Braçe nuk dorëzon kërkesën për komisionin: Topalli mbylli zyrat
Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe deklaroi dje pasdite se nuk ka mundur të dorëzojë në zyrën e Protokollit, kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor, i cili do të hetonte të gjithë veprimtarinë e Kuvendit dhe të organeve drejtuese të administratës dhe shërbimeve të Kuvendit. Sipas Braçes, zyra e Protokollit ishte mbyllur para kohe, ndërsa shton se kjo gjë është bërë qëllimisht nga Kryetarja Topalli. “Topalli bllokoi dorëzimin e kërkesës, duke mbyllur para kohe zyrën e Protokollit”, - u shpreh deputeti i majtë. Ndër të tjera, Braçe tha se, kërkesa e firmosur nga 35 deputetë socialistë, do të dorëzohet sot pranë kësaj zyre.
Kjo kërkesë nuk është bërë në emrin personal të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, por kërkon hetimin e veprimtarisë së Kuvendit gjatë drejtimit të saj. Kërkesa për hetim merr shkas në radhë të parë nga kritikat e vazhdueshme të adresuara nga institucionet ndërkombëtare apo partnerët ndërkombëtarë, që asistojnë vendin tonë në proceset integruese të vendit. Në opinionin e Komisionit Europian, mbi aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, nëntor 2010, ndërmjet institucioneve më të kritikuara është listuar edhe Kuvendi i Shqipërisë, pikërisht për rolin kyç që luan në kuadrin e reformave integruese në vend.
Komisioni hetimor që kërkohet nga socialistët propozohet të ketë 11 anëtarë, 5 nga opozita dhe 6 nga mazhoranca, me drejtim socialist. Ndërkohë që koha brenda së cilit duhet të veprojë ky komision kërkohet të jetë 4 muaj.
Sipas projekt-vendimit të hartuar nga PS, objekti i punës së Komisionit hetimor është:
Hetimi i veprimtarisë së organeve drejtuese të sipërcituara, hetimi i veprimtarisë së administratës së shërbimeve të Kuvendit, sipas kompetencave të përcaktuara në rregulloren e Kuvendit, ligjin për buxhetin, legjislacionin që rregullon statusin e deputetit dhe legjislacionin për ekzekutimin e buxhetit, hetimi i byrosë së administratës së Kuvendit në lidhje me përcaktimin e strukturës dhe organikës së administratës ndihmëse të Kuvendit dhe zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil apo atij të punës në rekrutimin, transferimin apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punës të personelit të administratës, hetimi i procedurave të vlerësimit dhe tjetërsimit të mjeteve të transportit në pronësi të Kuvendit dhe pasojat financiare që ato kanë sjellë në buxhetin e shtetit, hetimi i funksionimit të stafit ndihmës të Kuvendit, puna që ata kryejnë dhe shpërndarja e punës në komisione, zbatimi i kërkesave ligjore për respektimin e procedurave në shqyrtimin e projektligjeve, si dhe emërimet e Kuvendit në institucionet dhe entet në varësi të tij, hetimi i integritetit dhe eficencës së sistemit të votimit elektronik të Kuvendit dhe propozimi i ndryshimeve të nevojshme legjislative dhe organizative, me qëllim korrigjimin e mangësive të konstatuara, duke synuar mirëfunksionimin e Kuvendit dhe shërbimeve të tij.