I’a shohin hajrin Kadri Veselit

Banorët e lagjes “Mehmet Aqif Ersoj” në Mitrovicë ia kanë parë hairin angazhimit të Kadri Veselit në politikë. Deri para dy muajve, kur fqinji i tyre nuk i kishte shpërfaqur ambiciet për t’u futur zyrtarisht në Partinë Demokratike të Kosovës, ata kishin vuajtur shumë nga mungesa e rrymës dhe e ndriçimit të rrugëve.
Por, tash nuk e kanë më këtë problem. Me 2 nëntor të vitit të kaluar, kur ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, kishte vendosur të bëhet anëtar i thjeshtë i partisë së Thaçit, ata kishin marrë premtimin e tij se do t’ua hiqte shumë halle, shkruan në numrin e sotëm gazeta “Tribuna”.
Dhe e ka mbajtur premtimin. Për 13 vjet, ata kanë qenë në kategorinë më të ulët për furnizim me energji elektrike dhe mungesa e ndriçimit të rrugëve ua kishte vështirësuar jetën. Mirëpo tani gjërat kanë ndryshuar. Banorët e kësaj lagjeje kanë pohuar për gazetën se indikatori i rregullimit të rrymës dhe ndriçimit ka qenë pikërisht Veseli.
Ata e kanë pranuar se menjëherë pas kalimit zyrtar të Veselit në PDK, ata janë mbledhur së bashku në një vend dhe kanë diskutuar për këto probleme, ku kanë marrë premtime prej tij, se shumë shpejt do të rregullohen këto punë. Veseli, sipas banorëve, madje u kishte premtuar edhe vende pune. “Deri para dy muajve ne kemi qenë në kategorinë ‘C’ dhe më shumë nuk kemi pasur rrymë, sesa kemi pasur. Kjo rrugë nuk ka pasur as ndriçim. Gjithmonë kemi ecur në terr dhe kemi pasur probleme të vogla”, ka thënë njëra prej banoreve të kësaj lagjeje.
Ndërsa, Muharrem Mehana, banor i vjetër i kësaj lagjeje, ka thënë haptas se për aq sa ka dëgjuar indikatori kryesor për rregullimin e rrymës dhe ndriçimit në lagje, ka qenë Veseli. “Këtu nuk ka pasur ndriçim kurrë, por ka dy muaj që është ndrequr. As reduktime tash nuk kemi. Prej kohës që Veseli është anëtarësuar në PDK, gjërat kanë ndryshuar... Unë fqinj e kam edhe i falënderohemi të gjithë”, ka thënë Mehana.
Në anën tjetër edhe banorja Ibadete Mulaj, duke mos dashur të paragjykojë “shpëtuesin” e mëhallës, ka thënë se kushdo që ka kontribuar në zgjidhjen e problemit të tyre, duhet falënderuar. /Indeksonline/