E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti thyen heshtjen: “Të dëmshpërblehen familjet në Gjirokastër!”

Reagon Presidenti Topi: “Qeveria dhe pushteti vendor të gjejnë zgjidhjen”. Merr përmasa të mëdha greva. Ngujohen edhe pesë femra me të tjerët

Teksa gjendja shëndetësore e 15 grevistëve në Gjirokastër po rëndohet gjithnjë e më shumë, heshtjen e institucioneve qendrore e ka thyer kreu i shtetit. Përmes një deklarate të bërë nga zëdhënësja e Presidencës, zoti Bamir Topi ka kërkuar që të dëmshpërblehen të gjitha familjet që humbën banesat e tyre gjatë shembjes së pallatit pesëkatësh në qytetin jugor, si dhe ka kërkuar ndëshkimin ligjor të fajtorëve. “Presidenti i Republikës inkurajon strukturat e qeverisë dhe të pushtetit vendor që të realizojnë sa më shpejt të jetë e mundur sistemimin e këtyre familjeve”, - thuhet në njoftimin për shtyp. Ndërkohë, grevës i janë bashkuar edhe 5 gra, të cilat kanë vendosur të protestojnë bashkë me fqinjët dhe të afërmit e tyre derisa të merret një vendim. Deklarata
“Presidenti i Republikës po ndjek me një shqetësim të veçantë grevën e urisë së banorëve të pallatit të shembur para disa javësh në Gjirokastër, të cilët janë ngujuar në këtë grevë, pasi prej kaq kohësh nuk po gjejnë zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare që u është premtuar për sistemim dhe dëmshpërblim si pasojë e një tragjedie, e cila nuk ndodhi për shkakun e tyre”, - thuhet në njoftimin e djeshëm të Presidencës. Sipas tij, kreu i shtetit u ka kërkuar strukturave vendore dhe qendrore që të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejtë që të jetë e mundur për sistemimin e këtyre familjeve, të cilat kanë të drejtën legjitime për dëmshpërblim dhe për t’u sistemuar në kushte normale. “Presidenti i Republikës inkurajon edhe një herë vazhdimin e punës së institucioneve përkatëse për zbulimin sa më shpejt të përgjegjësve të kësaj tragjedie dhe ndëshkimin e tyre ligjor”, - përfundon deklarata për shtyp. Ky shënon edhe reagimin e parë të institucioneve të niveleve të larta. Ndonëse grevistët janë ngujuar prej katër ditësh, asnjë nga institucionet qeveritare nuk ka reaguar për të ofruar një zgjidhje, me përjashtim të deklaratës së bërë dje nga zëvendëskryeministri Pollo gjatë debateve për këtë çështje në Kuvend.
Situata
Grevës së pronarëve të banesave të dëmtuara në Gjirokastër i janë bashkuar dje edhe gratë, të cilat kanë dalë në mbështetje të kryefamiljarëve që e nisën grevën 4 ditë më parë. Ata janë vendosur dje nën rrënojat e pallatit, duke lënë garazhin ku qëndronin deri dje. Banorët e pallatit të shembur, të indinjuar për neglizhencën e qeverisë për dëmshpërblimin e tyre, tregojnë vendosmëri, duke qëndruar në grevë urie, edhe pse disa prej tyre kanë pasur probleme shëndetësore. Greva e urisë dje mori përmasa më të mëdha, pasi tashmë po protestojnë 15 persona, ku pesë prej tyre janë femra. Burimet në vendngjarje pohojnë se lëvizjes do t’i bashkohen edhe banorë të tjerë, pronarë të objektit të shkatërruar. Ata kërkojnë nga qeveria dëmshpërblim për apartamentet e humbura si pasojë e shembjes së pallatit të tyre një muaj më parë. Më 9 nëntor të këtij viti u shemb një pallat pesëkatësh në Gjirokastër, si pasojë e punimeve që po bëheshin ngjitur tij për ngritjen e një ndërtese të re nga firma “Arti sh.p.k.”. Nën rrënojat e ndërtesës mbetën të vdekur 3 persona, ndërsa tre të tjerë u plagosën. Policia dhe Prokuroria nisën hetimet dhe ndaluan 10 zyrtarë të Bashkisë, Inspektoratit të Ndërtimit dhe pronarët e firmës. Tetë prej tyre po gjykohen në gjendje arresti në burg, ndërsa 2 të tjerë në gjendje të lirë.

19 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›