E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fronti opozitar, Rama "kokë me kokë" me Ngjelën

Dy ish-rivalët për kreun e bashkisë së kryeqytetit, gjashtë vjet me vonë kanë të njëjtën kauzë. Në pozicione të ndryshme e duke drejtuar dy parti politike, njëri majtas dhe tjetri djathtas, kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi kanë qëndrime të njëjta. Pas takimit me një tjetër kryetar partie që vjen nga krahu i djathtë politik, kryetari i PS-së, Rama, zhvilloi një bashkëbisedim me Spartak Ngjelën, dikur bashkëpunëtor i ngushtë i Sali Berishës dhe tani kundërshtar i tij. Burime nga takimi bënë të ditur se fokusi i bisedës ishte transparenca e këtyre zgjedhjeve për të cilën Partia Socialiste ka vendosur të bojkotojë edhe Parlamentin. Në fund të bisedës kryetari në detyrë nuk dha asnjë prononcim për mediat, ndërsa Ngjela është larguar përmes një tjetër daljeje. Më parë, Ngjela është shprehur "pro" Partisë Socialiste në qëndrimet e saj për zgjedhjet duke kërkuar që të ketë transparencë. Takimi vjen në kuadër të sensibilizimit dhe bashkimit të shumë faktorëve, majtas apo djathtas, shoqërisë civile, grupeve të interesit etj., për të kërkuar që të bëhet transparenca e zgjedhjeve. Veç krerëve të së majtës, kryetari i Partisë Socialiste ka zhvilluar një takim edhe me kreun e PDK-së, Nard Ndoka. Partia Demokristine ka deklaruar më parë se PD ka manipuluar zgjedhjet dhe votat e partive të së djathtës janë numëruar si vota të saj. PDK kontestoi rezultatin zgjedhor në Qarkun e Shkodrës, duke pretenduar se aty PD i ka marrë një mandat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›