E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshati i “jashtëtokësorëve”

Me qindra faqe në internet kanë theksuar se pas fundit të botës, më 21 dhjetor 2012, vetëm fshati i vogël i Bugarachit, në jug të Francës, do të mbetet i paprekur dhe do t’i shpëtojë apokalipses. Fshati shpesh vizitohet nga ufologët, të bindur se maja e fshatit është një vend-parking për UFO-t. Vizitorët tjerë dëshirojnë të përfitojnë nga valët magnetike, për të cilat theksojnë se emetohen nga “maja magnetike”, apo që të gjejnë “vortexin”, kalimin drejtë qytetërimeve të humbura. Nga Express më 08 korrik 2011 në ora 08:45

Pic de Bugarach, në jug të Francës, është në tërësi i mbështjellë me mjegull. Por edhe përkundër faktit se maja, e lartë 4 mijë këmbë, është sot e dukshme, terreni i saj i thyer është i njohur në gjithë botën. Me qindra faqe në internet kanë theksuar se pas fundit të botës, më 21 dhjetor 2012, vetëm fshati i vogël i Bugarachit do të mbetet i paprekur.

Lënë anash publicitetin pa pagesë, një nga efektet e para të parashikimeve për fundin e botës ishte rritja e çmimeve të pronës së patundshme në këtë fshat.

“Aktualisht, 15 shtëpi janë në shitje. Jam prefekt i Bugarachit që 34 vjet dhe një gjë të tillë nuk e kam përjetuar asnjëherë më parë”, thotë prefekti Jean Pierre Delord. Çmimet që kanë kërkuar pronarët e shtëpive janë katër deri në pesë herë më të larta se zakonisht.

Nuk kalon asnjë ditë pa kërkuar dikush informata për Bugarachin, i cili shtrihet në qarkun Aude, me ç’rast informata kërkohen edhe për kapacitetet për akomodim dhe furnizim.

“Të gjithë e dinë se mund të ketë reshje të borës dhe temperatura nën zero në dhjetor dhe se batanijet e thjeshta nuk mjaftojnë. Kështu njerëzit na kanë thirrë, për t’iu rezervuar dhoma dhe për t’i mbushur ato me furnizime, për dy javët e fundit të dhjetorit 2012”, thotë një shitëse lokale. “Ne gjithmonë refuzojmë kërkesat e tyre”, shton ajo, duke theksuar më tutje se është ngopur nga gënjeshtrat, të cilat qarkullojnë në internet.

Edhe prefekti i Bugarachit brengoset për shkak të publicitetit global të fshatit, i cili tashmë ka filluar të joshë një numër më të madh të vizitorëve të të gjitha llojeve, terapistë, njerëz të cilët numërojnë ditët deri në momentin e fundit të botës dhe pjesëtarë të organizatës Epoka e Re, të cilët meditojnë, për t’u lidhur me gjithësinë. Disa prej tyre vendosen në hotelin, pronë e Sigridit. Me prejardhje nga Parisi, ajo preferon grupet, të cilat për çështjet misterioze diskutojnë prapa dyerve të mbyllura të dhomës së saj për konferenca.

“Janë klientë të mirë dhe të qetë. Kurrë nuk kam pasur probleme me ta”, theksoi ajo.
Të veshur me të bardha, këta turistë të çuditshëm mund të shihen duke lëvizur nëpër qytet apo duke u strehuar në shpellat përreth fshatit. Disa prej tyre grumbullohen në rajone, të cilat i konsiderojnë si magjike, ndërsa të tjerët tentojnë të ngjitën në majën e Bugarachit. Numëruesit automatik, të vendosur në male, flasin për shifra rekorde të vizitorëve: për 10 mijë vizitorë vitin e kaluar dhe 20 mijë vizitorë këtë vit. Në disa raste, mungesa e trajnimit u dëshmua si fatale.

Para dy javësh, një prej vizitorëve u ngjit deri në maje, për të vdekur më pas nga sulmi në zemër. “Fundi i botës erdhi më herët për të”, thotë prefekti me një dozë të ironisë.

Por Delord nuk fsheh brengën, për pasojat e mundshme të popullaritetit të jashtëzakonshëm të fshatit të tij. Para disa muajsh, ai kontaktoi Këshillin, policinë dhe Miviludes (Këshillin Ndërministror për Vëzhgimin dhe luftimin e shmangies së kulteve), një agjenci e qeverisë franceze, e cila vëzhgon sektet potencialisht të rrezikshme. Qyteti tani është vendosur nën vëzhgim.

Kjo për arsye se parashikimi apokaliptik ishte i fundit, në radhën e shumë parashikimeve të çmendura për Bugarachin.

“Ky vend është përplot aktivitete”, pranon prefekti. Duket se ka qindra arsye për të ardhur në këtë fshat, i cili duket se është i humbur. Ai shpesh vizitohet nga ufologët, të bindur se maja e fshatit është një vend-parking për UFO-t. Askush nuk ka parë deri me sot ndonjë fluturake të këtillë këtu, por besimtarët theksojnë se kjo ka kuptim, ngase fluturakët e këtilla fluturojnë me një shpejtësi të madhe.

Vizitorët tjerë dëshirojnë të përfitojnë nga valët magnetike, për të cilat theksojnë se emetohen nga “maja magnetike”, apo që të gjejnë “vortexin”, kalimin drejtë qytetërimeve të humbura. Ndërsa të tjerët vijnë për të kërkuar thesarin e humbur, për të cilën supozohet se është fshehur para më shumë se 100 viteve.

Por Bugarachi josh edhe adhuruesit e natyrës, të cilët thjeshtë shijojnë shëtitjen nëpër male dhe ajrin e pastër. (Time)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›