E Shtunë, 31 Tetor 2026

Supersfidat të thata, asnjë gol në Tiranë e Shkodër



Dy “finalet” e konsideruara të mëdha të javës së katërt të Kategorisë Superiore, Tirana-Besa e Vllaznia-Dinamo, u mbyllën me të njëjtin rezultat: 0-0, si në “Qemal Stafa” ashtu dhe në “Loro Boriçi”, duke mos sjellë ndryshime në kreun e tabelës. E veçanta ndodhi në takimin e kryeqytetit, kur Jetmir Sefa i Tiranës nuk konkretizoi penalltinë e fituar nga sulmuesi Enco Malindi, pas faullit të Erbim Fagut të Besës. Portieri durrsak i kavajasve, Orges Shehi, bllokoi së pari gjuajtjen e parë nga pika e bardhë nga ana e mesfushorit Sefa, e së dyti topin e rikthyer të goditur po nga Sefa. Shkumbini arriti fitoren e parë sezonale, duke mposhtur në Peqin me rezultatin minimal 1-0 Kastriotin, që luajti më shumë se 30 minuta me dhjetë lojtarë pas largimit me karton të kuq të Ylli Shametit, një ish-lojtari i peqinasve sezonin e kaluar. Golin vendimtar me vlerë tre pikë e realizoi talenti 20-vjeçar Erjon Mustafaraj në minutën 81-të. Trajneri i Shkumbinit, Kristaq Mile, tekniku beratas që zëvendësoi Gugash Maganin, tha pas ndeshjes: “Një fitore e vështirë, pasi vinim në ndeshje pas humbjes me Besën. Jemi të kënaqur me lojën e rezultatit. Këtë fitore ua dedikojmë tifozëve. A ndikoi në rezultat dalja e Shametit me të kuqe? Natyrisht, por kjo është pjesë e lojës. Do të mundohemi edhe më shumë për të ngjitur punën e ekipit. Falënderoj edhe (ish- trajnerin) Maganin për punën e bërë me skuadrën”. Shkumbini pas katër javësh u ngjit në kuotën e katër pikëve, duke iu larguar njëherësh edhe vendit të fundit.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 4, 19.09.2009, 16:00
Tirana-Besa 0-0
Skënderbeu-Gramozi 4-1
Laci-Apollonia 3-2
Vllaznia-Dinamo 0-0
Shkumbini-Kastrioti 1-0
Flamurtari-Teuta 0-3

Renditja
1.Dinamo 4 10
2.Besa 4 10
3.Skënderbeu 4 9
4.Tirana 4 7
5.Apolonia 4 6
6.Teuta 4 6
7.Vllaznia 4 4
8.Laçi 4 4
9.Shkumbini 4 4
10.Kastrioti 4 3
11.Flamurtari 4 3
12.Gramozi 4 2

Karishik: “Në Laç nuk u luajt futboll”

Laçi arriti një fitore dramatike 3-2 me Apoloninë, në një ndeshje që dhuroi emocione në fushë, por edhe reagimin e trajnerit të skuadrës fierake, Esad Karishik, se në pjesën e dytë pati shumë presion nga vendasit, që në ndonjë rast kaloi edhe në dhunë. Mbrojtësit Julian Brahjes mund t’i dedikohet plotësisht fitorja e parë e laçianeve të Stavri Nicës. Dy gola të tij, në të 25’ e 40’, e një gol nga Malo (68’). Sead Haxhibuliç (32’, me penallti) e Mlladen Brkiç (45’) ishin dhe autorët e rrjetave për Apoloninë. Trajneri i Laçit, Stavri Nica: “Ishte një fitore e vështirë, por e merituar. Ua dedikojmë tifozëve tanë, më në fund i kënaqëm”. I kundërt është reagimi i trajnerit të Apolonisë, Esad Karishik “Në pjesën e parë, gjithçka kaloi mirë, por në të dytën nuk u luajt futboll, pati presion, fyerje, por në ndonjë rast nuk munguan edhe goditjet”.

Gramozi, pa “këllqe” kundër Skënderbeut

Skënderbeu firmosi me një “poker” 4-1 fitoren thellë ndaj fqinjit të përjetshëm, Gramozit të Ersekës. Në triumfin e tretë sezonal në katër javë të luajtur, heroi absolut ishte 25-vjeçari Edi Çajku, që realizoi një “hat-trick” në minutat 8’, 30’ e 68’. Për të kompletuar fitoren mendoi kapiteni Blendi Shkëmbi (60’). Golin e vetëm për Gramozin e shënoi Sadiku në minutën 17, gol që vlejti vetëm për statistikë. Kjo është ndeshja e dytë që Skënderbeu shënon katër gola në një ndeshje, pas asaj me Laçin (4-3), duke konfirmuar efikasitetin e skuadrës. Trajneri i Skënderbeut, Gerti Haxhiu, tha pas ndeshjes: “Gramozi na vuri në vështirësi me golin e barazimit (1-1), por goli ynë i tretë duket se vendosi fatin e ndeshjes. Treguam pjekuri e maturi. Pas golit të katërt mund ta thellonim rezultatin. Objektivi ynë kryesor të sigurojmë sa më shpejt qëndrimin në Superligë”.

5-0, Partizani “pushkatohet” nga Ada

Partizani pësoi një humbje historike 5-0 me Adën në Velipojë, për javën e katërt të Kategorisë së Parë. Skuadra me 15 tituj kampionë në Shqipëri, duket se kishte shkuar për turizëm në Velipojë. Hajdari, me tre golat e tij ishte dhe protagonisti kryesor i shpartallimit të Partizanit, ndërsa në Velipojë shpërtheu festa. Të kuqtë pësuan humbjen e dytë në katër ndeshje, të dyja në transfertë, përfshirë edhe atë me Bylisin (1-0). Kamza fitoi me rezultatin e ngushtë 1-0 në supersfidën me Lushnjën, falë një goli të realizuar nga i riu i talentuar Baze në minutën e 64-t. Kjo ishte fitorja e dytë për skuadrën e drejtuar nga Petrit Haxhia, që u ngjit në kuotën e 7 pikëve. Për Lushnjën bëhet fjalë për humbjen e parë, po 7 pikë. Bylisi regjistroi një fitore të thellë 3-0 me Gramshin, duke rimarrë sërish kreun e Kategorisë së Parë. Golat për ballshiotët e drejtuar nga trajneri Ilir Spahiu mbajnë firmat e Dimos (18’), Hamzajt (21’) dhe Kules (70’).

KATEGORIA E PARE
JAVA 4, 19.09.2009, 16:30
Kamza-Lushnja 1-0
Sopoti-Skrapari 2-0
Bylis-Gramshi 3-0
Luftëtari-Bilishti 3-1
Besëlidhja-Memaliaj 3-2
Ada-Partizani 5-0
Turbina-Burreli 2-0
Pogradeci-Elbasani Të dielen

21 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›