Fshehjen nga publiku, Rama e di taktikë politike
Në muajin e përgjigjeve, kur kursi i ri politik i opozitës duhet të ofrojë alternativa të detajuara, Edi Rama preferon t’i shmanget publikut e të arratiset nga realiteti. Arratisjen e ka bërë edhe herë të tjera, gjithmonë kur opozita thirret nga ndërkombëtarët, por Edvini s’mund ta konsiderojë si taktikë politike një fshehje në “shpellën e vet politike”, e cila pasqyron çdo ditë, veç paaftësi për të përmbushur rolin që i takon një lideri politik
Që “kursi i ri politik” i pretenduar nga Edi Rama se do “të shpaloset” tash e tutje nga ana e PS-së, është vetëm një teori shterpë, kjo dukshëm bie në sy në këto ditë të mbushura me pushime dhe relaks për kryesocialistin. Ndërsa pas hedhjes së idesë së teorisë së “kursit të ri politik”, PS-ja duhet të “vlonte” nga argumentet dhe drejtuesit e deputetët e saj duhet të mos lodheshin së zhurmuari për “të mirat” e kësaj teorie, për çudi, teoria e “kursit të ri politik”, ka mbetur vetëm teori në letër.... Sigurisht kjo ka ndodhur edhe për meritë të Edi Ramës, i cili “e ka bërë si burrat” dhe nuk ka thënë asgjë më shumë, që të paktën të mos lërë Pandeli Majkon, Spartak Ngjelën, apo edhe Skënder Gjinushin, të mbyten në thatësirën që po pason teorinë e “kursit të ri politik”..., por që ata e ngatërrojnë me “ndryshimet në kushtetutë”.
Ndërsa ky muaj, pritshëm i konsideruar si muaj i përgjigjeve, gjatë të cilit “kursi i ri politik i opozitës” duhet të kishte përgjigje të detajuara, Edi Rama preferon t’i shmanget publikut, të arratiset nga realiteti, veç për të mos i dhënë këto përgjigje.
Në fakt, me këtë shmangie të zgjedhur prej atij vetë, me shumë gjasa Edi Rama qëllimshëm ka zgjedhur një herazi të bëjë edhe rolin e strucit, i cili duke zhytur kokën në rërë, pretendon se nuk e shohin.
Pikërisht, këtë “sjellje” prej struci, Edi Rama ka përqafuar dhe e ka bërë të tijën..., sepse kështu “i vjen më shumë për shtat”, situatës në të cilën ndodhet, pas humbjes së radhës të zgjedhjeve të radhës.
Duke u fshehur, e duke “mos u ndjerë e bërë i gjallë”, Edi Rama shpreson që të harrohet se është ai dhe vetëm ai, shkaktari i humbjes së radhës të zgjedhjeve të radhës. Humbja e tij e dyfishtë (humbja edhe e bashkisë së Tiranës), nuk i lë asnjë shkak e mundësi që Edi Rama të mund të justifikohet. Për pasojë, ai, i mjaftuar me hedhjen e teorisë së “kursit të ri politik”, mjaftohet dhe është në pritje, që Pandeli Majko, Spartak Ngjela, apo edhe Skënder Gjinushi, do të prodhojnë lajme, jo për “kursin e ri politik”, sepse as Edi Rama nuk di ç’të thotë për këtë “kurs...”, por për “ndryshimet në Kushtetutë”, lajme të cilat do të bëjnë që Edi Rama të harrohet për pak kohë, si shkaktari i humbjes së radhës të zgjedhjeve të radhës.
Por, sigurisht, sezoni i pushimeve do të marr fund një ditë... Deri atëherë, Edi Rama, ka një tjetër plan, jo vetëm në mendje, por edhe zbatim, me protagonist Anastas Angjelin, i cili mësohet se ka filluar të ngulë ku të mundet pesë shtylla, të cilat ai i ka emërtuar si shtylla e “qeverisjes”, “biznesit”, “evoluimit të së majtës”, “hapësirës sociale” dhe shtylla e “integrimit”. Për Edi Ramën, pesë shtyllat që po ngul andej këndej Ansats Angjeli, janë të mjaftueshme për të shtyrë, e për të fituar kohë, për periudhën nga pas pushimeve, deri në kongresin e 5 nëntorit. Se në 5 nëntor pastaj, fillon një “tjetër avaz” për Edi Ramën, i cili ka gjithë të drejtën legjitime të kërkojë të vazhdohet atje “ku e kemi lënë”…, d. m. th., ti kthehet teorisë së “kursit të ri politik”, e cila, sigurisht në ditët e kongresit, nuk ka si të përkthehet më ndryshe, nga “kurs i ri”, për emrat që do të mund të katapultohen në kryesinë e PS-së, me shpresën se kështu do të jenë më afër zemrës së kryetarit. Edi Rama, e di dhe e ka të qartë, se në 5 nëntor, anëtarësia e PS-së, do të merret me emrat e tjerë dhe jo me emrin e tij... Puna është që Edi Rama, të mund të arrijë “i virgjër” deri në 5 nëntor... Kjo është përgjegjësi, jo vetëm e tij, por edhe e Pandeli Majkos, Spartak Ngjelës, Skënder Gjinushit, pse jo edhe Ansastas Angjelit, të cilët po punojnë për ruajtjen “e virgjërisë” së Edi Ramës..., të paktën deri ën 5 nëntor... Deri në ditën e kongresit të 5 nëntorit, Edi Rama kujton se fshehja, kjo mungesë, është taktikë politike, e cila në mos do ti heqë vota, do t’i japë vota…
Të fshehurit e Edi Ramës dhe të luajturit prej ti të rolit të “atij që kur harron nuk mban mend”, është pjesë edhe e “strategjisë” së të cilën ai e vë në zbatim, sa herë që nuk di se çfarë të thotë, e si të mbrohet. Kjo heshtje e Edi Ramës, nuk lidhet me sezonin e pushimeve. Ai e ka bërë edhe herë të tjera rolin e të harruarit... E ka bërë (sa herë, sikurse edhe gjatë kësaj periudhe) kur opozita është thirrur nga ndërkombëtarët të marrë rolin që i takon...
Përpos të gjitha këtyre, Edi Rama ka veç interesin e vogël të fitojë kohë deri me 5 nëntor, por gjithsesi këto mungesa, këto fshehje në “shpellën e tij politike” s’janë lëvizje politike, por veç paaftësi për të përmbushur çdo ditë rolin që i takon një lideri politik.