E Shtunë, 31 Tetor 2026

Invalidët fierakë licencohen nga ministria

Duket se ka marrë fund beteja ligjore mes invalidëve të Fierit dhe qendrës. Më në fund, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka vendosur jo vetëm të njohë, por njëkohësisht edhe të licencojë Shoqatën e Invalidëve për të vepruar në Qarkun e Fierit. Drejtuesit e kësaj të fundit kanë dalë pothuaj dy vjet më parë kundër krerëve të Shoqatës së Invalidëve në të gjithë vendin, pasi shihnin tek ata padrejtësi dhe abuzime me fondet e projektet e invalidëve.

Një vendim i Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale ka njohur dhe licencuar për të ushtruar këtë veprimtari Shoqatën e Invalidëve të Qarkut Fier. Kjo e fundit ka ardhur pas proceseve maratonë të zhvilluara si në ministri, ashtu edhe në rrugë gjyqësore. Tashmë, kryetari i kësaj shoqate për Fierin, Ramiz Hoxha, shprehet se mbetet vetëm puna, mbështetja dhe përkujdesja ndaj kësaj shtrese të vuajtur të shoqërisë, siç janë invalidët, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të tyre.

"Që në vitin 2006, kjo shtresë nuk ka marrë atë që meriton, vetëm si shkak i këtyre përplasjeve. Megjithatë, ne në mënyrë të pavarur, me ndihma të vogla, i kemi ndihmuar këta njerëz në nevojë", ka thënë Ramiz Hoxha. Fieri regjistron në rang qarku më shumë se 5400 invalidë të punës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›