E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia shqiptare, 44 për qind e kapaciteteve nuk shfrytëzohet

Tregu Analiza e Bankës Qendrore: Sa e vështirë është të investosh në vend

Pavarësisht kthesës pozitive të rimëkëmbjes në disa sektorë të ekonomisë, në tërësi vihet re një panik dhe ulje e besimit, si te konsumatorët, ashtu dhe te firmat private për të investuar. Në raportin e fundit 6-mujor të politikës monetare, Banka e Shqipërisë merr guximin të paraqesë problemet që ka sot ekonomia e vendit, duke shkuar deri aty se, vendimi për të investuar në Shqipëri është bërë i vështirë, si pasojë e kushteve që lidhen me kredinë, uljen e besimit dhe shfrytëzimin e kapaciteteve.
“Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi qëndroi në nivelin 66 për qind në tremujorin e parë të vitit 2010, rreth 6.3 pikë përqindjeje poshtë mesatares historike”, deklaron Banka Qendrore.
Me përjashtim të sektorit të shërbimeve, vlerësimet e bizneseve për investime gjatë tremujorit të fundit të vitit 2009 dhe pritjet e tyre për gjashtëmujorin e parë të vitit 2010 janë në ulje. Pasiguria e shtuar për ecurinë e ardhme të kërkesës dhe kushtet ende të shtrënguara të kredidhënies kanë dekurajuar kryerjen e shpenzimeve për investime nga ana e bizneseve. Investimet e huaja direkte kanë shënuar një kthesë pozitive drejt rritjes në tremujorin e parë të vitit 2010 pas një rënieje të theksuar gjatë vitit 2009. Rritja vjetore e tyre në këtë tremujor shënoi 25.6 për qind. Flukset hyrëse të tyre shkuan për financimin e investimeve në sektorin e telekomunikacionit dhe hidrokarbureve.
Po sipas BSH-së, investimet private kanë vijuar të ndikojnë negativisht në rritjen e kërkesës agregate gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2010, por në një shkallë më të ulët se gjatë vitit 2009. Ato janë mbështetur disi nga rritja më e shpejtë e kredisë për investime. “Rënia vjetore e importit të mallrave kapitale u ngadalësua në tremujorin e dytë të vitit 2010”, tregon banka. Importi i tyre ra me 6.2 për qind në këtë tremujor, në krahasim me rëniet vjetore prej 12.7 dhe 28.5 për qind përkatësisht gjatë vitit 2009 dhe tremujorit të parë të vitit 2010. Gjithashtu, investimet publike, të cilat ranë me 33.5 për qind në terma vjetorë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, kanë vijuar të japin një kontribut në rënie në kërkesën agregate.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›