E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restorantet ne site. Kontroll per cilesine e ushqimeve

Drejtoria e Shëndetit Publik do të ushtrojë kontrrolle të rrepta në ditët në vijim,  jo vetëm tek të gjitha subjektet tregëtare që ofrojnë produkte ushqimore për konsumatorët, por edhe në hotele e restorante. Drejtori i këtij institucioni Mhill Gecaj, thote se me afrimin e sezonit turistik të gjitha këto subjekte duhet të pajisen me libreza shëndetësore,  si dhe leje higjeno- sanitare në të kundërt atyre do t’ju rrezikohet aktiviteti.

“Të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të tilla, sidomos në zonat turistike, duhet të kenë kujdes për pajisjen me dokumentacion të posatshëm për ushtrimin e këtij aktiviteti. Nga Inspektoriati Sanitar Shtetëror nuk do të tolerohet as edhe një subjekt, asnjë lokal, asnjë hotel, asnjë bar apo restorant”- tha Gecaj.

Librezave shëndetsore ju janë shtuar disa risi të cilat kanë të bëjnë me një numër edhe më të madh analizash, të cilave duhet t’ju nënshtrohet personi që ka subjektin. Gjatë muajve të kaluar Drejtoria e Shëndetit Publik ka evidentuar edhe raste të personave që kane fallsifikuar këto libreza. Zoti Gecaj thotë se personat janë për ndjekje penale.

“Është subjekti I cili paraqitet vetë pranë drejtorisë së Shëndetit Publik dhe Inspektoriatit Sanitar për t’u pajisur me librezë shëndetësore dhe nuk është më inspektori I cili ia çon. Në të gjitha rastet e konstatimit të shkeljeve që janë bërë nga ana e inspektorëve  për lëshimin dhe pajisjen me libreza të personave apo subjekteve të ndryshme janë marrë masat administrative”- tha Gecaj.

Vetëm gjatë muajit të kaluar janë pajisur me libreza shëndetësore rreth 1500 subjekte, me leje higjeno- sanitare rreth 350 të tilla, ndërkohë që janë vënë rreth 28 gjoba.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›