Rama: Nëse falim 28 qershorin, falim edhe zgjedhjet e ardhshme
Dy kandidatët për kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe Maqo Lakrori janë ndalur në qytetin e Korçës për të shpalosur platformat dhe qëndrimet e tyre për drejtimin e kësaj force politike në të ardhmen. Ndryshe nga Maqo Lakrori, i cili u përqendrua në platformën e tij me pikat për solidaritetin, por edhe bashkimin e së majtës, Edi Rama edhe në Korçë është ndalur më shumë te bojkoti që opozita i ka bërë Parlamentit, duke e quajtur këtë jo një aventurë për të hequr dorë nga Parlamenti, por një nismë për të mbrojtur zgjedhjet dhe votën e lirë. "Nuk është aventurë të mos hysh në Parlament dhe të vendosësh kushte për t‘u bërë pjesë e këtij Parlamenti, aventurë është të hysh në Parlament pa kushte e ta shesësh lirinë dhe të drejtat e tua te Sali Berisha, tek Ilir Meta, te Fatos Nano dhe e gjithë kompania që kërkon ta kthejë Shqipërinë në një vend të interesave që nuk bashkohen me interesat e kombit dhe të interesave të njerëzve", nënvizoi Rama. Kandidati për kreun e PS-së, Maqo Lakrori, e ka quajtur këtë një garë serioze, ku sipas tij, partia tashmë do të jetë e anëtarësisë dhe jo më e një individi të vetëm apo e një kreu që drejton këtë forcë politike. "Unë si kandidat për kryetar jam për ndryshime të thella në statutin dhe në programin e Partisë Socialiste, në mënyrë që të parandalohet çdo krijim i kultit të individit, i një drejtuesi që pretendon se i di të gjitha, por të futet në parti parimi i konkurrimit të vlerave. Kjo synon që të ndërtojë një parti të fortë dhe jo një parti me kryetar të fortë", vlerësoi Maqo lakrori. Sipas tij, cilido që të dalë fitues në garën për kryetar partie duhet të synojë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe fitoren në zgjedhjet e ardhshme lokale nëpërmjet një të majte të bashkuar. Nga ana e tij, Rama ka renditur arsyet e bojkotit të Parlamentit ku mos hapja e kutive, sipas tij, është shkelje e garancisë së fituar me ligj, një garanci që u firmos me akordin e palëve. Sipas Ramës, opozita nuk do të shkojë në Parlament pa u plotësuar më parë kushtet, dhe kushti kryesor është hapja e kutive të votimit. "Ky kusht është një garanci fundore për një proces të rregullt. Opozita nuk po arrin ta gjejë të drejtën e saj në gjykatë, sepse këtu ka rënë drejtësia që jep drejtësi dhe sepse këtu ka rënë ligji. Në rast se ne i falim zgjedhjet e 28 qershorit, kemi falur edhe zgjedhjet që do të vijnë pas tyre dhe do të mbetemi të nënshtruar. Me këto kërkesa, opozita nuk kërkon të marrë pushtetin në tavolinë, pasi numri i mandateve tashmë ka dalë, por kërkon të dalë në dritë ajo që qëndron akoma në errësirën e kutive të votimit, për të hapur një herë e mirë epokën e transparencës së votës", theksoi Rama. Pas fjalës së Ramës, takimi është zhvilluar pa praninë e medias. J.Dhimitri