Fshati pa gjumë, ankth nga tërmeti
Librazhdi përfshihet sërish nga lëkundjet sizmike. Fshati Kutërman, qysh prej mbrëmjes së të mërkurës, është përfshirë nga paniku i dridhjeve të tokës të përsëritura disa herë. Ka qenë ora 20 e 40 minuta e së mërkurës, kur në fshatin Kutërman, në zonën e Çermenikës, rreth 30 km larg qytetit të Librazhdit, është ndier një tërmet i fuqisë 3,4 ballë. Mësohet se gati të gjithë banorët e fshatit, kanë qëndruar zgjuar pothuajse gjithë natën nga frika e përsëritjes së tërmetit dhe shembjes së shtëpive. Ndërkohë, dje paradite rreth orës 10 e 40 min lëkundjet e tërmetit janë ndier sërish. Mësohet se lëkundja sizmike ka pasur të njëjtën fuqi me një natë më parë, por fatmirësisht nuk janë shënuar dëme në njerëz dhe banesa.