Ftesa për në NATO stampohet në pullat postare
Sipas drejtorit të Postës, Gorea, evenimenti i ftesës për anëtarësim do të fiksohet në pullën "Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, 3 Prill 2008"
Evenimentin e ftesës për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë, Posta Shqiptare ka vendosur ta fiksojë duke nxjerrë në qarkullim pullën postare "Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, 3 Prill 2008". Kështu, të gjitha pullat e korrespondencës së muajit prill do të kenë këtë pullë poste. Këtë e deklaroi dje Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Arqile Gorea, se nuk mund të ishin indiferentë as me fiksimin e ngjarjes historike ,por dhe as në shprehjen e respektit për këtë organizatë prestigjioze, e cila duke vlerësuar arritjet e Shqipërisë në këto vite hapi dyert për anëtarësimin e saj në NATO. "Ftesa për anëtarësimin në NATO, një ëndërr e kahershme e Kombit Shqiptar stampohet në pullat dhe zarfet shqiptare, të cilat do ta fiksojnë këtë eveniment të rrallë historik duke e futur në skedat e pullave shqiptare, të cilat tashmë njihen si personalizuese të ngjarjeve më të mëdha historike që ka kaluar Shqipëria që nga shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 e deri më 3 Prill 2008",- pohon Gore. Sipas tij, marrja e ftesës ishte një hap i madh për Shqipërinë për t'u bashkuar me Perëndimin, vendet e të cilave besuan në dëshirën dhe kërkesën e popullit shqiptar dhe e mbështetën atë. Ndërkohë ai pohon se sondazhet ishin tregues i qartë se mbi 94% e shqiptarëve e dëshironin NATO-n. "Për ta familjarizuar këtë eveniment me atmosferën e përgjigjes optimiste që po kalon vendi ynë, Posta Shqiptare ka vendosur që për muajin Prill e tërë korrespondenca do të kryhet me pullat me temë "Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, 3 Prill 2008",- pohon Gorea.