E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshatrat turistikë, sa do paguhet për tokën në bregdet



Erald Kapri

Agjencia e Legalizimeve ka nisur procedurën për mbledhjen e detyrimeve për legalizimin e vilave në bregdet. Me daljen e vendimit të Këshillit të Ministrave, sipas ligjit "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin", specialistët e ALUIZNI-t kanë nisur procedurat për kontratat me të gjithë subjektet e prekura nga ky ligj. Nëndrejtori i ALUIZNI-t, Behar Zeneli tha për gazetën se procedurat do të mbyllen brenda 6 muajve, ashtu siç parashikon ligji. Ai tha më tej se subjektet do të paguajnë tokën, sipas vendimit të Qeverisë të datës 26 nëntor të vitit 2008, nr 1620, vendim i cili ka përcaktuar edhe hartën e vlerës së tokës në zonat bregdetare. Harta është përgatitur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Harta e tokës
Gazeta publikon çmimet e vlerës së tokës në zonat bregdetare, referuar vendimit të Qeverisë për hartën e tokës. Fshatrat turistikë që preken nga ky ligj, ndodhen në pjesën më të madhe në qarkun e Durrësit, kryesisht në Golem. Referuar hartës së tokës, çmimi minimal në zonën e bregdetit, deri në 200 metra nga bregu, do të jetë 12 mijë lekë të vjetra. Kështu në Komunën e Golemit, në fshatrat Golem, Kryemëdhej e Qerret, në zonën e plazhit deri në 200 metra nga deti, do të paguhet 12 mijë lekë për metër katrorë, rreth 120 dollarë. Vija bregdetare e zonës së Durrësit, deri në 200 metra nga deti, do të paguhet me 30 mijë lekë për metër. Nga ana tjetër, zonat e Komunës Ishëm, ku ndodhen disa fshatra si Lalëz, do të paguhet 19 mijë lekë për metër katrorë. Zona e plazhit deri në këtë largësi do të paguhet me të njëjtën vlerë edhe për Bashkinë Manëz. Kjo hartë e përgatitur nga AKKP-ja, do të merret si referencë për çmimin që do të paguajnë subjektet e prekura.
Procedura
Vendimi i Qeverisë parashikon që brenda periudhës 6-mujore, personat e prekur nga ligji për të përvetësuar truallin duhet që të dorëzojnë pranë Agjencisë së Legalizimit dokumentacionin financiar, që vërteton kryerjen e pagesës. Më pas nis procedura e nënshkrimit të kontratës, që bën të mundur kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin. Në rastin e kundërt, kur pagesa nuk është bërë plotësisht brenda afatit, subjekti apo personi e humbasin të drejtën për kalim të pronësisë dhe shuma e paguar deri në atë moment kthehet pas. "Në rastet kur subjekti i interesuar, personi i stimuluar kanë paguar një pjesë të çmimit të truallit, por nuk e kanë shlyer tërësisht pagesën, brenda afatit të parashikuar në pikën 2, të këtij vendimi, atij i humbet e drejta për të lidhur kontratën e kalimit të pronësisë dhe i kthehet shuma e paguar", thuhet në vendim. Vendimi i Qeverisë vlerëson edhe rastet e bashkë investimit dhe në këtë rast, nëse njëra nga palët nuk ka shlyer detyrimet e drejta për lidhjen e kontratës, i jepet vetëm palës që ka bërë pagesën.

Harta e vlerës së tokës në zonat bregdetare

Zona çmimi

Durrës, rrethimi i portit detar 22 mijë lekë

Durrës, Brryli i Currilave 24 mijë lekë

Durrës, Vila e Zogut 24 mijë lekë

Durrës, Porti detar 30 mijë lekë

Durrës, Përroi i Agait 30 mijë lekë

Durrës, Rruga e plazhit 30 mijë lekë

Durrës, vija bregdetare deri në 200 m 30 mijë lekë

Durrës, linja hekurudhore 12 mijë lekë

Durrës, mbikalimi te plepat 12 mijë lekë

Bashkia Manëz, Hamallaj,
zonë plazhi 200 m nga bregu 19 mijë lekë

Bashkia Sukth, Rrushkull,
zonë plazhi 200 m nga bregu 19 mijë lekë

Ishëm, Lalëz, zonë
plazhi 200 m nga bregu 19 mijë lekë

Ishëm, Draç, zonë
plazhi 200 m nga bregu 19 mijë lekë

Ishëm, Bizë, zonë
plazhi 200 m nga bregu 19 mijë lekë

Razhbull, zonë
plazhi 200 m nga bregu 18 500 lekë

Golem, zonë
plazhi 200 m nga bregu 12 mijë lekë

Golem, Kryemëdhej
zonë plazhi 200 m nga bregu 12 mijë lekë

Golem, Qerret, zonë
plazhi 200 m nga bregu 12 mijë lekë

Ligji, preken 32 fshatra turistikë

Ligji "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin", prek 32 fshatra turistikë gjithsej. Kjo shifër është bërë e ditur nga përfaqësuesit e Qeverisë në kohën kur projektligji diskutohej në Komisionit Parlamentar. Qeveria ka dhënë në vite 32 të drejta për zhvillime të fshatrave turistikë, në formë koncesioni për 99 vjet. Përfaqësuesit e Qeverisë argumentonin se nga 32 fshatra turistikë, vetëm 2 prej tyre i qëndruan kushteve për të zhvilluar turizmin. Pjesa tjetër tashmë do të privatizojë tokën ku janë ndërtuar vilat. Sipas ligjit, personat e interesuar për privatizimin e truallit duhet të paraqesin, brenda një afati 60-ditor, dokumentacionin që do të publikohet nga ALUIZNI. Ata duhet të paraqesin edhe një grup dokumentesh si kërkesë për kalimin e truallit në pronësi, të plotësuar sipas formularit tip, të miratuar nga ministri përgjegjës. Kontratën e lidhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar, planimetrinë dhe sipërfaqen në m2 të njësisë së ndërtuar, si dhe një kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›