E Shtunë, 31 Tetor 2026

90 për qind e mjekëve, të parregullt në punë

Gati 90 për qind e mjekëve, infermierëve, laborantëve që punojnë në qendrat shëndetësore nuk janë të rregullt gjatë orarit të punës. Një pjesë e tyre nuk qëndrojnë në punë, nuk respektojnë orarin zyrtar, të tjerë nuk japin përgjigje të sakta të analizave. Shumë prej personelit shëndetësor nuk përshkruajnë receta të sakta për pacientët që përfitojnë nga lista e barnave. Nga 298 mjekë që janë kontrolluar, 250 prej tyre janë kapur në gabim ndërkohë që nuk mbeten pas me neglizhencën as drejtuesit e qendrave. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka njoftuar dje se gjatë kohëve të fundit janë ushtruar kontrolle në 87 qendra shëndetësore dhe janë penalizuar për parregullsi një listë e gjatë mjekësh.

Kontrollet nuk kanë toleruar as vizitat që kanë kryer mjekët për pacientët, të cilët punojnë në të zezë apo janë të papunë dhe nuk kanë një librezë shëndetësore për të marrë trajtim mjekësor.

"Janë kontrolluar dhjetë rajone të vendit në kontrolle periodike dhe kontrolle të befasishme në lidhje me respektimin e orarit zyrtar në punë. Janë kontrolluar 87 qendra shëndetësore dhe 298 mjekë të familjes të kontraktuar me këto qendra", tha drejtori i Kontrollit të Jashtëm në Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Pjerin Kodraçaj.

Sipas tij gjatë kontrolleve janë vërejtur edhe mangësi në menaxhimin e qendrave shëndetësore nga drejtuesit e tyre. Nisur nga kjo në zbatim të kontratës janë rekomanduar kushte penale ndaj dy drejtuesve të Qendrave Shëndetësore në masën 10 mijë lekë dhe ulje në detyre ndaj një drejtuesi.

Janë konstatuar shkelje të disiplinës në punë nga personeli i qendrave shëndetësore. Në disa qendra shëndetësore të rajoneve Lezhë, Berat, Dibër dhe Tiranë, mjekët nuk janë gjetur në vendin e punës brenda orarit zyrtar.

Sipas ISKSH-së janë vërejtur shkelje të plotësimit të dokumentacionit nga ana e mjekëve kryesisht në keqmenaxhimin e kartelës personale të të sëmurëve, parimin e zgjedhjes së lirë të mjekut, shkelje të rregullave të kryerjes së vizitës, duke vizituar banorë të pasiguruar, pa zbatuar tarifat e vendosura

"Janë rekomanduar masa administrative gjobë ndaj 140 mjekëve, në vlerë 361 mijë lekë", deklaroi Kujdesi Shëndetësor.

Kontrollet e Institutit kanë konstatuar shkelje në trajtimin e të sëmurëve me barna me rimbursim, duke shkelur protokollet e përdorimit të barnave, përcaktimet e listës së rimbursueshme. Sipas ISKSH-së mjekët janë gjetur në gabim për mosargumentim të vendosjes së diagnozës dhe mangësi të ekzaminimeve laboratorike dhe imazherike. Në zbatim të kontratës janë rekomanduar masa zhdëmtimi ndaj 110 mjekëve, në vlerë totale 780 mijë lekë.

L.Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›