Fshihen 2.5 milionët e sekuestruar

Dy milionë e gjysmë euro pasuri kapitale vazhdon të menaxhohet nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, ndërsa asnjë cent nga kjo pasuri nuk është e regjistruar në regjistrat përkatës, përkatësisht në regjistrat e kontabilitetit.
Drejtuesit e Agjencisë e cila vepron nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë nuk e kanë marrë mundin që gjësendet e sekuestruara t’i regjistrojnë në Regjistrat e Kontabilitetit dhe Regjistrat e Pasurive, duke lënë të hapur çdo mundësi për manipulim.
Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, administron pasurinë e sekuestruara, qofshin ato para, metale të çmuara, prona, vetura apo makina të ndryshme.
Të paktën këtë e pretendojnë zyrtarët e këtij institucioni, të cilët akuzojnë kryeshefin e kësaj Agjencie, Rrahim Rama, se nuk është “munduar” fare që ta regjistrojë në regjistrat e kontabilitetit mallin e sekuestruar dhe konfiskuar, shkruan zëri. Drejtori i Departamentit të Administratës, Ali Gashi akuzon Ramën, se duke i ikur regjistrimit të pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar ka bërë vepër penale./Indeksonline/