Fshesaret e ardhshme?
• Edmond Tupja
Dikur, në rininë time, më zgjonin herët në mëngjes fshesaret
e rrugëve. Ishin femra. Punonin natën. Thuajse të tëra rome ose arixhofka, siç thuhej atëherë, në kohë e qepës komuniste. I mbaj mend si tani: fshinin fytyrëmbështjella me napa të bardha. Nganjëherë, kur kthehesha nga ndonjë dasmë apo darkë e vonë me miq, i shihja mbështetur pas ndonjë muri dhe shtrënguar pas njëra-tjetrës tek përpiqeshin të merrnin një sy gjumë. Madje më kujtohet edhe një si biçim gazmoreje për to: njërës syresh, pak e leshtë, ditën e parë të punës, i ngjitën në dorë një fshesë shqope dhe i thanë të fshinte rrugën e Durrësit. Ajo iu fut punës me zell dhe mbas nja gjashtë orësh të mira, shefi i saj mori një telegram: “Jam në Shkozet Pikë Më dërgoni fshesë se m’u sos kjo që kam Pikë Shpresoj të arrij në Durrës para se të lindë dielli Pikë Sabrija”.
Pas rënies së diktaturës, fshesaret rome nisën, pak e nga pak, ta lënë atë zanat sepse burrat apo vëllezërit e tyre u morën me biznese të vogla, të tipit “Gaby & Company” ose “Gabriella’s Fun”, që u ecën mbarë. Sot, po të shëtisësh në Tiranë e të vëzhgosh rreth e rrotull, do të vëresh se fare të pakta në numër janë gratë rome që pastrojnë rrugët; shumica e fshesareve të sotme janë “gaxhie”, d.m.th., lëkurëbardha. Sigurisht, edhe pa folur me to, mund ta marrësh me mend, pa u gabuar, që janë të ardhura nga zonat e largëta fshatare ose malore; burrat e tyre janë nga ata emigrantë të brendshëm që janë vendosur këto kohët e fundit në rrethinat e kryeqytetit dhe që pranojnë çdo lloj pune, edhe nga më të keqpaguarat. Këto gra punojnë kokulura, pa bërë fjalë; duken që ende nuk janë mësuar me Tiranën e zhurmshme; lamtumirë ajër i pastër, ujë burimi, cicërima zogjsh e aroma bari e lulesh të egra; ç’rëndësi kanë këto kur nuk ke ç’të hash? Kabull ujin e ajrin e ndotur të Tiranës (e dinë vallë ato që çdo banor i kryeqytetit thith në vit 40 kg pluhur?) për një copë bukë, madje edhe për një copë mish herë pas here e ndonjë frut importi të skaduar, ushqim pak a shumë i rregullt në rastin më të mirë; kabull zhurmat dhe vetminë sociale për disa rroba e këpucë që i gjen pikërisht te “Gaby & Company” ose te “Gabriella’s Fun” me çmime deri diku të arsyeshme; kabull rrezikun e drogës e të prostitucionit për një antenë parabolike e emisione që, gjithsesi, seç kanë diçka tmerrësisht joshëse kur shihen fshehurazi fëmijëve, me ose pa burrin; kabull edhe rrezikun e “gërdecimit” të një ekzistence anonime, për të mos thënë mjerane, me një fjalë, kabull dinjitetin e shkelur për një mirëqenie prej qeni të rrahur pa mëshirë nga jeta e kryeqytetit indiferent deri në përbuzje.
Po nesër, kush do ta marrë stafetën e tyre si fshesare kur ato të kenë dalë në pension e të marrin çdo muaj një shumë parash qesharake, aq qesharake sa do t’u vijë për të qarë gjer në alivan? Ndoshta gra emigrante nga Bangladeshi, Pakistani apo Kurdistani? Oh, nuk jam fort i sigurt për këtë variant të fundit! Se emigrantët klandestinë nga këto vende vetëm sa kalojnë transit në Shqipëri për t’u vendosur në vendet e Bashkimit Europian, ku zanati i fshesares paguhet shumë më mirë sesa ai i mësuesit, mjekut apo inxhinierit në vendin tonë. Kush, atëherë, do të mund t’i zëvendësojë fusharaket e malësoret tona të dëlira që ushtrojnë zanatin e fshesares në Tiranë? Natyrisht, nuk bëhet fjalë për robotë, prodhime të një industrie high-tech bazuar në idenë që asnjë qenie njerëzore e denjë për këtë emër të mos e hajë at’tek të fshesarizmit primitiv. Pra, kush, atëherë, do të jetë flamurtarja e radhës me fshesë në dorë e këtij nën proletariati kryeqytetas?
Përgjigjja ime mund të skandalizojë shumë prej lexuesve e, sidomos, prej lexueseve të mia shpirtbrishta: e ndiej dhe e parandiej, e shoh dhe e parashoh, e them dhe e parathem që pas disa vitesh jo pak nga studentet e mia rrezikojnë të marrin fshesën në dorë dhe, për të mbijetuar, të pastrojnë rrugët e Tiranës. Përse mendoj kështu? E thjeshtë fare! Prej disa kohësh, mjaft nga studentet e mia, megjithëse kanë një diplomë universitare, punojnë si kameriere, banakiere (jo bankiere), shitëse e centraliste, me ose pa sigurime shoqërore; mjaft prej tyre orvaten dëshpërimisht të sistemohen në ndonjë vend të Bashkimit Evropian; e kush më siguron se ndonjëra prej tyre nuk është martuar apo nuk do të martohet së shpejti me ndonjë plakaruq të pasur apo, në rastin më të keq, nuk ka përfunduar apo nuk do të përfundojë së shpejti rrëzë semaforëve për të ushtruar zanatin më të vjetër e më poshtërues në botë për femrën e mijëvjeçarit tonë modern që po e vë fort e më fort theksin, ndër të tjera, te barazia gjinore?