“Rama, fjalë në erë, si për taksat e bizneset, ashtu edhe për punësimin”

Reagon ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu
Ministria e Integrimit, Majlinda Bregu ka reaguar pas takimit të Edi Ramës me sipërmarrjen vendase. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ministrja e Integrimit Bregu theksoi se Edi Rama vazhdon të të lëshojë fjalë në erë, “si për taksat e bizneset ashtu dhe për punësimin. Duke premtuar me slogane boshe, që as vetë nuk i kupton, sillet e stërsillet jerm në të ashtuquajturin program, që s’ka për ta çuar askund tjetër veçse drejt humbjes”.
Më pas ministrja Bregu ka vënë në dukje shifrat dhe faktet. “Ne flasim me fakte. Nga viti 2009, PD ka ndihmuar në krijimin e 200 mijë vendeve të punës. Këto vende punë janë reale. Janë krijuar nga lehtësitë fiskale, reformat liberalizuese, nga miliarda euro investime, nga sipërmarrja private, 4 miliardë nga investimet e huaja, dhe investimet e gjera publike në bashkëpunim me sipërmarrjen private, në rrugë, spitale, shkolla etj”, vijoi ajo.
Ndër të tjera, ministrja e Integrimit nënvizoi se “taksa jonë e sheshtë ka rritur numrin e bizneseve të vogla me 50 për qind dhe bizneset e mesme me 150 për qind. Pra është funksionale. Punësimi në sektorin privat është rritur me 30 për qind nga viti 2006, vetëm në zonat formale. Papunësia ka rëne nga 14.1 për qind në vitin 2005, në 13.2 për qind në vitin 2012. Të ardhurat po rriten ndjeshëm në çdo familje”.
Në fund të postimit të saj, ministrja e Integrimit Bregu vlerësoi se, “kemi ende shumë për të bërë. Qeveria do të vazhdoje të rrisë pagat për mjekët, mësuesit dhe sektorë të tjerë publik. Do të rrisë pensionet, pagën minimale, dhe do ta afrojë Shqipërinë në procesin e integrimit, çka do të thotë miliona euro investime dhe dhjetëra mijëra vende të reja pune. Vetëm kështu, me fakte reale, ne do vazhdojmë të jemi ndryshimi. Përpara!”.