Fryhet Vjosa, prefektura e Fierit: 12 fshatra në rrezik përmbytjeje
FIER – Vetëm pak orë shi kanë mjaftuar që të dalë jashtë shtratit lumi Vjosë dhe të rrezikojë përmbytjen e qindra hektarëve zona të banuara dhe tokë bujqësore. Burimet zyrtare në Shtabin e Emergjencës pranë Prefekturës së Fierit bëjnë të ditur se lumi mund të përmbytë 12 fshatra në këtë rreth. Të gjithë banorët kanë qëndruar gjatë gjithë mbrëmjes në pritje se mos lumi del nga shtrati. Prefekti Shahin Bejdaj u ka bërë thirrje banorëve të jenë gati për një evakuim të mundshëm. “Situata është kritike, por ende nuk mund të flasim për përmbytje. Vetëm u kemi bërë thirrje banorëve që të jenë në pritje dhe në gatishmëri për çdo situatë. Ata janë njoftuar tashmë se duhet të lënë shtëpitë sapo të shohin që lumi nis të dalë nga shtrati”, - tha prefekti për mediat, duke e quajtur situatën kritike. Ai ka numëruar një sërë fshatrash që janë në rrezik evakuimi, plot 12 dhe të gjithë fshatra në zonën e Mallakastrës, Frakullës, Cakran dhe Levan, zona pranë të cilave kalon lumi Vjosë. Sipas prefektit, është mbledhur me urgjencë Shtabi i Emergjencave Civile, që po ndjek situatën, ndërkohë që ende nuk është kërkuar ndihmë për ndërhyrje, pasi specialistët dhe banorët janë në pritje. Ai ka thënë se fryrja e lumit ka ardhur në mënyrë të papritur dhe ka theksuar se do të merren masat që të mos përsëritet situata e vitit 2005. “Nëse situata do të vijojë përkeqësimin, atëherë shtabi do të njoftojë masat e radhës”, - ka thënë më tej ai. Ndërkohë, banorët e zonave janë më shumë se të alarmuar. Ata nëpër ballkone dhe oborre rrinë në pritje me sytë nga lumi, apo nga të afërm që mund t’u thonë për ecurinë. Specialistët kanë pranuar se prurjet janë të shumta, por kjo nuk lidhet me sasinë e reshjeve që bien në Fier, por në zonën e burimit, ndaj po mbahen në kontakt me Tepelenën e Gjirokastrën. Inspektori i sektorit të Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Fierit, Viron Balla, shkoi dje pasdite pranë shtratit të Vjosës, në Mifol (më pak se 20 kilometra në jugperëndim të Fierit). Pas verifikimit të terrenit ai u shpreh se banorët duhet të marrin masa emergjente në çdo rast përmbytjesh. Para 10 ditësh e gjithë Shqipëria u përfshi nga reshje shiu dhe dëbore, të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme në disa rrethe. Pati përmbytje në Fier, Lezhë, Shkodër dhe Durrës, si dhe probleme me akset rrugore të vendit dhe dy portet në Durrës dhe Vlorë.
Drino përmbyt dhjetëra hektarë tokë bujqësore
GJIROKASTËR - Reshjet e shumta të shiut të 48 orëve të fundit kanë nxjerrë nga shtrati lumin Drino, duke përmbytur disa hektarë tokë bujqësore në rrethin e Gjirokastrës, kryesisht në zonën e Lunxhërisë dhe të Dropullit. Lumi Drino shpesh ka shkaktuar probleme te fermerët gjirokastritë. Por fatmirësisht këtë herë nuk ka dëmtime në objekte private apo në rrugën nacionale. Institucionet vendore janë vënë në gatishmëri për të përballuar çdo situatë që mund të paraqitet në ditët në vazhdim. Ndërkaq, burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër thanë se rrugët kombëtare të rajonit jugor janë të sigurta për qarkullimin e automjeteve, por gjithashtu u bënë thirrje drejtuesve të jenë të kujdesshëm në zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, për të shmangur aksidentet e mundshme.
19 Dhjetor 2008