Klodiana Shala “mashtron” vetveten
Klodiana Shala vazhdoi serialin e dobët të paraqitjeve të Shqipërisë në Olimpiadën e Pekinit. Atletja shqiptare, e cila pas pesë ditësh do të mbushë 29-vjeç, dha një rezultat të dobët në garën e 400 metrave me kohën 54 sekonda e 58 të qindtat, duke mos pasur mundësi të kualifikohej në gjysmëfinalet e kësaj disipline. Shala, e cila nuk arriti të kapë as kohën rezultatit të saj më të mirë të arritur në Goteborg të Suedisë (2006) me 58”26, u rendit e shtata në baterinë e saj nga tetë pjesëmarrëse, duke lënë pas vetëm kongolezen 19-vjeçare Bategerel (58”14). Tri të parat e kualifikuara nga bateria e Klodianës vendosën kohët: xhamajkania Uiliams (51”52), britanikja Sanders (51”81) dhe sudanezja Elxhek (52”77). Shala la pas në renditjen e përgjithshme vetëm 3 atletë nga 42 pjesëmarrëse në garën e saj.
Në “Sidnej 2000”, Shala, atëherë 21-vjeç, kishte arritur kohën 56”41, ndërkohë që në “Athinë 2004” garoi në 400 metra me pengesa. Deri tani sukseset tona janë, një vend i gjashtë i peshëngritëses Romela Begaj (58 kg), një vend i tetë në mundjen greko-romake i Elis Gurit (96 kg) dhe vendi i 13-të i peshëngritësit Erkand Qerimaj (77 kg). Pesë sportistët e tjerë: Edmond Topalli (xhudo), Gerti Trasha (peshëngritje), Lindita Kodra (qitje), Klodiana Shala (vrapim 400 m) e Dorian Çollaku (hedhje çekiçi) zhgënjyen. Dy notarët Rovena Marku (50 metra stil i lirë) dhe Sidni Hoxha (50 metra stil i lirë) edhe pse u renditën në pozicione jo të kënaqshme në raport me numrin e kundërshtarëve, gjithsesi vendosën secili rekord kombëtar në garën e tij.
PRIZRENI
Sportisti i fundit shqiptar që do të garojë në Pekin është mundësi Said Prizreni (19 gusht), në stilin e mundjes së lirë në peshën deri në 65 kg. Ky është shansi i fundit i Shqipërisë për të shpresuar një medalje (qoftë bronzi) nga “Pekin 2008”, ku u përfaqësuam me numrin më të madh të sportistëve, 11.
Rezultatet e Shqipërisë në “Pekin 2008”
Garat e zhvilluara
PESHËNGRITJE
Romela Begaj, 58 kg: vendi i gjashtë nga 12 sportistë
Erkand Qerimaj, 77 kg: vendi i 13-të nga 30 sportistë
Gerti Trasha, 69 kg: i skualifikuar, dështoi në stilin e shkëputjes
XHUDO
Edmond Topalli, 81 kg: e eliminuar në raundin e parë
NOT
Sidni Hoxha, 50m/stil i lirë: vendi i 63-të nga 97 sportistë
Rovena Marku, 50m/stil i lirë: vendi i 58-të nga 90 sportistë
QITJE
Lindita Kodra
25 m pistoletë me zjarr: vendi 40-të nga 44 sportistë
10 m pistoletë me ajër: vendi 35-të nga 41 sportistë
MUNDJE:
Elis Guri, Mundje klasike, 96 kg: vendi i 8-të nga 20 sportistë
ATLETIKË
Dorian Çollaku, çekiç: vendi i 28-të
Klodiana Shala, 400 m: vendi i 37-të midis 40 pjesëmarrësve
Për t’u zhvilluar
MUNDJE
Said Prizreni, mundje e lirë, 65 kg: 19 gusht (09:30-10:30)
Trajner: Sulejman Hoxha
18 Gusht 2008