Metroja e Pangos
Pas super-reklamës 300 mijë euro në CNN, ministria e Ylli Pangos u dha dje shqiptarëve në lajm gjigant. Shqipëria qenka promovuar edhe në një gazetë kanadeze, që ka emrin e galerive nëntokësore që lehtësojnë transportin publik të udhëtarëve në metropolet e mbipopulluara. Lajmi është i paparë: "Gazeta "Metro" që botohet në Montreal të Kanadasë dhe që është gazeta më e lexuar në botë, publikoi listën e 10 destinacioneve turistike që këshillohen për këtë stinë pushimesh. Shqipëria hyn në listën e destinacioneve tendencë për turistet që duan të zbulojnë plazhet e virgjëra, kështjellat mesjetare dhe qendrat arkeologjike, të fshehura në alpe". Sipas ministrisë që citon gazetën, Shqipëria ishte e pesta në listën e vendeve të tilla, si Pekini, Ishulli Maurice, Laos, Quebec, Iran, Guatemala, Irlanda e Veriut, Liverpool dhe Kroacia, e cila vetëm nga turizmi vjet fitoi rreth 8.9 miliardë euro. "Spiuni" u bë kurioz për gazetën "Metro", e cila sipas MTKRS-së qenka më e lexuara në botë dhe hapi faqen ku shënohen mediat e të gjithë Kanadasë. Lista nis me dymujoren "Adbusters", që publikon të drejtat e konsumatorëve, vijon me gazetat kombëtare si "Le Devoir", "Les Affaires", "National Post", "The Globe and Mail", revista si "Benefits Canada", "Canadian Business", "Eye Weekly" apo "Lo Specchio", "Maclean's" etj., gazeta të përditshme lokale si "Business in Vancouver", "Business Journal", "Calgary Herald", "Chilliwack Progress", "City of York Guardian", "L'Express (Toronto)", "Le Journal de Montréal", "Western Catholic Reporter" e shumë e shumë gazeta të tjera. Në këtë listë të pafund mediash të Kanadasë vetëm gazeta që ka dhënë lajmet për Shqipërinë, dhe që qenkërka më e lexuara në botë, nuk ka as fare prezencë. Ky nuk është ndonjë lajm, por do të ishte një lajm i keq për taksapaguesit shqiptarë, nëse në këtë gazetë të panjohur, do të ishin dhënë euro apo dollarë kanadezë për të renditur sukseset e Shqipërisë turistike nën udhëheqjen e Ylli Pangos.
Kinezët e Tiranës
Qeveria shqiptare nuk ka ndërmend të bojkotojë Lojërat Olimpike të Kinës, në 8 Gusht 2008. Dhe as të protestojë për Tibetin, vrasjet dhe dhunën ndaj ndjekësve të Dalai Lamës. "Spiuni" u interesua dje për qëndrimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë ndaj represionit kinez, por atje të gjithë departamentet, madje edhe ato të Azisë së largme ishin shumë të zënë me integrimin euroatlantik të Shqipërisë në NATO. Vetëm njëri pranoi të flasë pak, por vetëm jashtë zyrave, ku ekziston dyshimi i përhershëm i "katit të katërt", pra, përgjimit që u bëhet nëpunësve të diplomacisë. Ai tha se, pas pranimit të pesë ujgurëve në maj 2006, Kina e madhe u zemërua shumë më Shqipërinë dhe sybajamet recitonin gjithë trishtim refrenin e famshëm të viteve '70 se: "Dy luanë ka sot bota, një Azia, një Europa". Një përfaqësues i Komitetit Olimpik Shqiptar kishte pyetur se çfarë do të bëjë Shqipëria, dhe në ministri i kishin thënë se është fat i madh për Shqipërinë që të shkojë në Lojërat e Pekinit. "Po sikur të bëjmë pak presion, gjasme, dhe të trazojmë pak qeverinë, dhe me atë rast mos na japin edhe ndonjë lek më shumë nga frika dhe atje në Pekin na mbajnë mirë, si miq të vjetër që kemi qenë?".- Jo, jo e kishte këshilluar diplomati, se pastaj kemi hallin e mosnjohjes së Kosovës nga Pekini, tërheqjen nga ndërtimi i Hidrocentralit të Bushatit, frikësimin e tregtarëve kinezë te Rruga e Dibrës dhe pastaj, po sikur të na vijnë këtu, kush i mban me bukë 1.3 miliardë kinezë?