Prokuroria: Mediut t’i hiqet imuniteti
• Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dyshohet se ka konsumuar...
Trazhgim Sokolaj
... veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në procedurat që lidhen me çmontimin dhe demilitarizimin e municioneve të ushtrisë shqiptare. Për këtë shkak grupi hetimor i dosjes “Gërdeci” në Prokurorinë e Tiranës shpalli dje moskompetencën e hetimit, pasi ish-ministri Mediu gëzon imunitet si deputet i Partisë Republikane në Parlamentin e Shqipërisë. Prokuroria e Tiranës pas një analize të filluar në orët e mëngjesit të djeshëm, e cila përfundoi rreth mbrëmjes, shqyrtoi provat e gjetura gjatë hetimeve 15-ditore për tragjedinë e ndodhur në fshatin Gërdec. Në përfundim të analizës tërësore të dosjes, Prokuroria e rrethit Tiranë ka gjetur elementë që ngrenë “dyshime të bazuara” se ish-ministri Mediu ka konsumuar veprën penale “shpërdorim detyre”. “Nga të dhënat e përfituara nga hetimi i deritanishëm, grupi hetimor ka ngritur dyshime, sipas së cilave ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mund të ketë konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës”, tha zyra e shtypit në Prokurori. Për shkak se Prokuroria e rrethit Tiranë nuk ka kompetencë ligjore për të ngritur akuzë ndaj personave me imunitet parlamentar, dosja “Gërdeci” me nr.916 është dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme. Ky fakt u konfirmua nga Zyra e Kryeprokurores Ina Rama dje në mbrëmje rreth orës 20:00. Ajo tha se ka filluar shqyrtimin e dosjes në fjalë. “Grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës, i cili po merret me çështjen e Gërdecit, vendosi të shpallë moskompetencën për vazhdimin e hetimit të kësaj çështjeje dhe ia kaloi aktet Prokurorisë së Përgjithshme si instanca kompetente”, tha zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme, Holta Zhiti. Sipas saj, duke qenë se hetimi i personave që gëzojnë imunitet është në kompetencë të Prokurorisë së Përgjithshme, dosja u ka kaluar për shqyrtim prokurorëve të kësaj prokurorie.
Moskompetenca
Në vendimin e dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës shprehet se, “nga provat e mbledhura në dosjen ‘Gërdeci’ ka elementë për të dyshuar se ish-ministri Mediu me veprimet dhe mosveprimet e tij ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Në këto kushte, Prokuroria e Tiranës verën se veprimet e mëtejshme nuk janë kompetencë e saj dhe se kërkesa për heqjen e imunitetit është kompetencë ligjore e procedurale e Prokurorisë së Përgjithshme, për t’i hapur rrugë ndjekjes penale të mëtejshme për këtë akuzë”, thuhet në vendimin e Prokurorisë së kryeqytetit. Organi qendror i akuzës ka kompetencën ligjore që t’i drejtohet Parlamentit me kërkesë për heqje imuniteti ndaj personave që e gëzojnë atë dhe që dyshohen të kenë kryer vepra penale. Heqja e imunitetit që gëzon personi i dyshuar i hap rrugë më pas veprimeve hetimore të Prokurorisë dhe zbatimit të masave të parashikuara nga ligji për veprën penale që personi në hetim dyshohet se ka kryer. Zyrtarë të lartë të Prokurorisë i thanë dje gazetës “Panorama”, se vendimi i djeshëm i Prokurorisë së Tiranës nuk nënkupton detyrimisht heqjen e imunitetit të ish-ministrit Mediu. “Në Prokurorinë e Përgjithshme ka filluar shqyrtimi i materialeve për të vlerësuar vendimin e marrë prej prokurorëve të Prokurorisë së Tiranës. Bashkë me shqyrtimin e dosjes po punohet edhe për përcaktimin e hapave të mëtejshëm”, tha zyra e shtypit e Prokurorisë. Prokuroria e Përgjithshme, sipas ligjit, brenda një afati të caktuar do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Tiranës dhe më pas mund të kërkojë heqjen e imunitetit ose rikthimin e procedimit penal në Prokurorinë e Tiranës. Në rast se Prokuroria e Përgjithshme e cilëson të pabazuar në prova të mjaftueshme vendimin e Prokurorisë së rrethit, dosja rikthehet për hetim në Shkallën e Parë dhe ish-ministri Mediu mund t’i shpëtojë ndjekjes penale për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
KATASTROFA
Ngjarja e ndodhur në magazinën e çmontimit të predhave në Gërdec në orën 12:00 më 15 mars 2008, është bërë shkak që Prokuroria të hulumtojë procedurat e ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes lidhur me procesin e demilitarizimit të municioneve luftarake të ushtrisë shqiptare. Gjatë verifikimit të këtyre procedurave, prokurorët e kryeqytetit kanë ngritur dyshime se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” me veprimet dhe mosveprimet e tij në cilësinë e kreut të dikasterit që ka drejtuar deri pak ditë pasi ndodhi tragjedia e Gërdecit.
ISH-MINISTRI
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mbajti të premten një konferencë shtypi në Ministrinë e Mbrojtjes. Para se të largohej nga Ministria e Mbrojtjes, ish-kreu i këtij institucioni Fatmir Mediu deklaroi se nuk ishte përfshirë në asnjë aferë korruptive të supozuar nga mediat. Mediu mohoi akuzat për shkelje apo abuzime me detyrën, ndërsa theksoi se ishte i gatshëm të përballej me Prokurorinë, pasi organi i akuzës filloi hetimet për tragjedinë e ndodhur në fshatin Gërdec mesditën e 15 marsit, ngjarje që shkaktoi 25 viktima dhe mbi 300 persona të plagosur si dhe dëme të mëdha materiale.
DESHMIA
Katër ditë pas tragjedisë së ndodhur në fshatin Gërdec dhe vetëm një ditë pasi kishte dhënë dorëheqjen nga detyra e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu është marrë në pyetje nga prokurorët e dosjes “Gërdeci” në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Ai ka dhënë deklarime para prokurorit ushtarak Petrit Bica për më tepër se një orë, duke mohuar të kishte pasur dijeni për rrezikun dhe shkeljet e shumta të rregullave të sigurisë gjatë punës për demontimin e predhave në fabrikën e ngritur në ish-repartin e tankeve në Gërdec të Vorës.
Dyshimet për Mediun nga dokumentet e “MEICO” dhe dëshmitë e gjeneralëve
TIRANE – Faktet kryesore që hedhin dyshime ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, sipas Prokurorisë janë dokumentet që ai ka nënshkruar për aktivitetin dhe veprimtarinë e ndërmarrjes “Meico” si dhe dëshmitë e dhëna në Prokurori nga gjeneralët e Forcave të Armatosura. Duke refuzuar të bëjnë të ditura veprimet e ish-ministrit, të cilat i konsiderojnë “shpërdorim detyre”, burimet nga Prokuroria e Tiranës thanë se baza kryesore e këtyre dyshimeve është dokumentacioni i dalë nga zyra e ministrit të Mbrojtjes në drejtim të ndërmarrjes “MEICO” apo shkresat e dërguara organeve të tjera ushtarake lidhur me veprimtarinë dhe marrëdhëniet e tyre me ndërmarrjen shtetërore “MEICO”. Vetë ish-drejtori i kësaj ndërmarrje, Ylli Pinari, është arrestuar vetëm tri ditë pas tragjedisë së Gërdecit, me akuzat e shkeljes së rregullave të sigurisë për lëndët luftarake dhe radioaktive. Nga ana tjetër, sipas Prokurorisë, dyshime mbi veprimet e ish-ministrit hedhin edhe deklarimet e gjeneralëve të ushtrisë, duke filluar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, Komandanti i Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu dhe zyrtarë të tjerë të ushtrisë. Ata janë shprehur se kompetencën e mbikëqyrjes dhe kontrollit mbi firmat që kryenin demontimin e municioneve, ministri i Mbrojtjes ia kishte lënë ndërmarrjes “MEICO”, duke “përjashtuar” specialistët dhe strukturat e ushtrisë. t.s
Rojet e Gërdecit në gjumë, baruti në mëshirë të fatit
“Datë 30 nëntor 2007. Gërdec, Vorë. Sipas kontrollit të ushtruar në orën 19:50 në depon e barutit, roja u gjet plotësisht jashtë shërbimit, pa armë.
Nuk bëri ndalesë. Flinte gjumë. U ngrit në këmbë pasi i folëm në emër nga 2 metër largësi. Depot e barutit janë pa shërbim. Të merren masa. Kontrolli u bë nga unë dhe roja Besnik Buci. Firmosur: Dritan Minxolli, Arian Koçiu, Besnik Buci dhe përgjegjësi i turnit, Julian Budo”. Ky procesverbal i mbajtur me shkrim dore, u gjet në kasafortën e Dritan Minxollit mes rrënojave të fabrikës së demontimit në Gërdec. I hartuar në një fletë formati A4, procesverbali ishte vendosur diku mes dokumenteve të shumtë që kishte përpiluar Minxolli. Ndërsa njëlloj si të tjerët, edhe kjo letër nuk i kishte shpëtuar lagështirës që kishte hyrë si pasojë e djegies së gominës izoluese të kasafortës.
Procedurat
Fabrika e demontimit të municioneve në Gërdec ruhej nga dy efektivë të një policie private, në bazë të kërkesës së bërë nga Mihal Delijorgji. Atëherë kur është mbajtur procesverbali, Delijorgji sapo kishte përfunduar një kontratë për demontimin e një sasie predhash të kalibrit të vogël dhe ishte gati për të lidhur një tjetër kontratë me MEICO-n për demontimin e një sasie tjetër mocioni, të kalibrave më të mëdhenj. Ndërkohë baruti i përfituar nga shpërbërja e predhave ishte magazinuar brenda ish-repartit ushtarak të përshtatur në fabrikë demontimi dhe duhet të ruhej nga efektivë te policisë private, që kishte kontraktuar shoqëria e Mihal Delijorgjit “Alba Demil”. Magazinimi i sasive të mëdha të barutit përbënte rrezik jo vetëm për fabrikën, por edhe zonën përreth, çka kërkonte ruajtjen e saj me super masa sigurie. Por ndryshe nga kjo, roja i vetëm që shërbente aty gjatë një kontrolli rutinë është gjetur në gjumë, pa armë dhe plotësisht jashtë shërbimit. Kopja e procesverbalit, e cila tashmë ndodhet në dosjen hetimore, është përpiluar nën drejtimin e Minxollit menjëherë pasi është gjetur në gjumë roja i fabrikës.
Vigjilenca
Siç duket edhe pas kësaj serioziteti i punës nga ana e rojeve ka lënë për të dëshiruar, pasi disa prej punëtorëve pohuan pas tragjedisë se mjaft prej kolegëve të tyre merrnin në punë fëmijët, duke përfituar nga mungesa e vigjilencës së dy policëve privatë që ruanin objektin. Madje, pas katastrofës së 15 marsit, u shoqërua për disa orë në polici presidenti i firmës që ruante objektin me dyshimin se zjarri që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit kishte ardhur nga jashtë, por pas hetimeve paraprake nuk rezultoi një gjë e tillë, pas së cilës ai u la i lirë. Ndërsa pas shpërthimit rezultoi se njëri prej efektivëve të policisë private që kryente shërbimin në Gërdec humbi jetën ditën e tragjedisë. Ish-reparti ushtarak i Gërdecit ishte transformuar në fabrikë demontimi të municioneve, duke i përshtatur godinat ekzistuese për këtë qëllim, si dhe duke i shtuar disa ndërtime të reja në të. Mjediset e fabrikës ishin të thurura me tela me gjemba, ndërsa brenda saj punonin rreth 180 punëtorë. Në të shërbenin çdo turn dy policë privatë, nga një nëpër secilën prej dyerve të fabrikës.
Hetimi
Tashmë ky procesverbal i është bashkëngjitur dosjes hetimore që po përgatit organi i akuzës në ngarkim të tre të arrestuarve për katastrofën e 15 marsit, që shkaktoi të paktën 26 persona të vdekur dhe 296 të tjerë të plagosur. Me anë të tij organi i Prokurorisë pritet të vërtetojë se siguria në fabrikë ishte e ulët, ndërkohë kjo mendohet se është edhe shkaku i tragjedisë. Siç duket Minxolli ka kuptuar se cilat mund të ishin pasojat nëse shpërthente depoja e barutit, që në fakt ishin disa kontenierë ku magazinohej baruti i futur nëpër thasë pasi nxirrej nga gëzhojat e predhave. Pikërisht ky barut do të ishte shkaktari i katastrofës që do ndodhte tre muaj e gjysmë më vonë dhe të shënonte përmasat më të mëdha në dëme njerëzore dhe materiale. Aktualisht pista më e mundshme për shpërthimin është se shkëndija fatale doli nga njëra prej karrocave që përdorej për të transportuar barutin. Karroca e këputur u saldua jashtë repartit në banesën e Qemal Deliut dhe pastaj e nxehtë u fut në mjediset e fabrikës. Sipas gjasave mbi të mund të jetë vendosur një thes me barut, i cili është ndezur, ndërsa pak çaste më vonë u kthye në katastrofë.
Teksti
Procesverbal
Datë 30 nëntor 2007. Gërdec-Vorë.
Sipas kontrollit të ushtruar në orën 19:50 në depon e barutit, roja u gjet plotësisht jashtë shërbimit, pa armë.
Nuk bëri ndalesë. Flinte gjumë.
U ngrit në këmbë pasi i folëm në emër nga 2 metër largësi.
Depot e barutit janë pa shërbim.
Të merren masa.
Kontrolli u bë nga unë dhe roja Besnik Buci.
Firmosur:
Dritan Minxolli, Arian Koçiu, Besnik Buci dhe përgjegjësi i turnit, Julian Budo.
Akuza: Siguria, jo shkak i tragjedisë
TIRANE – Agim Vrana, presidenti i shoqërisë “Vrana-Security” që ruante fabrikën e demontimit në Gërdec, u ndalua tri ditë pas katastrofës bashkë me Mihal Delijorgjin e Dritan Minxollin, përkatësisht ortakë dhe drejtor i “Alba Demil” dhe drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinarin. Vrana u mbajt tetë orë i izoluar në policinë e kryeqytetit dhe pas kryerjes së veprimeve paraprake hetimore rezultoi se katastrofa nuk ishte krijuar nga një ndërhyrje jashtë fabrikës së Gërdecit. Kjo ishte arsyeja e lirimit të tij nga qelia, ndërsa tre të bashkarrestuarit me të u morën nën akuzë për tragjedinë e rëndë që shënoi të paktën 26 të vdekur dhe 296 të plagosur. I kontaktuar mbrëmë nga “Panorama” në lidhje me procesverbalin e mbajtur më 30 nëntor të vitit të kaluar për një roje të magazinave të barutit, që ishte gjetur në gjumë dhe i paarmatosur, Vrana pohoi se atëherë ky objekt nuk sigurohej nga shoqëria e tij, por nga një tjetër. Ai tha se kontratën me “Alba Demil” e kishte nënshkruar në fillim të vitit 2008, kur kjo firmë kishte nisur të zbatonte një tjetër kontratë me MEICO-n për demontimin e predhave të kalibrave të mëdhenj. Vrana gjatë momentit të ndalimit mësohet se ka pohuar për grupin hetimor se në kontratën që kishte bërë me “Alba Demil” i kishte ofruar kësaj shoqërie dy policë rojë, aq sa i ishin kërkuar. Policët e tij, sipas hetimit, kishin kryer në rregull detyrën, ndërsa njëri prej tyre mbeti i vdekur mes viktimave të tragjedisë së rëndë të dy javëve më parë. Ndërsa burime të tjera pohojnë se dy policët e shoqërisë “Vrana–Security” qëndronin në dy hyrjet kryesore të rrethimit të ish-repartit të Gërdecit, të përshtatur në fabrikë për demontimin e municioneve luftarake të kalibrave të mëdhenj. fa.ma.
Ja urdhri: Gërdec, MEICO përgjegjëse për sigurinë
Ndërmarrja MEICO në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë përgjegjëse për zbatimin e standardeve të sigurisë së çmontimit të municioneve luftarake në Gërdec.
Prej janarit të këtij viti, në fabrikën e firmës “Alba Demil” në ish-repartin e tankeve në Gërdec ka filluar çmontimi i predhave të kalibrave të rëndë 37 deri në 152 milimetra. Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga gazeta “Panorama”, ndërmarrja MEICO ishte edhe pronare e truallit ku ishte vendosur më parë Brigada e Tankeve, tashmë e kthyer në fabrikë demontimi për predhat. Që prej tetorit të vitit të kaluar, kjo sipërfaqe kishte kaluar në administrim të ndërmarrjes MEICO me urdhër të ministrit të Mbrojtjes. Deri në atë kohë ruajtja e territorit ka qenë në varësi të Forcave të Armatosura. Urdhri i datës 7 dhjetor 2008, me numër 2044, bën fjalë për kalim të municioneve ndërmarrjes MEICO dhe i jep asaj të drejtën mbi territorin e fabrikës së demontimit. Në këtë urdhër përcaktohen edhe përgjegjësitë që do të ketë kjo ndërmarrje në ruajtjen dhe kontrollimin e standardeve të sigurisë në ambientin në të cilin do të punohej me çmontimin e municioneve dhe armatimeve.
Siguria
Në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes, Mediu, standardet e sigurisë, mbrojtja nga zjarri dhe sigurimi i jetës dhe shëndetit të punëtorëve, përcaktohen në pikën nr.8 si detyrime të ndërmarrjes MEICO. Sipas urdhrit, ndërmarrja MEICO përgjigjet për zbatimin nga kontraktori (firma amerikane SAC dhe Alba Demil), të procedurave dhe standardeve të sigurisë gjatë demontimit. Sipas dokumentit, kontraktori duhej të kishte standarde të larta në drejtim të sigurisë së objektit nga zjarri si dhe të merrte masa mbrojtjeje për punëtorët. Punonjësit që do të angazhoheshin në këtë proces pune që kishte rrisk dhe shkallë të lartë rrezikshmërie, gjithashtu duhej të kishin të garantuar jetën dhe shëndetin e tyre gjatë procesit të çmontimit të municioneve. Paragrafi i fundit i kësaj pike të urdhrit kërkon që vëzhgimi i respektimit të rregullave të sigurisë dhe standardeve do të kryhej nga ndërmarrja MEICO e Ministrisë së Mbrojtjes. Pavarësisht këtyre kërkesave, standardet e sigurisë duket qartë se nuk janë respektuar dhe procesi i punës që kryhej nga punëtorët e pakualifikuar e ka rritur edhe më tepër riskun që mund të vinte nga një aktivitet i tillë si demontimi. Përveç kësaj, MEICO duhej të kishte monitoruar hyrjen e fëmijëve në objekt, ky veprim përbënte edhe një shkelje të rëndë të sigurisë nga sipërmarrësit e projektit.
Ruajtja e objektit
Pika nëntë e këtij urdhri të ish-ministrit Mediu, thotë se ruajtja e rajonit të Gërdecit ku ndodhej reparti dhe e depove të municionit, do të kryhej prej Komandës së Forcës së Bashkuar. Në këtë pikë parashikohet që edhe hyrja e dalja e personelit të fabrikës të punësuar aty, duhej të kryhej kundrejt rregullave të parashikuara në këtë projekt. Pavarësisht se Mediu kishte urdhëruar ruajtjen e objektit nga Komanda e Forcës së Bashkuar të Forcave të Armatosura, kjo ruajtje nuk mund të kryhej sipas rregullave ushtarake, duke e barazuar objektin me një repart ushtarak. Kjo, pasi në muajin tetor ky objekt i kishte kaluar për administrim ndërmarrjes MEICO dhe subjektit “Alba Demil”. Një oficer i ushtrisë tha se prej tetorit 2007 rrethimi i objektit dhe siguria e brendshme e tij ishte në kompetencë të një subjekti tjetër privat. Një fakt i tillë pasqyrohet edhe në pikën nr.7 të urdhrit, ku thuhet se MEICO duhet t’i vërë në dispozicion të projektit të demontimit ambientet në administrim të saj, konkretisht repartin e Gërdecit. Në kokën e urdhrit dhe në pikën nr.1 të tij, thuhet se Komanda e Forcës së Bashkuar dhe Komanda Mbështetëse duhej të furnizonin ndërmarrjen MEICO-n, duke kryer kalimin e municioneve, sipas llojeve dhe sasive që ishin hequr nga përdorimi. Në një urdhër të mëvonshëm, fjala “kalim” është zëvendësuar me fjalën tjetër “dorëzim”. Ky ndryshim nënkuptonte edhe dorëzimin e municioneve me dokumentacionin përkatës dhe nëpërmjet ekspertëve.
Tragjedia godet edhe te tatime
Tragjedia e Gërdecit ka shkaktuar një furtunë të vërtetë në administratën tatimore.
Kreu i Tatimeve ka urdhëruar të shkarkohen 3 punonjës të administratës tatimore, pasi nuk kishin kryer asnjë inspektim në fabrikën e municioneve në Gërdec, ose siç njihet ndryshe në “fabrikën e vdekjes”. Tatimorët duhet të kishin të kontrolluar aktivitetin financiar si dhe numrin e punonjësve të punësuar, por në të vërtetë ata nuk kanë bërë asnjë. Një fakt të tillë e ka konfirmuar dje vetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në një njoftim për mediat, tatimet kanë deklaruar se pasi kanë marrë në shqyrtim përgjegjësitë tatimore që lidhen me ngjarjen e Gërdecit, kanë konstatuar se ka pasur mangësi në zbatimin e detyrave funksionale nga punonjësit e kësaj administrate. Për pasojë janë shkarkuar nga detyra Dan Xhepexhia, përgjegjës i Sektorit të Policisë Tatimore Tiranë; Klodian Beqollari, përgjegjës i Zyrës Rajonale, ish-oficer i Policisë Tatimore në zonë. Një tjetër punonjës që është shkarkuar nga detyra e tij është edhe oficeri i Policisë Tatimore, Muhamet Curra, i cili ishte i ngarkuar me detyrën e koordinatorit të sektorit.
Tatimet
Pas tragjedisë së Gërdecit ku humbën jetën 25 persona dhe u plagosën mijëra të tjerë, administrata tatimore kaloi të sitën e saj të gjithë punonjësit që kishin në përgjegjësinë e tyre të kryenin kontrolle financiare pranë kësaj fabrike. Por asnjë prej tatimorëve nuk kishte kryer detyrën për të cilën paguheshin. Sipas listave të bëra publike nga ana e vetë firmës “Alba Demil”, vetëm në ditën e tragjedisë kanë qenë në punë 121 punonjës, ndërsa të regjistruar në organet tatimore kanë qenë vetëm 2 punonjës, që nuk përfshihen në listën e atyre që kanë qenë prezent në momentin e tragjedisë. Sipas vetë punëtorëve që kanë qenë të punësuar në këtë fabrikë, ata nuk ishin të siguruar dhe kushtet në të cilat kryhej demontimi i predhave ishin tërësisht jashtë standardeve të sigurisë që kërkonte ky proces. Shkeljet në këtë fabrikë nuk kishin të mbaruar. Përveç faktit se shumica e punëtorëve nuk ishin të siguruar, aty punonin edhe të mitur, të cilët edhe këta inspektorët tatimorë nuk i kanë vënë re, pasi nuk kanë kryer asnjë kontroll. Por për fat të mirë në ditën e tragjedisë në punë nuk ka pasur fëmijë, për vetë faktin se prej rreth një muaji, në procesin e çmontimit ishin predha me peshë goxha të rëndë, të cilat fëmijët e kishin të pamundur t’i lëviznin. Shkeljet e rregullave të punës dhe punësimi i punëtorëve jo profesionistë për demontimin e predhave, shkaktuan tragjedinë më të rëndë të ndodhur ndonjëherë në vendin tonë. Si pasojë e shpërthimit të municioneve u shkatërruan rreth 409 banesa, të cilat duhet të rindërtohen nga fillimi. Ndërkohë janë edhe 4179 banesa të tjera, të cilat kanë pësuar dëmtime më të lehta nga shpërthim i municioneve. Kjo kategori objektesh nuk do të rindërtohet nga fillimi, por do të kryhen vetëm punime të pjesshme.
te shkarkuarit
Dan
Xhepexhia, përgjegjësi i sektorit të Policisë Tatimore Tiranë
Klodian Beqollari, përgjegjës i Zyrës Rajonale, ish-oficer i Policisë Tatimore në zonë, duke ndërprerë menjëherë kontratën e punës.
Muhamet
Curra, oficer i Policisë Tatimore i ngarkuar me detyrën e koordinatorit të sektorit, duke ndërprerë menjëherë kontratën e punës.
Oketa vendos paqen me ushtrinë
Ministri i Mbrojtjes, i sapoemëruar në këtë detyrë, Gazmend Oketa, shprehet se përplasjet mes dikasterit të tij që ai drejton dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë do të marrin fund një herë e përgjithmonë.
Akuzat e ndërsjella publike të vërejtura me ish-ministrin Mediu dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë të vërejtura kohët e fundit, për përgjegjësinë e tragjedisë së ndodhur në fshatin Gërdec më 15 mars, bënë nisjen e një konflikti serioz mes dy strukturave ushtarake dhe civile në Ministrinë e Mbrojtjes. “Një ndër porositë e para që kam dhënë me marrjen e kësaj detyre ishte shpjegimi mbi përplasjen mediatike midis Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes për ezaurimin e ngjarjes së Gërdecit. Me njohjen e zonave të prekura nga shpërthimi, shumë shpejt gjithë kësaj zone do t’i kthehet siguria. Mendoj se që nga dita e djeshme nuk do të ketë më përplasje mes Ministrisë dhe Shtabit. Deklaratat dhe përplasjet që keni parë më parë nuk do të përsëriten më në të ardhmen”, deklaroi Oketa. Sipas tij, nuk duhet të ketë më akuza të ndërsjella, pasi ngjarja për t’u zbardhur duhet t’i lihet organeve kompetente, Prokurorisë.
Reforma
Në daljen e parë publike si ministër i Mbrojtjes, Oketa theksoi se pas një analize të hollësishme për ngjarjen tronditëse do të realizohet dhe reforma e plotë në dikasterin që drejton, duke u shprehur se ajo nuk do të mbetet vetëm në emra. Por një veprim i tillë duket se do të ndërmerret pas Samitit të NATO-s, ku Shqipëria pritet të marrë ftesën e anëtarësimit për në aleancën transatlantike. Gjatë këtyre ditëve Oketa do të ketë një raport të plotë mbi sasinë e municioneve në vend dhe mbi mënyrën e demontimit. Gjithashtu do të ketë edhe një raport në lidhje me shkaqet që çuan në tragjedinë e Gërdecit. Pas mbledhjes së tij, pritet të realizohet një analizë e plotë në Ministrinë e Mbrojtjes. “Natyrisht reforma nuk do të jetë vetëm në emra, por edhe më e thellë. Personat përgjegjës do të largohen nga postet që mbajnë, si dhe përgjegjësi do të mbajnë edhe ata që kanë pasur lidhje indirekte me këtë proces”, deklaroi Oketa. Jo jashtë vëmendjes pritet të jetë edhe ligji aktual për procesin e demontimit të armëve apo dhe tregtinë e armëve, të cilën ministri më i ri në detyrë nuk e përjashton dhe me paraqitjen e ndryshimeve të reja ligjore. Ndërsa në lidhje me porosinë e dhënë nga paraardhësi i tij, Mediu, që të ketë kujdes dhe për gjërat më të vogla, ministri shprehet se e ka në natyrën e tij qenia strikt në punë. “Këshillën e ministrit Mediu do ta kem në konsideratë, por është edhe në natyrën time që të jem i kujdesshëm, qoftë dhe në detajet më të vogla. Detyra e secilit funksionar është të tregojë vëmendjen e duhur në cilëndo përgjegjësi”, theksoi Oketa. Sfidat e ministrit janë përcaktuar dy; anëtarësimi i Shqipërisë dhe “Gërdeci”. E dyta nënkupton demontimi i armëve të rrezikshme, ku shifra e dhënë e municioneve të shpërndara që shkon deri në 100 mijë ton në gjithë Shqipërinë. Për sa i përket zonës së Gërdecit, shpresohet që brenda ditës së martë mund të cilësohet e sigurt, duke përjashtuar zonën që ka qenë e ngritur fabrika e demontimit. “Për këtë arsye duhet të ndërmerren të gjitha masat e sigurisë, të gjitha standardet dhe pas një analize të hollësishme do të dalim edhe me veprimet e duhura”, theksoi Oketa.
Rama: Solidarizimi qytetar po mbush buxhetin
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi dje qeverinë se po keqpërdor paratë e mbledhura nga qytetarët në ndihmë të banorëve të Gërdecit. “Është e patolerueshme që qeveria kërkon të mbushë xhepat e buxhetit me fondet e dhuruara nga qytetarët, organizatat, miqtë për viktimat dhe të mbijetuarit e tragjedisë. Këto fonde dhe këto ndihma janë ndihma të solidaritetit qytetar me viktimat dhe të mbijetuarit. Nuk janë ndihma për qeverinë”, tha Rama. Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë një vizite në Konvaleshencën e Durrësit, ku takoi dhe bisedoi me banorë të Gërdecit, të dëmtuar nga tragjedia e dy javëve më parë. I shoqëruar nga një grup deputetësh, të angazhuar në grupin parlamentar për të ndihmuar të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit, Rama ka shpërndarë dhe ndihma të nevojës së parë për të cilat banorët kanë nevojë. Pak ditë më parë, në një takim që pati me ta, Rama ndeshi në kërkesa konkrete të banorëve, të cilët kërkonin me emergjencë rroba, batanije, sende të jetës së përditshme, pasi ishin larguar nga shtëpitë e tyre për të shpëtuar kokat. Një nga banoret në Konvaleshencën e Durrësit u shpreh se ata janë viktima të tragjedisë për të cilën fajtore është qeveria. “Kjo nuk ishte për fajin tonë, ishte për fajin e qeverisë. Ata thonë që nuk dimë gjë, kush e dinte atëherë? Aty vinin 50 makina ushtrie me municion. Ne jemi hallexhi dhe na bënë që të dalim në rrugë të madhe”. Ndërkohë, kryetari socialist Edi Rama ngriti shqetësimin për mungesën e plotë të transparencës nga ana e qeverisë, në administrimin e këtyre kontributeve të solidaritetit qytetar, të cilat nuk janë shpërndarë në mënyrë të plotë te njerëzit në nevojë, por vetëm po shërbejnë për të mbushur xhepat e buxhetit të qeverisë. “Është e patolerueshme që qeveria kërkon të mbushë xhepat e buxhetit me fondet e dhuruara nga qytetarët, organizatat, miqtë për viktimat dhe të mbijetuarit e tragjedisë. Këto fonde dhe këto ndihma janë ndihma të solidaritetit qytetar me viktimat dhe të mbijetuarit. Nuk janë ndihma për qeverinë, e cila është përgjegjëse dhe fajtore dhe e cila nuk mund ta përdorë në mënyrë kaq cinike këtë solidaritet, duke marrë nga njëra anë taksat dhe kontributet e qytetarëve për buxhetin dhe, nga ana tjetër, duke futur dhuratat dhe ndihmat e solidaritetit në buxhet me arsyetimin absurd, se po tejkalohet fondi i emergjencës, i cili është i paqartë, i cili është jo transparent, i cili është fiktiv për sa kohë nuk ka një fond të përcaktuar në bazë të të dhënave dhe të kostove”.
Rajs: Anëtarësimi i A3, siguri në rajon
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, ka mbështetur anëtarësimin e vendeve ballkanike në NATO.
Sipas saj, Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria kanë treguar vlerat e tyre në garantimin e sigurisë. Rajs vlerëson se anëtarësimi në NATO i tre vendeve të Kartës së Adriatikut do të sjellë stabilitet në Evropën Juglindore. Rajs e ka bërë këtë deklaratë në një intervistë për gazetën amerikane “Washington Time”. “Hyrja e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë në Aleancë do të ishte faktor stabilizues në Ballkan në kohën kur kjo është e domosdoshme. Mendoj se këto tre vende treguan vlerat e tyre, duke u përfshirë në disa nisma të sigurisë”, u shpreh sekretarja Rajs. Numri dy i Shtëpisë së Bardhë shprehu keqardhje për moszgjidhjen ende të debatit mes Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit. Rajs foli gjithashtu edhe për kontestin mes Shkupit dhe Athinës për emrin kushtetues të Maqedonisë dhe paralajmërimet e autoriteteve greke se do të vendosin veton në Samitin e Bukureshtit për anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. “Nuk do të më vinte mirë nëse do të pengohej kjo, por shpresoj se të dyja palët do të jenë fleksibile dhe do të pranojnë propozimet e negociatorit Metju Nimic”, tha Rajs. Në mbështetje të anëtarësimit të tre vendeve ballkanike në NATO dhe perspektivës së tyre për në BE, ka qenë dhe Komisionieri evropian për Zgjerimin, Olli Rehn. “Viti 2008 është vendimtar për shtetet ballkanike, përfshi dhe Shqipërinë”. Kështu u shpreh Komisioneri evropian për Zgjerimin, Oli Rehn, në ditën e parë të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, që mbahet në Berdo të Sllovenisë. Rehn i bëri thirrje Shqipërisë të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Sipas Rehn, “vendi që e ka të sigurt anëtarësimin që në vitin 2010 është Kroacia, e cila do të jetë dhe anëtarja më e re dhe më e afërt e BE-së. Me Maqedoninë pritet të fillojnë negociatat e anëtarësimit. Edhe Malit të Zi së shpejti do t’i jepet statusi i kandidatit. Shtetet e tjera, sipas Rehn, ndodhen ende në hapat e parë të anëtarësimit. Duket se strategjia e re e BE-së për vendet e Ballkanit do të nisë me liberalizimin e vizave në të ardhmen, krijimin e një rrjeti rajonal transporti, bursa për studentë, forcimin e shoqërive civile etj. “Bashkimi Evropian dëshiron të shpejtojë progresin e vendeve të Ballkanit drejt BE-së dhe për këtë unë jam kaq i kënaqur që kemi disa vende si Kroacia apo ish-Republika Jugo-sllave e Maqedonisë, Bosnja, Mali i Zi, Shqipëria, të cilat të gjitha po bëjnë progres të qëndrueshëm dhe të mirë drejt Unionit dhe Serbia ka shansin të bëjë të njëjtën gjë dhe unë shpresoj se populli serb do të zgjedhë rrugën evropiane në zgjedhjet e majit”, tha komisioneri evropian. Partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë të Shqipërisë janë treguar të hapur për të pranuar vendin tonë në aleancat e reja euroatlantike. Pak ditë më parë, vetë Presidenti amerikan Xhorxh Bush u shpreh në një intervistë se do të përkrahë ftesën për anëtarësim të Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë. “Unë do të përkrah faktin që Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia të ftohen për t’iu bashkuar aleancës”, deklaroi Presidenti Bush. I pyetur për kontributin e Kroacisë në aleancë, veçanërisht për ndërtimin e bazave ushtarake apo detare në territorin e saj, Bush përjashtoi ndërtimin e bazave të NATO-s në Kroaci. “Nuk e kemi qëllim ndërtimin e bazave të përhershme në Kroaci”, deklaroi Bush. Por të jesh pjesë e NATO-s përbën një avantazh për një ushtri moderne”, theksoi presidenti amerikan.
Bukuresht: 50 kryetarë shtetesh Ok vendeve të A3
Samiti i Bukureshtit, i cili do të zhvillohet nga datat 2-4 prill, pritet të shënojë një ngjarje të rëndësishme për tre vendet ballkanike Kroacinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë, të cilat presin të marrin ftesën për anëtarësim në NATO. Në këtë samit, i cili vjen pas atij të Rigës, në vitin 2006, do të ketë një përfaqësim mjaft të lartë të personaliteteve të vendeve anëtare dhe atyre aspirante. Rreth 50 kryetarë shtetesh apo kryeministra do të jenë prezentë në takimet që do të jenë vendimtare për të ardhmen e sigurisë edhe për Afganistanin apo Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Gjithashtu do të jenë rreth 3 mijë zyrtarë të lartë që do të marrin pjesë në këtë samit, i cili do të ndiqet nga një numër rekord i përfaqësuesve të medias, rreth 3500 gazetarë. Për të siguruar punimet e këtij samiti do të angazhohen rreth 35 mijë pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë.
Topalli: Lidershipi politik të ulet në tryezë pas samitit
Marrja e ftesës për në Aleancë nënkupton detyrime e sfida të reja dhe kjo kërkon një axhendë të re politike, që do të thotë bashkëpunim dhe seriozitet në një zë i të gjitha forcave politike, për perspektivën e integrimit në NATO dhe BE”. Kështu deklaroi Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në lidhje me mundësinë e marrjes së ftesës së Shqipërisë nga Samiti i ardhshëm i NATO-s. “Marrja e ftesës nënkupton një bashkëpunim i forcave politike edhe më i ngushtë në reformat e shtetit, gjë që do të sjellë një sinergji të madhe për shqiptarët dhe do të afronte dhe më shpejt atë që ne e kemi si projektin tjetër të rëndësishëm, që është perspektiva evropiane. Kjo do të thotë që reformat e realizuara nga Qeveria dhe Kuvendi do të hyjnë në një fazë të re, do të hyjnë në fazën e sfidave të reja dhe të një serioziteti, të një urtësie dhe të një bashkëpunimi, që në mënyrë të veçantë do të formalizohet në Parlament, por që kërkon mbështetjen e liderëve kryesorë të forcave politike në Shqipëri”, theksoi Topalli. Kryetarja e Kuvendit theksoi se marrja e kësaj ftese vjen edhe si pasojë e reformave që ka ndërmarrë qeveria gjatë këtyre viteve, të cilat sipas saj duhet të vazhdojnë akoma më tej. Topalli, katër ditë para Samitit të Bukureshtit vlerësoi se pas Samitit nevojitet një axhendë e re politike për realizimin e një reforme të madhe shtetërore.
Gërdec, banorët në protestë për listat e dëmshpërblimit
Banorë të Gërdecit dhe zonës përreth që u dëmtuan nga katastrofa e dy javëve më parë, protestuan dje para bashkisë së Vorës.
Fatos Mahmutaj
Mbledhja e banorëve për të protestuar erdhi pas daljes së listës së plotë të personave dhe dëmeve që këta të fundit kanë pësuar. Protestuesit shprehën paraditen e djeshme ankesat e tyre, duke pretenduar se lista e publikuar është e pasaktë në vlerësimin që u janë bërë dëmeve, pasi dëmtimi material i tyre është më i madh. Altin Halilaj, njëri prej banorëve të Gërdecit, të cilit iu shkatërrua banesa, pohoi mbrëmë se dëmshpërblimi që i është premtuar t’i jepet është shumë herë më i vogël nga ai çfarë kishin llogaritur ekspertët në vendngjarje pak ditë pas tragjedisë. Duke shpjeguar, Halili solli shembullin e dëmshpërblimit të vëllait të tij, banesa e të cilit pësoi dëmtime të konsiderueshme. Ekspertët e ALUIZNI-t që kishin kqyrur banesën e vëllait të tij, kishin dalë në konkluzionin paraprak se dëmi që i ishte shkaktuar ishte rreth një milion lekë të reja. Ndërsa në listat e publikuara dje përbri emrit të tij ishte shënuar shuma 370 mijë lekë të reja.
Dëmshpërblimi
Po dje kryetari i bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, i cili deklaroi fillimin e procesit të dëmshpërblimeve për të gjitha familjet e dëmtuara si dhe listën e plotë të dëmeve të publikuar, pohoi për mediat se për çdo ankesë do të ngrihet një grup i posaçëm. Ndërkohë është ngritur dhe një tjetër fond emergjence për “Marqinet 1” dhe kryesisht për ato familje që kanë pësuar dëmet më të rënda. Në të njëjtën kohë ka përfunduar dhe terminali kryesor lidhur me energjinë elektrike. Gjithashtu dje ushtria ka konfirmuar se ajri në zonat e “infektuara” është i pastër ndaj ndotjeve radioaktive dhe kimike. Grupet e përbashkëta të punës midis ushtrisë dhe punonjësve të bashkisë Vorë kanë vazhduar punën për certifikimin e shtëpive të sigurta për kthimin e banorëve dhe numri i tyre ka arritur në 180 të tilla. Departamenti i Informacionit pranë Këshillit të Ministrave konfirmoi se forcat xheniere kanë krehur mbi 400 ha në terrenin e prekur nga shpërthimi. Komisioni i Emergjencave mban lidhje të drejtpërdrejta me Shtabin e Forcave të Ushtrisë, të dislokuar në afërsi të zonës së prekur nga shpërthimi, në Gërdec, ndërkohë që grupe të caktuara xheniere shoqërojnë përfaqësues të familjeve të komunitetit për nevojat që kanë në banesat e tyre. Deri dje u bë e ditur se janë kontrolluar dhe pastruar nga predhat mbi 350 shtëpi banimi bashkë me territorin përreth. Po kështu dje u konfirmua se shtabi i emergjencës ushtarake i ngritur në hyrje të Gërdecit do të transferohet më në brendësi të fshatit, pranë vatrës së katastrofës, në mënyrë që të mos sjellë vështirësi në popullimin e banesave periferike të kësaj zone.
Protestat
Protesta e djeshme e banorëve të prekur nga tragjedia vjen pas disa të tillave të zhvilluara disa ditë më parë. Të pakënaqur nga mënyra e dëmshpërblimit, ata kanë zgjedhur rrugën e protestave për të arritur përfitimin e pretenduar. Një javë më parë qëllimi i protestës së tyre ishte shuma e ofruar nga shteti për dëmshpërblim, 230 mijë lekë të vjetra për çdo metër katrorë banesë të dëmtuar. Ndërsa banorët pretenduan se sasia e dëmshpërblimit për ta duhet të ishte njëlloj sa kostoja e ndërtimit në kryeqytet, 300 euro për metër katrorë. Pas protestave banorët morën premtimin se vendimi për caktimin e kësaj kuote dëmshpërblimi pritej të rishikohej, ndërsa do të caktoheshin shuma të tjera. Ndërsa banorë të tjerë të zonës së prekur nga shpërthimi pohuan se kërkonin rivlerësim në terren të banesave të tyre të shkatërruara.
Problemet
Ndërkohë problem shqetësues për protestuesit ishte mosndarja e drejtë e dëmshpërblimit shtetëror për ta. Të kontaktuar mbrëmë nga “Panorama”, banorë të Gërdecit pohuan se ishin ngritur në protesta pasi kishin vënë re paradokse në ndarjen e dëmshpërblimeve. Sipas tyre, kishte persona që u ishte dëmtuar vetëm çatia dhe një kat i banesës dhe kishin përfituar rreth 100 milionë lekë të vjetra, ndërsa dikush tjetër që i ishte rrafshuar banesa kishte përfituar vetëm 23 milionë lekë të vjetra. Pasi kishin vënë në dijeni për këto veprime krerët e bashkisë së Vorës, protestuesit pohuan se kishin marrë prej tyre premtimin se do të rishiheshin të gjitha pretendimet e reja. Kjo do të pasojë ngritjen e një grupi të ri vlerësimesh, ndërkohë që është premtuar nga institucionet qendrore se do të ketë një fond shtesë për dëmshpërblimin e banorëve të Gërdecit.
Dëmi
1.6 miliardë lekë vlera e dëmit financiar
- Kostoja e kompensimit të ndërtimeve të shkatërruara nga shpërthimi në Gërdec është e barabartë me atë të Tiranës. Kështu të gjithë shtëpitë e prishura që do të kompensohen financiarisht nga shteti, do të vlerësohen njësoj sikur të ishin të ndërtuara në kryeqytet.
- Për çdo metër katror banorët e shtëpive të rrënuara do të përfitojnë 25 mijë lekë. Kjo është e barabartë me koston e ndërtimit të rënë dakord me ndërtuesin për kryeqytetin. Në të përfshihen edhe kosto e pagimit të punëtorëve që kryejnë ndërtimin, sigurimet e tyre, transporti i mallrave që duhen për ndërtim, kostot e tjera shtesë të dritave apo energjisë që duhet si dhe pagesa e punës.
- Banorët që kanë humbur shtëpitë do të marrin 50 mijë lekë për çdo person të familjes, por shuma e dëmshpërblimit nuk do të jetë më shumë se 200 mijë lekë për familje.
Viktor Bout, “tregtari i vdekjes”, biznes me kompaninë MEICO
Viktor Bout, ose “tregtari i vdekjes”, trafikanti më i madh i armëve i kohëve moderne, ka në biografinë e tij kriminale edhe një kapitull shqiptar.
Ferdinand Dervishi
Një kapitull të errët që mpleks me fije të padukshme shtetin shqiptar të viteve 1992-2003, kompaninë e tij të tregtisë së armatimeve MEICO, terrorizmin ndërkombëtar dhe shfarosjen e popullsive të pafajshme në Ruanda, apo vende të tjera të pazhvilluara të Afrikës. Faktet janë të publikuara në librin “”Merchant of Death” të autorëve Duoglas Farah dhe Stephen Braun, i pari ish-shef i zyrës së “Washington Post” në Afrikën Perëndimore dhe tjetri korrespondent i “Los Angeles Times” e fitues i çmimit “Pulitzer”.
Ish-oficeri i Shërbimit Inteligjent të ushtrisë ruse, 41-vjeçari Viktor Bout, që u arrestua në Tajlandë vetëm dhjetë ditë para se në Gërdec të shpërthente baruti me forcën e një bombe atomike, ishte i shpallur në kërkim nga një numër vendesh të ndryshme të botës nën akuzën e trafikut të armëve. Natyrshëm që pas arrestimit më 6 mars, ishin të parët amerikanët ata që kërkuan ta ekstradonin. Njeriu i luftës duhet të përballet tashmë me tri akuza kryesore: Se ka ndihmuar me tregtinë e tij terrorizmin ndërkombëtar, kryesisht Al Kaedën, se ka furnizuar me armë të FARC (Revolutionary Armed Forces of Colombia - Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë) si dhe për furnizimin e disa luftërave civile në Afrikë, një proces që e ka kryer me anë të avionëve të tij privatë. Raportet aktuale e akuzojnë edhe për përfshirje në luftë, në Irak. Personazhi i tij është aq shumë unik, saqë filmi “Lordi i luftës” me personazh kryesor Nikolas Cage, është inspiruar pikërisht prej figurës reale të Bout. Ndërsa akuzat për lidhjen e tij me trafikun e armatimeve nga Shqipëria përmblidhen kryesisht në aferën Afrikane gjatë viteve 1992-1995 dhe 2002-2003.
Afera Afrikane
Duke qenë një ish-oficer i Shërbimit Inteligjent të ushtrisë ruse, Viktor Bout arrin të privatizojë një shoqëri që tregtonte armë. Në rrethana që nuk njihen ai arrin të ketë fatin të blejë disa avionë të fortë sovjetikë, të përshtatur për të mbajtur mallra apo edhe armë të lehta. Gjithsesi në vitet e para pas 1990, operacionet ndërkombëtare të trafikut të armëve të Viktor Bout qëndronin pas disa shoqërive apo kompanive në vende si Afrika e Jugut, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. “Akomodimi” pranë shteteve të tilla kishte vetëm një shpjegim: Përmes tyre ishte e lehtë të siguroje dokumentacionin e vështirë të tregtisë së armëve. Natyrshëm që lidhjet shqiptare të Viktor Bout ishin krerët e kompanisë MEICO të tregtisë së armatimeve, e themeluar që në vitin 1991. Në vitet në vazhdim banorët e Beratit kanë vëzhguar pikërisht një avion “Antonov” të prodhimit rus të mbushej sistematikisht me armë e municione në pistën e aeroportit ushtarak të Kuçovës dhe të largohej gjithë zhurmë.
Por në Kongo apo Ruanda, të nisur nga Tirana apo Kuçova, nuk mbërrinin vetëm “Antonovët” e Viktor Bout. Rreh 10 vite më pas gishtin me mjaltë në këtë aferë do ta ngjyenin edhe izraelitët e anglezët, pasi në lojë, në tetor 2002 ishin rreth 320 milionë dollarë të destinuar për blerje armatimesh “për kontribut në Ruandë”. Sipas gazetarëve Jon Swain dhe Brian Johnson-Thomas të “The Sunday Times” (3 korrik 2005) në periudhën 2002-2003 AIA, një shoqëri transporti avionësh me qendër në Sussex (Angli) kreu gjashtë fluturime nga Tirana në kryeqytetin e Ruandës, Kigali, duke transportuar më shumë se 250 tonë armatime. Sipas kësaj gazete me këto armatime, përfshirë fishekë e granatahedhës, u pajisën rebelët ruandezë që luftonin në kufi me Kongon. Një zonë ku pati spastrime të popullsisë civile. Chris Patten, ish-komisionere evropiane për marrëdhëniet me jashtë, e quajti këtë luftë në Kongo si “konfliktin më vdekjeprurës në botë pas Luftës së Dytë Botërore”. Sipas së njëjtës gazetë, municioni shqiptar u shit nga një kompani private e quajtur MEICO, që punon e autorizuar nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë.
Incidenti me talebanët
Por ka edhe një histori tjetër të lidhjeve të Viktor Bout me armatimet shqiptare. Kontaktet e Bout me talebanët u vendosën në gusht 1995, kur ata ishin në opozitë me Presidentin Burhanuddin Rabbani që qeveriste në Kabul. Gjithçka falë një incidenti të pa llogaritur. Një nga avionët e Bout, nisur nga Shqipëria, që transportonte armë të kalibrit të vogël dhe pajisje të tjera luftarake, u diktua nga një gjuajtës MIG-21 dhe u detyrua të ulej në një zonë të kontrolluar nga talebanët. Avioni “Iljushin-76” i shoqërisë “Aerostan” një kompani e Tatarstanit, ishte marrë me qira nga një prej kompanive të Bout që operonte në Emiratet e Bashkuara Arabe. Bout, i ndihmuar nga disa diplomatë rusë, u përpoq të negocionte për të rimarrë avionin dhe ekuipazhin e bllokuar në Kandahar, por nuk mundi. Një vit më pas, më 16 gusht 1996, shtatë rusët e ekuipazhit, pasi çarmatosën rojet, rrëmbyen sërish avionin e tyre Il-76. Një burim ka raportuar më pas në një gazetë të njohur amerikane, se pikërisht ky incident i shërbeu Bout të vendoste kontaktet e ardhme me talebanët. Kontakte që më pas do të forcoheshin duke dërguar në adresë të “tregtarit të vdekjes” akuzën e rëndë, atë të lidhjes me terrorizmin ndërkombëtar, saktësisht Al Kaedën. Gjithsesi ky informacion ka ardhur vetëm për shkak të një incidenti. Pasi nuk njihen të gjitha operacionet që Viktor Bout dhe kompania shqiptare MEICO kanë realizuar. Ato nuk figurojnë madje as në librin me titull “Kontratat e MEICO-s” që Ministria e Mbrojtjes ka publikuar në vitin 2004 dhe që duket i është nënshtruar një censure të fortë.
Viktor Bout, si e ngriti perandorinë e trafikut
Viktor Bout, trafikanti ndërkombëtar i armëve që u arrestua pak kohë më parë, drejtonte një rrjet kompanish të kargove ajrore që u specializuan në transportimin e armëve në zonat e konfliktit. Ai kontrollonte flotën më të madhe ajrore private të avionëve të kargove “Antonov” më kapacitet të madh mbajtës, të aftë për të transportuar tanke dhe armë të tjera të rënda në terrene të vështira. Bout ka furnizuar armë në dhjetëra konflikte luftarake nga më vdekjeprurëset në botë, duke i këmbyer qoftë me të holla, qoftë me diamante apo lëndë drusore. Fusha e veprimit të tij ka përfshirë Afganistanin, Angolën, Kongon, Liberinë, Pakistanin, Filipinet, Ruandën, Sierra Leonen dhe Sudanin. Thuhet se ai jetonte në Moskë dhe drejtonte flotën e tij ajrore kryesisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe. SHBA dhe britanikët thuhet se e kanë përdorur flotën e Bout për të dërguar armatimet e tyre në zona të vështira në Irak. Ngarkesat e Bout nuk kanë qenë gjithmonë të paligjshme: Kompanitë e tij kanë bërë udhëtime të panumërta për Kombet e Bashkuara në të njëjtat zona ku ai ka furnizuar armë që ndezën konfliktet dhe krizat humanitare. Ai ka qenë urë ajrore për paqeruajtësit në Somali, ka sjellë trupat franceze në Ruanda dhe ka shpërndarë ushqim për “World Food Programme”. Viktor Bout ka qenë i aftë të operojë pa u dënuar falë shumë pasaportave të tij, identiteteve të ndryshme si dhe mbështetjes nga njerëz të fuqishëm. Një sërë raportesh të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e kanë përmendur Bout dhe kanë detajuar operacionet e tij vdekjeprurëse. Në mars 2008, Bout u arrestua në Bangkok, ndërsa tentonte t’u shiste armë hetuesve amerikanë që hiqeshin si rebelë kolumbianë të FARC.
Kontrata që i shpëtoi censurës
Në librin “Kontratat e MEICO-s”, publikuar në vitin 2004 nga Ministria e Mbrojtjes ka gjithsesi një kontratë që nuk është censuruar. Ajo mban datën 27.07.1995 dhe bën fjalë për një marrëveshje të MEICO me një person të quajtur Abdelbasit Hamza El Hasan Muhamed. MEICO i ka shitur këtij municione, përfshirë ato të “kallashniko