E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria i pret drejtësisë "rubinetin" e parave

Qeveria nuk pranon t‘i japë Kryeprokurores së Republikës, Ina Rama, sasinë e fondeve që ajo ka kërkuar për të plotësuar sektorin e luftës ndaj korrupsionit. Bëhet fjalë për vetëm 40 vetë shtesa në personel, por që Ministria e Financave dhe deputetët e PD-së i kanë bërë thirrje që të riorganizonte organikën dhe të jetë më nikoqire. Institucionet e drejtësisë kanë shprehur rezerva lidhur me fondin që qeveria ka caktuar për to në buxhetin e vitit 2010. Gjatë një diskutimi në Komisionin e Ligjeve, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi se institucioni që ajo drejton ka nevojë për më shumë fonde për shkak të rikonstrukturimit. Kryeprokurorja Rama tha se sikundër anëtarët e Gjykatës së Lartë edhe prokurorët kanë nevojë për konsulentë ligjorë, çka do ta çojë në 335 numrin e punonjësve në organin e akuzës. "Ligji për prokurorinë i ndryshuar vjet parashikon në një nen të tij që prokurorët do të gëzojnë të njëjtin trajtim dhe të njëjtat bonuse siç gëzojnë gjyqtarët në varësi të shkallës gjyqësore pranë të cilës kryejnë funksionet. Duke qenë se gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kanë konsulentë ligjorë, ne thamë, (jo në ato nivel që ata kanë, secili nga një konsulent), por një ndihmës për dy prokurorë. Një ndihmesë e tillë do ishte efikase për punën e Prokurorisë", deklaroi Prokurorja e Përgjithshme. KLD krahasuar me 2009 ka një shtesë prej 10 punonjësish në organikë duke e çuar numrin e përgjithshëm 51. Megjithatë, nënkryetari i KLD-së, Spahiu, tha se rritja e kontrolleve në të gjitha gjykatat e vendit kërkon më shumë njerëz. "Këto funksione të inspektimeve tematike apo të vlerësimit të punës së gjyqtarëve vazhdon në 30 gjykata të shkallës së parë dhe të Apeleve dhe që korrespondojnë me punën e 345 gjyqtarëve, de fakto, apo 375 gjyqtarëve. Të gjitha këto detyra realizohen nga vetëm 12 inspektorë. Vetëm në këto muaj brenda vitit 2009 në KLD janë adresuar 900 ankesa të cilat janë pjesë e punës së inspektoratit për t‘u verifikuar", deklaroi Kreshnik Spahiu. Në buxhetin e vitit 2010, Zyra për Administrimin e Buxhetit Gjyqësor ku përfshihet edhe Gjykata e Lartë ka fondin kryesor prej më shumë se 1 miliardë e 300 milionë lekësh. Përfaqësuesit e kësaj zyre deklaruan se nevojat janë sërish të mëdha nëse bëhet fjalë për shpenzime operative. Rezerva pranë komisionit ka shprehur dhe Avokati i Popullit, i cili është deklaruar i pakënaqshëm me shkurtimin e skajshëm të shpenzimeve operative çka do të cenojë në punën e përditshme të inspektorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›