E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha fton sipërmarrësit shqiptarë në SHBA të investojnë në Shqipëri

Kryeministri Berisha, përpos programit "brain gain" dhe tentativës për të tërhequr sa më shumë investime në Shqipëri, u ka hapur rrugën edhe sipërmarrësve shqiptarë në SHBA për të kontribuar në vendin e tyre. Megjithëse nuk është specifikuar ende se çfarë direktivash duhet të ndiqen për të kontribuar në Shqipëri dhe lehtësirat që qeveria shqiptare do të ofrojë për sipërmarrësit shqiptarë, të cilët investojnë në vend të huaj, Kryeministri i ka bërë kërkesën këtij komuniteti për t‘u kthyer në Shqipëri. Vizita e Kryeministrit Berisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrë përshëndetjet nga Rrjeti Shqiptaro-Amerikan i sipërmarrësve. "Ne jemi mirënjohës për mundësinë që patëm për t‘u informuar nga ju mbi progresin dhe iniciativat e ndërmarra në Shqipëri, në mënyrë që të kemi më të qarta dhe prioritetet për të ardhmen", thuhet në mesazhin drejtuar Kryeministrit nga Rrjeti Shqiptaro-Amerikan i Profesionistëve dhe Sipërmarrësve me qendër në Nju Jork. Ky mesazh vjen vetëm pak ditë pasi Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në një eveniment të zhvilluar në Nju Jork nga kjo organizatë për nder të Kryeministrit Berisha, gjatë vizitës së tij në SHBA. Në këtë mbrëmje, Kryeministri Berisha pati rastin të takohet dhe të bisedojë me dhjetëra e dhjetëra të rinj e të reja të ardhura nga e gjithë SHBA, të cilët janë shkolluar dhe specializuar në universitetet më të mira amerikane, si dhe operojnë me sukses në nivelet më të larta të sipërmarrjes dhe botës akademike amerikane. "Rrjeti Shqiptaro-Amerikan i Profesionistëve dhe Sipërmarrësve (APEN) është krenar që mundësoi pjesëmarrjen në këtë takim të shumë e shumë profesionistëve dhe sipërmarrësve, të cilët u takuan me ju dhe që mundësoi edhe lidhjen e tyre më ngushtë me njëri-tjetrin", thuhet në mesazhin e shqiptarëve që jetojnë në Amerikë.

Sipas tyre, ky eveniment përbën një tjetër arritje për APEN, e cila që në themelimin e saj në vitin 2006 ka ndërmarrë një sërë nismash për komunitetin shqiptaro-amerikan. "Ne jemi mirënjohës për mundësinë që patëm për t‘u informuar nga ju mbi progresin dhe iniciativat e ndërmarra në Shqipëri, në mënyrë që të kemi më të qarta dhe prioritetet për të ardhmen", citohet në mesazh. Kjo organizatë mbetet e vendosur për të mbështetur zhvillimin e arsimit dhe sipërmarrjes në Shqipëri dhe do të çojmë më tej bashkëpunimin në zbulimin e hapësirave të reja në të mirë të shqiptarëve në të dy anët e Atlantikut. "Ne shpresojmë në një dialog të ardhshëm me ju dhe në zhvillimin e evenimenteve të tjera të paharrueshme si ky", përfundon mesazhi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›