Fshati Cerovik që një javë pa energji elektrike
Banorët e fshatit Cerovik të komunës së Klinës kanë mbetur që një javë pa energji elektrike, për shkak të dëmtimit të një shtylle të energjisë elektrike. Ata thonë se në lidhje me rastin kanë njoftuar zyrtarët e KEK-ut, por këta të fundit u kanë kërkuar 3 mijë euro për riparimin e dëmit.
Në këto ditë me temperatura të ulëta, banorët e Cerovikut kanë edhe një hall tjetër. Një shtyllë e energjisë elektrike është rrënuar një javë më parë, duke lënë fshatin në errësirë të plotë. Banorët thonë se rrënimi i shtyllës ka ndodhur nga një qytetar i paidentifikuar dhe se për këtë ata kanë njoftuar KEK-un.
Por, punëtorët e KEK-ut për ndërrimin e kësaj shtylle u kanë kërkuar 3 mijë euro banorëve të këtij fshati.
“Kemi njoftuar rastin me kohë në KEK, por ata kanë kërkuar 3 mijë euro, shumë kjo që për këtë kohë nuk është e realizueshme”, ka thënë për Kosovapress, Ramadan Dakaj, banor i këtij fshati.
Ai thotë se në këtë kohë dimri banorët e kanë të vështirë të përballen me mungesën e energjisë elektrike dhe ka rrezik që të mbeten edhe për një kohë pa energji elektrike.
Nga ana e tyre, zyrtarë të KEK-u nuk kanë dashur të prononcohen në lidhje me rastin, duke thënë se tashmë banorët kanë marrë përgjigjen e Korporatës.