E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshehtësi dhe paqartësi për krerët e BE-së

Një ditë para takimit të BE-së për të rënë dakord në lidhje me emrat për dy postet e reja që do të hapen në bazë të Traktatit të Lisbonës, procesi i kandidimit është tërësisht kaotik. Presidenca suedeze është përpjekur që të nxjerrë një listë kandidaturash të mundshme, një për postin e Presidentit të Këshillit Europian dhe një për shefin e politikës së jashtme. Këtë e ka bërë përmes telefonatave e kontakteve të vazhdueshme diplomatike. Por ajo që dihet deri më tani është se në rastet e vendimeve shumë të rëndësishme për t‘u marrë për dy postet e sipërpërmendura si dhe për një post të tretë që nuk përmendet shpesh, por që është njëherazi i rëndësishëm, ai i sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit, vështirësitë janë të mëdha, pasi duhet të kalosh përmes kufijve gjeografikë, ideologjikë dhe politikë të të gjitha vendeve anëtare. Të martën që shkoi, Madridi njoftoi se ministri i Jashtëm, Miguel Angel Moratinos, ishte në kandidaturë për postin e diplomatit kryesor të BE-së, por ndërkohë, ka shumë emra kandidatësh të tjerë që përfliten pa u zyrtarizuar kurrë. I tillë është edhe emri i kandidatit të mundshëm ish-kryeministrit italian, Massimo D‘Alema. Kryeministri belg, Herman Van Rompuy, nga ana tjetër konsiderohet si i preferuari i Brukselit për të fituar postin e Presidentit, por në listë, ndërkohë mbeten edhe emrat e kandidatëve të tjerë si ata të liderëve të Luksemburgut dhe të Holandës. Disa diplomatë sugjerojnë edhe se kandidatura e ish-kryeministrit britanik që ishte shumë e favorizuar kohë më parë për postin e kreut të BE-së nuk duhet të konsiderohet aktualisht krejtësisht jashtë loje. Për momentin, vendet anëtare duket se kanë rënë në një mendje për sa i përket faktit se presidenca e BE-së duhet t‘i jepet dikujt që vjen nga qendra e djathtë, ndërsa posti i shefit të politikës së jashtme duhet t‘i shkojë një politikani të qendrës së majtë për të ruajtur balancat. Ndërkaq, disa gra deputete kanë krijuar një grup dhe janë ankuar në lidhje me moskonsiderimin e faktit që vendi më i lartë i BE-së mund t‘i jepet edhe një gruaje, duke e cilësuar klimën në BE si diskriminuese. Ndërkaq, i gjithë procesi që po zhvillohet për herë të parë është kompromentuar edhe nga natyra e fshehtë që ka. Kryeministri suedez, Frederik Reinfeldt, pranoi se në këtë proces asnjë nga kryeministrat aktualë të vendeve të BE-së që ka një synim për postin nuk do që objektivi i tij të merret vesh publikisht, apo të bëhet zyrtar. Sipas tij, shumë prej kryeministrave janë të interesuar për punën, por nuk duan zyrtarizimin e kandidaturës derisa ta kenë pozicionin të sigurt.
Ata druhen se në rastet e transparencës do të përballeshin me kundërshti në vendin e tyre ndaj mund t‘u krijoheshin probleme. Megjithatë, suedezët kanë pohuar faktin se procesi i kandidimit mbetet ende larg konsensusit për të gjitha postet e lira

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›