E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Ligjeve “liron” anëtarin e LSI nga KQZ

11-04-2013 / Gazeta 55

Parlamenti do vendosë mes Klement Zgurit dhe Patriot Çobos

Komisioni i Ligjeve miratoi lirimin nga detyra të anëtarit të propozuar nga LSI-ja në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas daljes së Lëvizjes Socialiste për Integrim nga qeveria. Mazhoranca në Komisionin e Ligjeve ka votuar kërkesën e Partisë Demokratike për lirimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho.
Kërkesa e firmosur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i drejtohet kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, të cilës i kërkohet të nisin pa vonesë procedurat e zëvendësimit të anëtarit të KQZ-së Ilirjan Muho, më qëllim respektimin e baraspeshimit politik në komision. Kodi Zgjedhor parashikon që dy anëtarë zgjidhen nga partia më e madhe qeverisëse, 2 nga partia më e madhe e opozitës, dhe nga 1 anëtar nga partitë e dyta më të mëdha të koalicioneve përkatëse. 
Kërkesa në emër të grupit të PD-së është prezantuar dje në Komisionin e Ligjeve nga deputeti Gent Strazimiri dhe pritet të votohet ditën e sotme në seancën e radhës të Kuvendit. “Në bazë të kodit zgjedhor gjysma e anëtarëve të KQZ-së i takon shumicës dhe gjysma tjetër opozitës. Kërkojmë ndarjen në mënyrë të barabartë të administratës zgjedhore. Prishja e baraspeshës me ikjen e LSI-së nga koalicioni cenon standardet e zgjedhjeve. Koalicioni i fundit me këtë formulë është paralajmërim për manipulim. Partia Republikane ka paraqitur kandidaturat për anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, është shprehur Strazimiri.
Ndërsa deputetët e PS-së në komision janë shprehur se me kërkesën e PD për KQZ-në cenohen standardet demokratike.  Ndërsa kreu i komisionit të ligjeve Ilir Rusmali është shprehur se procedura e kërkon që komisioni të shprehet në lidhje me kërkesën e grupit të PD-së.
Ndërkohë, Partia Republikane këmbëngul në qëndrimin e saj për të pasur anëtar në KQZ. PR thekson se duhen dy kandidatura për një anëtar në KQZ duke propozuar Klement Zgurin dhe Patriot Çobon për anëtar të KQZ. Propozimi vjen një ditë pasi PR dorëzoi në Komisionin Qendror Zgjedhor, kërkesën për të pasur të drejtën e një anëtari. Nisur nga rezultati i 2009-ës, PR rezulton të jetë partia e dytë për nga rëndësia në kampin e djathtë pas asaj demokratike. Pas seancës dëgjimore në Komisionin e Ligjeve për dy kandidatët e PR, u vendos që Zguri dhe Çobo të kalojnë për votim në Kuvend .

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›