E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori gjerman: Duhet bashkëpunim për të kaluar reformat

Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, deklaron se pozita dhe opozita duhet të gjejnë rrugët për të bashkëpunuar me qëllim të çojnë para reformat në vend. Në një intervistë televizive, kryediplomati gjerman në kryeqytet sqaroi qëndrimin e tij për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Borchardt solli në vëmendje atë pjesë të raportit ku flitet mbi procesin e numërimit të votave apo dhe rregullave të zhvillimit të fushatës elektorale. Borchardt u kujton partive politike që krahas ndryshimeve në ligjin e zgjedhjeve nevojitet shumica e cilësuar dhe për reformën në sistemin e drejtësisë. Ambasadori bëri edhe një vlerësim të kushteve të vendosura nga opozita për pjesëmarrje në Kuvend si dhe qëndrimit të mazhorancës në këtë drejtim. Gjermania është një mbështetëse e fuqishme e integrimit të Shqipërisë në BE, një qëndrim që diplomati i lartë gjerman, e ilustron dhe me mbështetjen financiare në rritje, akorduar vendit tonë. Viti i fundit ka shënuar një rritje me 100 milionë euro të mbështetjes financiare, duke e çuar volumin e përgjithshëm në 1 miliard euro. Më 2009-n është dyfishuar dhe numri i bursave të vendosura në dispozicion të shtetasve shqiptarë. Duke iu referuar aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Europian, ambasadori konfirmon mbështetjen e diplomacisë gjermane. "Pranimi i Shqipërisë në BE është një çështje e rëndësishme strategjike për të dyja vendet tona. Gjermania mbështet energjikisht integrimin e Shqipërisë në BE", thotë ambasadori. Sipas tij, "krahas kësaj shtrohet - ta quajmë - pyetja taktike, kur duhet të shqyrtohet kërkesa e Shqipërisë për anëtarësim në BE nga ministrat e Jashtëm të BE-së". Lidhur me këtë, ne tha ai, së bashku me anëtarët e tjerë të BE-së jemi shprehur, se kjo duhet të ndodhë pas përmbylljes së zgjedhjeve parlamentare dhe paraqitjes së një vlerësimi mbi zgjedhjet nga OSBE/ODIHR. "Vlerësimi mbi zgjedhjet u publikua nga ODIHR-i në mbrëmjen e 14.09.2009. Në këtë kohë, këshilli i fundit i ministrave të Jashtëm ishte tashmë duke zhvilluar punimet. Tani, ne së bashku me partnerët tanë të BE-së do të diskutojmë mbi raportin e ODIHR-it dhe më pas do të marrin një vendim lidhur me kërkesën për anëtarësim", tha ambasadori gjerman në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›