E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule: “Ngërçi politik të zgjidhet duke garantuar transparencë në respekt të Kushtetutës”

Komisioneri për Zgjerimin takon Ramën, Berishën e Topin. “Kriza politike, kusht për të marrë liberalizimin e vizave”

Komisioneri europian për Zgjerimin, Stefan Fule, gjatë vizitës së tij në Tiranë, vuri theksin në domosdoshmërinë e zgjidhjes së krizës politike për shkak se ajo pengon procesin e integrimit të vendit në BE. Sipas Fules, kriteri politik është parësor për të vlerësuar zhvillimet dhe ecurinë e vendit drejt Bashkimit Europian. Madje Fule theksoi se në rast se kriza politike nuk zgjidhet sa më parë, atëherë kjo do të sjellë pengesa edhe në drejtim të liberalizimit të vizave për shqiptarët. Fule ka qenë i njëjtë në deklaratën e tij si në takimin me kryeministrin Berisha, ashtu dhe në takimin me kryetarin Rama, duke përdorur të njëjtën terminologji. “Një Parlament thellësisht funksional është thelbësor për një funksionim të plotë të demokracisë. Bojkotet parlamentare nuk kanë vend në politikën demokratike në mënyrën se si zbatohet në Bashkimin Europian. Rruga në vazhdim duhet të udhëhiqet nga dy parime themelore demokratike: respekti për Kushtetutën dhe transparenca. Në interes të vendit të tyre dhe të perspektivës së integrimit europian, liderët politikë të Shqipërisë duhet të përballen tani me këtë sfidë në mënyrë konstruktive dhe në frymën e Bashkimit Europian”, - ka qenë deklarata që Fule bëri sapo shkeli në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë dhe që është përsëritur në të gjitha takimet që zhvilloi dje në Tiranë.
Takimi me Ramën
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë takimit me komisionerin e BE-së, Stefan Fule, shprehu falënderimin për angazhimin e Komisionit Europian për liberalizimin e regjimit të vizave me vendin tonë duke inkurajuar përfundimin sa më të shpejtë të këtij procesi. Rama shprehu angazhimin e forcës politike që kryeson për transparencën e procesit zgjedhor në përputhje të plotë të kuadrit ligjor dhe kushtetues në vend. Sipas kryetarit të PS-së, Edi Rama, kërkesa e opozitës mbështetet jo vetëm në vlerat dhe parimet europiane të transparencës, por edhe në të drejtën kushtetuese që i jep Kuvendit mundësinë e hetimit përmes komisioneve hetimore parlamentare. Sipas Ramës, precedenti i hapjes së kutive përmes hetimit parlamentar ekziston dhe ka ndodhur në vitin 2005. Ky precedent është një tjetër provë, së bashku me interpretimet e Gjykatës Kushtetuese, që vërteton se kërkesa e Partisë Socialiste është e ligjshme dhe në përputhje të plotë të Kushtetutës. Gjatë takimit me komisionerin Fule, Edi Rama theksoi edhe njëherë faktin se transparenca dhe hetimi parlamentar i kërkuar nga Partia Socialiste nuk synon në asnjë moment ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në tavolinë, por shërben vetëm për të garantuar standardet demokratike dhe për të shmangur korrupsionin e manipulimin elektoral gjatë proceseve të ardhshme zgjedhore. Nga ana e tij, komisioneri Fule theksoi se ngërçi politik që ka mbërthyer Shqipërinë duhet zgjidhur sa më shpejt, duke garantuar transparencë dhe respekt të Kushtetutës.
Takimi me Berishën
Gjatë takimit me Berishën, Fule theksoi se Komisioni Europian do të vlerësojë jo vetëm angazhimin e Shqipërisë, por edhe veprimet konkrete të ndërmarra në luftën kundër korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar. Por Fule vuri theksin në domosdoshmërinë e zgjedhjes së krizës politike duke e cilësuar parësor vlerësimin e kriterit politik të një vendi, si për të përfituar liberalizimin e vizave, ashtu dhe për vlerësimin e hapave drejt statusit të vendit kandidat në BE. “Në diskutimin që zhvillova me kryeministrin vura në dukje rëndësinë e pjesës politike të Konventës së Kopenhagenit. Në lidhje me liberalizimin e vizave Shqipëria ka bërë shumë progres së fundi në lidhje me implementimin e Udhërrëfyesit. Muajin që vjen kolegët e mi do të paraqesin vlerësimin bazuar në një propozim në Parlamentin Europian dhe në Këshillin e Europës. Duke u bazuar në atë, do të marrin vendimin. Kriteri i parë i vlerësimit do të jetë situata aktuale politike, debati politik që zhvillohet sot në Parlament”, - është shprehur Fule, i cili më pas ka lexuar të njëjtën deklaratë që ka bërë sapo ka mbërritur në Tiranë.
Ndërsa kryeministri Berisha, gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp me komisionerin europain për Zgjerimin, u shpreh se mbështet deklaratën e tij për situatën politike në Shqipëri. “Shpreha bindjen time më të thellë dhe u shpreha dakord me deklaratën që Fule ka bërë, që çështja duhet të zgjidhet nga lidershipi shqiptar në respekt të Kushtetutës dhe transparencës. Kushtetuta dhe transparenca janë plotësisht të pajtueshme dhe vendi ka të gjitha instrumentet e shtetit ligjor për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe për të realizuar transparencën”, - është shprehur Berisha.

Apeli i Fules
“Më lejoni që të përfitoj nga ky rast që unë ta lexoj deklaratën përsëri. Një parlament tërësisht funksional është parësor për funksionimin e demokracisë. Nëse ngërçi politik vazhdon, kjo me të vërtetë mund ta pengojë Shqipërinë për arritjen e standardeve politike të pritshme për një vend që ka aplikuar për anëtarësimin në BE. Parlamenti është vendi për dialog dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Bojkotet parlamentare nuk kanë vend në politikën demokratike si praktika që zbatohen në BE. Rruga në të ardhmen duhet të udhëhiqet nga dy parime demokratike: respekti për Kushtetutën dhe transparenca. Në interes të vendit të tyre dhe perspektivës së integrimit europian udhëheqësit politikë të Shqipërisë duhet ta trajtojnë tani këtë sfidë në frymën e BE-së”.

Qëndrimi i Berishës
“Shpreha bindjen time më të thellë dhe u shpreha dakord me deklaratën që Fule ka bërë, që çështja duhet të zgjidhet nga lidershipi shqiptar në respekt të Kushtetutës dhe transparencës. Kushtetuta dhe transparenca janë plotësisht të pajtueshme dhe vendi ka të gjitha instrumentet e shtetit ligjor për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe për të realizuar transparencën”, - është shprehur Berisha.

Qëndrimi i Ramës
“Kërkesa e opozitës mbështetet jo vetëm në vlerat dhe parimet europiane të transparencës, por edhe në të drejtën kushtetuese që i jep Kuvendit mundësinë e hetimit përmes komisioneve hetimore parlamentare. Precedenti i hapjes së kutive përmes hetimit parlamentar ekziston dhe ka ndodhur në vitin 2005. Ky precedent është një tjetër provë, së bashku me interpretimet e Gjykatës Kushtetuese, që vërteton se kërkesa e Partisë Socialiste është e ligjshme dhe në përputhje të plotë të Kushtetutës. Transparenca dhe hetimi parlamentar i kërkuar nga Partia Socialiste nuk synon në asnjë moment ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në tavolinë, por shërben vetëm për të garantuar standardet demokratike dhe për të shmangur korrupsionin e manipulimin elektoral gjatë proceseve të ardhshme zgjedhore”, - është shprehur Rama.

20 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›