjes vendore, shërbimet zjarrfikëse dhe çdo instancë tjetër ndërlidhëse, duhet të kenë një bashkërendim të punëve dhe një ndërgjegjësim për masat e ndërmarra nga zjarri në mbrojtje të pyjeve, pasi ato janë pasuria jonë dhe siguria për një ambient më të pastër dhe më të shëndetshëm. Shtimi i këtij bashkëpunimi do të jetë siguria jonë në mbarëvajtjen e punëve dhe për të mbrojtur ‘mushkëritë‘ e vendit tonë", ka thënë ministri Xhuveli, në fjalën e tij drejtuar këtij aktivi. Ndërkohë, në fjalën e tyre, përfaqësuesit e reparteve të mbrojtjes nga zjarri në pothuaj të gjitha qarqet e vendit kanë kërkuar investime në mjete dhe në bazë materiale. Veçanërisht përfaqësuesi i Fierit, Xhevat Mërnica, i cili ka thënë se vetëm dy nga mjetet zjarrfikëse të Fierit janë në funksion. Në këtë takim kanë qenë prezent drejtuesit e 7 qarqeve të jugut të vendit, duke nisur nga Elbasani, Korça, Gjirokastra, e deri në Sarandë, Berat, Vlorë dhe Fier. Problemet e ngritura në këtë takim të zhvilluar nga drejtuesit e shërbimeve pyjore në jugun e vendit kanë qenë pikërisht mungesa e një bashkëpunimi serioz me pushtetin vendor. Ky bashkëpunim në vitet e mëparshme, por dhe një vit më parë, sipas të gjithë drejtuesve të shërbimit pyjor, është parë me skepticizëm, duke mos e bërë aq produktive punën, edhe pse një bashkëpunim i tillë ka ardhur duke u rritur.

Në këtë aktivitet, përveç përfaqësuesve të lartë të Ministrisë së Mjedisit, 30 drejtues rajonalë të drejtorive të shërbimit pyjor, kanë marrë pjesë dhe përfaqësues të lartë të pushtetit vendor, si dhe prefekti i Qarkut Fier, Shahin Bejdaj.

Fieri për vitin 2008 shënoi rastet më të mëdha të rënies së zjarrit në rang vendi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›