E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fukushima percaktohet zona e ndaluar rreth centralit

Qeveria japoneze pengon rikthimin e banorëve në zonën e ndaluar rreth Fukushimës me ndotje të lartë radioaktive. Autoritetet e Japonisë kanë shpallur një rrip prej 20 kilometrash, përreth centralit atomik Fukushima Daiçi, zonë të ndalimit të hyrjes. Ky central ishte dëmtuar shumë nga tërmetit dhe cunami, që e goditën Japoninë, më 11 mars të këtij viti.

”Po zhvillohen konsultime me autoritetet lokale për një ligj, i cili do të ndalonte hyrjen në zonën e evakuimit 20 kilometra përreth Fukushimës” tha zëdhënësi i qeverisë Yukio Edano në Tokio.

Zëdhënësi i qeverisë së Japonisë, Yukio Edano, ka kërkuar nga banorët, që ta respektojnë këtë urdhër, për shkak të sigurisë dhe shëndetit të tyre, duke thënë se zona e Fukushimës ende nuk është stabile.

Në atë zonë para cunamit dhe katastrofës bërthamore kishin jetuar në qytete dhe fshatra rreth 80.000 vetë. Tani, raportohet se disa banorë janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërsa policia nuk ka pasur mjete juridike për t’i penguar ata. Sipas urdhërit ndalim-hyrje, banorët do të munden të kthehen për një kohë të shkurtër nëpër shtëpi, për t’i marrë gjërat e nevojshme për jetë.

Nga centrali atomik Fukushima, ka rrjedhë rrezatim në ajër, në tokë dhe në det, meqë sistemet e ftohjes ishin shkatërruar nga tërmemti dhe cunami, që është vlerësuar se ishte shkatërrimi më i madh prej Çernobilit, para 25 viteve.

Sipas një artikulli të gazetës japoneze "Yomiuri Shimbun" qeveria japoneze do të vërë përkohësisht nën kontroll shtetëror operatorin Tepco, për të garantuar pagesat e zhdëmtimeve për viktimat e Fukushimës. Kjo nuk do të thotë se Tepco do të shmangë përgjegjësinë për katastrofën, por në rast falimentimi mund t'i drejtohet një fondi publik për kompensimin e dëmeve.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›