“Fryhet” topi shqiptar, sot finalja e Superkupës
Dash Frashëri
Dinamo, kampione e vendit për sezonin 2007-2008 dhe Vllaznia, fituese e Kupës së Shqipërisë për vitin e kaluar, do të diskutojnë të dielën në “Qemal Stafa” (ora 18:00), finalen e Superkupës, ku në bankinat respektive nuk do të jenë as trajneri Ilir Daja dhe as malaziasi Dervish Haxhiosmanoviç, të cilët u dhanë ekipeve edhe trofetë përkatës.
Nis kështu sezoni futbollistik 2008-2009 me finalen e 15-të të Superkupës, teksa Dinamo është edhe fituesja e parë historike e saj, kur mposhti në vitin 1989 Tiranën (2-0), njëherësh edhe fituesja e fundit e këtij trofeu, me atë fitore 4-2 ndaj Besës një vit më parë.
17-herë kampionët e Shqipërisë, të cilët u eliminuan në mënyrë të turpshme nga serboboshnjakët e Modricës (dy humbje 2-0, 2-1), synojnë nën drejtimin e kroatit Zllatko Daliç fitimin e Superkupës, ndaj një Vllaznie teorikisht të lodhur pas humbjes tri ditë më parë Napolin (0-3) në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës UEFA.
Dinamo, që ka ndërruar tre trajnerë brenda 90 ditëve nga përfundimi i sezonit të kaluar, vuan mungesën e shumë lojtarëve me të cilët fitoi titullin kampion. Ndeshja kundër Vllaznisë së drejtuar nga Agim Canaj, parashikohet të jetë e vështirë, pasi tekniku i bankinës shkodrane ishte ai që ndërtoi blutë gjatë Kampionatit të 69-të Kombëtar.
Për Dinamon kjo është hera e pestë që diskuton një finale Superkupe, teksa e ka fituar vetëm njëherë atë, pikërisht ndaj Tiranës në edicionin e parë të saj. Tre finalet e tjera të humbura janë ato me Flamurtarin (1990) e Tiranën (2002, 2003).
Vllaznia, që e fitoi Kupën e Shqipërisë nën drejtimin malaziasit Dervish Haxhiomanoviç, i vetmi trajner i huaj që ka fituar në Shqipëri edhe kampionatin e Kupën, kërkon të përmirësojë imazhin e paraqitjes së dobët ndaj italianëve të Napolit. Vllaznia do të luajë finalen e katërt të një Superkupe, teksa e ka fituar dy herë në vitin 1998 kur mposhti me penallti Apoloninë (5-4), pas kohës së rregullt e shtesave që përfunduan me rezultatin e barabartë 1-1 dhe ndaj Tiranës (2-1) në vitin 2001.
KURIOZITET E SUPERKUPËS
* * *
Në 14 finalet e zhvilluara të Superkupës, janë shënuar gjithsej 37 gola përgjatë 90 minutave apo shtesave.
* * *
Golin e parë në një ndeshje Superkupe e ka shënuar Eduart Abazi në finalen e vitit 1989 Dinamo-17 Nëntori (Tirana) 2-0 dhe të fundit Oriand Abazaj në finalen e vitit 2007 në takimin Tirana-Besa (4-2)
* * *
Janë katër lojtarët që kanë shënuar nga dy gola: Sulejman Demollari (Dinamo), Sajmir Patushi (Vllaznia, Tirana), Mahir Halili (Tirana) dhe Elvis Sina (Tirana).
* * *
Gjatë finaleve janë shënuar 3 gola me penallti: Sulejman Demollari (Dinamo-Tirana 2-0, 1989), Sokol Kushta (Flamurtari-Dinamo 3-3, 1990) dhe Sokol Kushta (Tirana-Teuta 1-0, 1994).
* * *
Goli më i shpejtë është shënuar nga Eduart Abazi (Dinamo-Tirana 2-0, 1989) dhe Sokol Kushta (Tirana-Teuta 1-0, 1994), që të dy në minutën e 4-t të takimeve respektive.
* * *
Goli më i vonshëm është shënuar në minutën e 115 nga Hekuran Jakupi(Ebasani) në finalen e vitit 1992 Elbasani-Vllaznia 3-2.
* * *
Fitoren më të thellë e ka realizuar Tirana kur ka mundur 6-0 Dinamon në finalen e vitit 2002. Ato minimale 1-0 janë arritur 3 herë: Flamurtari-Partizani (1991), Tirana-Teuta (1994) dhe Tirana-Teuta (2000).
* * *
Tirana është ekipi që ka diskutuar më shumë finale të Superkupës me 10 të tilla, duke fituar 7 prej tyre
* * *
Nga 10 finale të diskutuara Tirana ka humbur 3 prej tyre me Dinamon (1989), Vllazninë (2001) dhe Partizani (2004).
* * *
Dy finale janë zgjidhur nga gjuajtjet e penalltive. Në vitin 1990 Flamurtari-Dinamo 3-3 (5-4 p) dhe në vitin 2005 Tirana-Teuta 0-0 (5-4 p).
Të gjitha ndeshjet e Superkupës
1989 Dinamo-Tirana 2-0
1990 Flamurtari-Dinamo 3-3 (5-4 p)
1991 Flamurtari-Partizani 1-0
1992 Elbasani-Vllaznia 3-2 (pas kohës shtesë)
1993 Nuk u dha. Partizani ishte fitues i dyfishtë: Kampionat dhe Kupë
1994 Tirana-Teuta 1-0
1995 nuk u luajt
1996 Nuk u dha: Tirana ishte fitues i dyfishtë: Kampionat dhe Kupë
1997 nuk u luajt
1998 Vllaznia-Apolonia 1-1 (5-4 p)
1999 Nuk u dha. Tirana ishte fitues i dyfishtë: Kampionat dhe Kupë
2000 Tirana-Teuta 1-0
2001 Vllaznia-Tirana 2-1
2002 Tirana-Dinamo 6-0
2003 Tirana-Dinamo 3-0
2004 Partizani-Tirana 2-0
2005 Tirana-Teuta 0-0 (5-4 p)
2006 Elbasani-Tirana 0-2
2007 Tirana-Besa 4-2
Fituesit
7 Tirana
2 Vllaznia
2 Flamurtari
1 Partizani
1 Elbasani
1 Dinamo
Bosi i Bërnlit: “Nuk e shesim Berishën”
Besart Berisha është shndërruar në një çështje te Bërnli, edhe pse mesfushori me tipare sulmuese është i huazuar para disa ditësh te Rozenborgu në Norvegji. Bosi i Bërnlit, Ouen Kojl këmbënguli se ai nuk ka plan të shesë sulmuesin Besart Berisha. Lajmin e jep një nga faqet e më të mëdha britanike “Skysports.com”. Shqiptari u bashkua me Rozenborgun në fillim të muajit gusht dhe spekulimet ishin të shumta për një largim të përhershëm të tij nga “Turf Moor”. Berisha ka bërë vetëm disa paraqitje për Klaretsat pas një dëmtimi në ligamentin e gjurit, që e mbajti atë larg fushave për një sezon të tërë. Megjithatë, Ouen Kojl këmbëngul se e ardhmja e e Berishës lidhet me klubin anglez dhe se shpreson se kur ai të kthehet nga Norvegjia do të jetë i aftë të luftojë për një vend në formacionin e Bërnlit.
“Qëllimi ishte që Berisha të shkonte e të kishte mundësinë të luante, kështu që kur ai të kthehet sërish te ne, ai do të jetë plotësisht në gjendje shumë të mirë për të luajtur”, - shpjegon Kojl në faqet e gazetës “Lancashire Evening Telegraph”. “Djaloshi ka qenë jashtë fushave për nëj vit për shkak të rikuperimit nga dëmtimi. Unë fola me të dhe i thashë ‘ju keni nevojë të keni ndeshje në këmbët tuaja’ , pasi do të ishte e vështirë të startonte pikërisht tani. Por, nuk ka asnjë dyshim se ai është një lojtar me kapacitete, dhe nëse ai do të ketë paraqitje në vazhdimësi me ekipin e Rozenborgut ai do të kthehet, më 1 janar te ne plotësisht i shëndetshëm dhe i gatshëm të ndikojë pozitivisht. Është një situatë fitimi. Të shesim atë nuk është diskutuar kurrë”, - citohet Kojl nga “Skysports”. Besart Berisha shënoi dy gola në debutimin e tij me Rozenborun në fitoren 3-1 kundër Moldës, teksa më pas luajti edhe në Kupën UEFA kundër Djudgarden të humbur 2-1 nga skuadra e shqiptarit.
TRANSFERIMET
Berisha, i cili më parë ka luajtur me Hamburgun në Gjermani, u transferuar në Angli te Bërlni për shumën e 500 mijë eurove. Në fillim të muajit gusht ai u huazua te Rozenborgu në Norvegji.
18 Gusht 2008