E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule: Institucionet e Kosovës të kenë angazhime konkrete

Komisioneri për zgjerim dhe politikë evropiane të fqinjësisë, Stefan Fule, deklaroi të premten në Prishtinë se është me rëndësi që institucionet e Kosovës të kenë veprime konkrete për procesin integrues, e jo vetëm fjalë, ndërkohë që sipas tij gjatë këtij viti duhet të sigurohet stabilitet politik, të garantohet siguri për qytetarët e Kosovës, posaçërisht për komunitetet pakicë.
Ai këto vlerësime i bëri pas një takimi që kishte me presidentin Fatmir Sejdiu, ku shprehu qëndrimin e fuqishëm konsensual të Bashkimit Evropian për t'u angazhuar në Kosovë si dhe për të siguruar perspektivën evropiane për Kosovën.
"Diskutuam për sfidat që kemi përpara, duke pasur parasysh se viti 2010 do të jetë vit i sfidave. është me rëndësi që institucionet e Kosovës, gjatë këtij viti, të sigurojnë stabilitet politik, që të garantojnë siguri për qytetarët e Kosovës, posaçërisht për komunitetet pakicë", tha Fule.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme që autoritetet e Kosovës të angazhohen për reformat që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe qeverisjen e mirë.
Gjithashtu, ai tha se gjatë takimit është biseduar për bashkëpunimin praktik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, veçanërisht në tri fushat siç janë dialogu për vizat, dialogu në procesin e stabilizim-asocimit si dhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal.
Ndërkaq, presidenti Sejdiu shprehu falënderimin për mbështetjen e madhe që Bashkimi Evropian dhe Komisioneri për zgjerim i ka dhënë Kosovës.
Ai tha se gjatë këtij takimi është biseduar për ambiciet dhe thellimin e punës së institucioneve të Republikës së Kosovës për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe të procesit të integrimeve.
"Kosova nuk ka vizion tjetër në kuptimin e aderimit të saj, por ka vizionin që në një të ardhme të afërt të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, që të jetë në mundësi të barabarta të veprimit dhe të shfrytëzimit të benefiteve, por edhe të bëjë punën në partneritet të përbashkët me Bashkimin Evropian", tha Sejdiu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›