“Frymë pozitive dhe vullnet të përbashkët, për trajtimin dhe zgjidhjen e problematikave”

Ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, priti ambasadorët e OSBE-së dhe atë të Greqisë
Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi, priti në takime të veçanta kortezie kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth dhe ambasadorin e Greqisë. Në takim me ambasadorin Wolfarth u diskutua mbi agjendën e Shqipërisë në kuadër të OSBE-së, bashkëpunimin me Prezencën e OSBE-së në Tiranë, si dhe mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në fillim të takimit, Ambasadori Wolfarth uroi Ministrin Bumçi për detyrën e re dhe njëherazi përcolli përshëndetjet dhe urimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier. Duke iu referuar angazhimit dhe projekteve të OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Wolfarth tha se vlerëson bashkëpunimin e deritanishëm, duke veçuar progresin e madh që është arritur në realizimin e projektit për shkatërrimin e municioneve dhe armëve të lehta.
Ndërsa më herët ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi priti në një takim kortezie, Ambasadorin e Republikës Greke në Tiranë, Leonidas Rokanas. Ambasadori Rokanas, i përcolli Ministrit, Bumçi urimet më të mira për detyrën e re, në emër të Ministrit të Jashtëm grek, Avramopoulos. Ai vlerësoi marrëdhëniet e veçanta që ekzistojnë mes dy vendeve tona, bazuar në një traditë historike. Ambasadori siguroi vazhdimësinë e një bashkëpunimi të ngushtë në dy objektivat e përbashkëta strategjike që janë integrimi evropian i Shqipërisë dhe Projekti TAP, si dhe dëshirën e mirë që këto marrëdhënie të ngrihen në një nivel më të lartë. Ministri, Bumçi vlerësoi rëndësinë e marrëdhënieve me Greqinë, ndihmën që ajo i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në strukturat euroatlantike, bashkëpunimin e frytshëm në kuadër të projektit TAP, si një projekt strategjik me rëndësi të jashtëzakonshme për vendet tona dhe rajonin në tërësi. Ministri, Bumçi theksoi se fryma pozitive dhe vullneti i përbashkët do të ndihmojë në trajtimin për zgjidhje të problematikave të agjendës dypalëshe. Lidhur me angazhimin aktiv të Shqipërisë në kuadër të OSBE-së, Ministri Bumçi theksoi se Shqipëria është e gatshme që të presë në Tiranë konferencën mbi tolerancën, mos diskriminimin dhe bashkëjetesën, vlera të cilat janë të vyera për popullin shqiptar. Po ashtu, bashkëpunimi me OSBE-në, tha ai, ka ndihmuar në arritjen e sukseseve mjaft domethënëse që Shqipëria ka shënuar deri tani, duke ndihmuar kështu edhe në drejtim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.