E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo premton dëmshpërblim me kushte, opozita akuzon qeverinë



TIRANË – Qeveria ka premtuar dëmshpërblimin e familjeve që iu shemb ndërtesa e tyre në fillim të nëntorit, me kushtin që të shkarkohet kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime. Ky qëndrim është artikuluar nga zëvendëskryeministri Genc Pollo në përgjigje të akuzave që lëshoi deputeti i PS-së, Vangjel Tavo, në seancën e djeshme të Kuvendit. Deputeti i zonës, Tavo, tha se qeveria nuk po ndërmerr asnjë masë për t’iu përgjigjur kërkesave të grevistëve që kërkojnë ndihmë për blerjen e shtëpive të reja. Fill pas deklaratës së Tavos ka replikuar zëvendëskryeministri Genc Pollo. Ai i ka bërë thirrje PS-së që të distancohet nga kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, i cili është përgjegjës për dhënien e lejes së ndërtimit të pallatit që u shemb. Pollo bëri të ditur se qeveria e ka miratuar vendimin për dëmshpërblimin e banorëve dhe se shumë shpejt do të nisë ky proces. “Qeveria e ka miratuar vendimin për dëmshpërblimin e qytetarëve të Gjirokastrës dhe shumë shpejt do të nisë ky proces. Por ajo që është e rëndësishme dhe ne kërkojmë që të gjenden fajtorët dhe përgjegjësit e një situate të tillë. Ajo që më shqetëson është fakti se asnjë deputet i PS-së dhe as kryetari i kësaj partie, që trumbeton në emër të politikës së re, nuk ka thënë asnjë fjalë për kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, që është përgjegjësi kryesor i kësaj tragjedie”, - është shprehur Pollo. Ndërsa Tavo ka kërkuar që qeveria të mos bëjë askënd fajtor pa folur më parë organet e Drejtësisë. “Në Gjirokastrës përgjegjës është Këshilli i Rregullimit të Territorit, pasi ky institucion jep leje ndërtimi dhe anëtar në këtë këshill është dhe kryetari i degës së PD-së, i cili është po aq fajtor sa Bime. Ndaj, ju lutem, prisni sa të përgjigjen organet e Drejtësisë dhe ndërmerrni procesin e dëmshpërblimit të qytetarëve, të cilët kanë mbetur të pastrehë”, - është shprehur Tavo.

19 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›