E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fuere: Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar

Ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere ka pranuar se tetë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, një pjesë e madhe e këtij dokumenti, nuk është zbatuar.
"Duhet bërë akoma shumë. Ende ka çështje të cilat kanë mbetur të pazgjidhura nga konflikti i vitit 2001. Duhet bërë shumë për të drejtat e shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike, përfaqësimin e përshtatshëm, si dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Ekziston 'Ligj për gjuhët', por për zbatimin e saj duhet ende shumë punë", ka theksuar ambasadori europian Fuere. Sipas tij, nëse do të ketë më shumë përpjekje për zgjidhjen e çështjeve të hapura, nuk do të realizohen kërcënimet e PDSH-së.
Fuere ka shtuar se paralajmërimet për braktisjen e Parlamentit tregojnë se punët në Maqedoni nuk ecin në drejtimin e duhur. "PDSH-ja është një parti e stabilizuar, prandaj nuk është mirë që të braktisë parlamentin. PDSH, është parti e zgjedhur si gjithë partitë e tjera, që të jetë brenda në parlament dhe jo jashtë tij. Besoj se problemet dhe shqetësimet e PDSH-së, do të zgjidhen dhe realizohen më mirë në parlament se sa jashtë tij. Shpresoj se anëtarët e PDSH-së nuk do ta realizojnë këtë kërcënim", deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni Ervan Fuere.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›